Nxënësit e disa shkollave ende s’i kanë marrë tekstet shkollore që dhurohen falas

Nxënësit e disa shkollave ende nuk i kanë marrë tekstet shkollore që dhurohen falas nga Ministria e Arsimit. Përveç kësaj, një pjesë e tyre mungon sikurse viteve të kaluara.

Drejtori i shkollës “Daut Bogujevci” në Fushë-Kosovë, Sabri Xhigoli, ka thënë se tekstet i kanë marrë ditë më parë dhe presin që deri javën e ardhshme ta përmbyllin procesin e shpërndarjes tek nxënësit. Mosfillimi i mësimit për të gjitha klasat dhe ndarja në grupe e nxënësve, sipas tij, ka bërë që ta çrregullojë këtë proces, raporton KOHA.

E sekretarja e shkollës “Mihal Grameno”, Sanije Hertica, ka bërë të ditur se në këtë institucion të martën ua kanë dhënë librat nxënësve të disa klasave, kurse të mërkurën do të vazhdojnë me pjesën tjetër.

Prindërit presin që fëmijët sa më parë të pajisen me libra dhe të mos ketë vonesa.

Sipas drejtorit të Arsimit në Fushë-Kosovë, Islam Shabani, më 11 shtator në këtë komunë u kanë ardhur tekstet nga shtëpitë botuese. Shpërndarja tek nxënësit, sipas tij, është çështje që u takon shkollave.

Në Ministrinë e Arsimit nuk kanë dhënë informacione nëse të gjitha shkollat janë pajisur me libra dhe përse mungon një pjesë e atyre të gjuhëve të huaja.