Ballina Artikuj Nxitimi i famës

Nxitimi i famës

Shejkh Muhamed El-Gazali

Ibn Atailah ka thënë: “Varrose ekzistencën tënde në tokë të thatë (djerr) dhe ajo, që mbin prej asaj, që nuk është mbuluar, nuk ka për të dhënë prodhim!”
Them: Këto fjalë janë orientimi më i mirë për ata, që dëshirojnë famën me nxitim dhe ata, që iluzionojnë se pjesa e paktë e njohurive dhe e eksperiencës është e mjaftueshme për të kandiduar si udhëheqjes i masave dhe daljen në ballë të njerëzve. Të tillë ka shumë në jetë.
Posti i imamit (prijësit) në horizontet e dynjasë dhe horizontet e fesë kërkon durimin e viteve dhe djersitjen e ballit.
Le ta ndërtojë së pari njeriu veten e tij larg (në vetmi), në heshtje dhe pa ngutje, ashtu si pema, rrënjët e së cilës fshihen poshtë dheut për një kohë të gjatë për t’u formuar në të me një formim të saktë, pastaj fillon të çajë rrugën e saj drejt ajrit dhe dritës.
Çfarë mund t’i bëjë dëm të rinjve nëse fshihen pak apo më shumë, e të mos të dalin në pah para njerëzve, përveçse pasi t’i kenë plotësuar kualifikimet e tyre?!
Ti mund të shikosh një të tillë, që shkruan disa artikuj dhe e llogarit veten e tij prej udhëheqësve të mendimit, ose di të bëjë disa punë dhe e mendon veten politikan i botës. Sikur të kishte preferuar “fshehjen” (mos daljen në pah) për disa kohë, që të piqet në të, do të kishte qenë më mirë për të.
Pastaj, imani, kur drejtohet, do të thotë që t’i kryesh çfarë ke për detyrë, për hir të Allahut, jo për famën, sepse ai, i cili kërkon famën e njerëzve, bie poshtë përpara Allahut.
Prandaj, ki kujdes dy gjëra për veten tënde: Të nxitosh të dalësh në pah përpara se të plotësosh kualifikimet e kërkuara dhe t’i plotësosh këto kualifikime, për të tërhequr shikimin e njerëzve drejt teje!
__________________________
Shejkh Muhamed El-Gazali nga libri: El-Xhanib el-atifi minel-Islam

Nga: Hoxhë Lavdrim Hamja

Exit mobile version