Ballina Lajmet Kosovë Nxënësit e Prishtinës mbi 1 milion mungesa

Nxënësit e Prishtinës mbi 1 milion mungesa

Mbi 1 milion mungesa janë bërë nga nxënësit e shkollimit parauniversitar të shkollave publike të komunës së Prishtinës gjatë vitit 2015/2016.

Ky është rezultati që u prezantua nga drejtoresha e Arsimit e Komunës së Prishtinës, Arbërie Nagavci, gjatë mbledhjes së nëntë të Kuvendit Komunal kur u diskutua pika tetë e rendit të ditës – suksesi dhe rezultati i nxënësve i arritur në tri nivelet e arsimit gjatë vitit 2015/2016.

Pjesë e këtyre rezultateve ishte edhe nota mesatare e nxënësve varësisht nga niveli arsimor. Në nivelin e ulët arsimor, të klasave 1-5, nota mesatare ishte 4.53. Nxënësit e nivelit të mesëm të ulët, klasat 6-9, kanë arritur notën mesatare 3.89.

Ndërsa te nxënësit e nivelit të shkollimit të mesëm, klasat 10-12, nota mesatare është 3.58.

Drejtoresha Nagavci para këshilltarëve të Kuvendit Komunal ka prezantuar rezultatet edhe për lëndët në të cilat nxënësit e shkollave të kryeqytetit kanë notat mesatare më të ulëta dhe më të larta, raporton KALLXO.com.

Nxënësit e nivelit të ulët arsimor si më të vështirë e konsiderojnë lëndën e historisë, ku kanë notën mesatare më të ulët nga të gjitha lëndët e tjera, 4.11, ndërsa notën mesatare më të lartë e kanë në lëndën e edukatës fizike, 4.65.

Ata të nivelit të mesëm të ulët arsimor gjithashtu notën mesatare më të lartë e kanë në lëndën e edukatës fizike, kurse notën më të ulët mesatare e kanë në lëndën e matematikës 3.33.

Edhe nxënësit e shkollimit të mesëm notën mesatare më të lartë e kanë në lëndën e edukatës fizike kurse atë më të ulët në lëndën e fizikës 2.68.

Ditë më parë, pas publikimit të rezultateve të testit ndërkombëtar të njohurive të përgjithshme “PISA”, doli se 77 për qind e nxënësve 15-vjeçarë kosovarë nuk dinë të lexojnë.

Exit mobile version