I nxehti, si të shmangim urgjencat kardiake

Jo të pakta janë rastet kur gjatë stinës së verës dëgjojmë për humbje të jetës në plazh apo ambiente të tjera për shkak të infarktit apo atakut kardiak. Shumë prej personave nuk dinë që vuajnë nga sëmundje të zemrës ndërsa atë tjerët pavarësisht se mjekohen përballen me vështirësitë e saj për shkak të temperaturave të larta. Dr. Lulzim Çela, mjek kardiolog prej në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, thotë se “urgjencat kardiovaskulare janë çrregullime të rrezikshme për jetën, të cilat duhet të njihen menjëherë, në mënyrë që të shmangen vonesat në trajtim si dhe për të minimizuar sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë”. Dr. Çela shprehet se “në shërbimin tonë trajtojmë urgjenca të cilave u ofrohet kujdes maksimal nga një staf i specializuar, i cili vepron me profesionalizëm për stabilizimin e gjendjes së pacientit dhe mbajtjen nën vëzhgim deri në stabilizimin e gjendjes dhe transferimin në shërbimet të tjera në varësi të gjendjes klinike, apo kthimin në shtëpi pasi gjendja gjykohet përfundimisht e stabilizuar”. Shërbimi i urgjencës mjekësore përfshin kujdesin klinik e paraspitalor në situatat kur pacienti është në rrezik. Nevoja për shërbimin e urgjencës mjekësore përfundon me stabilizimin e gjendjes shëndetësore të pacientit ose me shtrimin e tij në spital.

Arresti kardiak

Në disa raste një komplikacion i quajtur aritmia ventrikulare bën që zemra të kalojë në spazmë dhe ndalon së rrahuri, kjo gjendje njihet si arresti kardiak i menjëhershëm. Një arrest kardiak ndodh kur rrahja mekanike e zemrës ndalon papritur dhe ky është rast urgjent, sepse vdekja ndodh nëse nuk ndërhyhet brenda pak minutave. Arresti kardiak nuk është infarkt edhe pse mund të çojë në një të tillë. Infarkti shkaktohet nga një arterie e bllokuar që ndërpret furnizimin me gjak të muskulit të zemrës. Kjo nuk është domosdoshmërisht vdekjeprurëse. Arresti kardiak ndodh kur ritmi i zemrës ndërpritet. Shansi për të mbijetuar është më pak se 6 për qind, kur ndodh jashtë mjedisit të spitalit. Ndaj edhe qyetarët e thjeshtë duhet të jenë të informuar rreth disa teknikave sesi të jepet ndihma e parë. Pra si të japin frymëmarrjen artificiale që ta bëjnë zemrën të filloi përsëri të punojë. Manovrat ringjallёse pёrfshijnё manovrat bazë tё suportit tё jetёs (Basic Life Support-BLS), tё cilat aplikohen menjёherё. Qёllimi i BLS ёshtё qё tё sigurojë ventilacionin e emergjencёs dhe perfuzionin sistemik nёpёrmjet ringjalljes zemёr-mushkёri (Cardio Pulmonary Resuscitation-CPR).

Simptomat

Simptomat që paralajmërojnë një goditje në zemër dhe që hasen shpesh tek personat të cilët pësojnë arrest kardiak kanë dhimbje gjoksi, ndjesi presioni në gjoks, kur dhimbja fillon të përhapet edhe në krah, nofull, marrje mendsh, djersitje, marrje fryme, ndjesi të vjelli ose të vjella, ndjenjë paniku, kollitje e vështirë, krizat hipertensive. Kurse porsa i përket shenjave më të shpeshta klinike që ankojnë këta të sëmurë janë dhimbja e kraharorit, vështirësia në frymëmarrje.

Shkaqet

Shkaktari kryesor është sëmundja e aterosklerozës. Gjatë atakut kardiak ndodh një mbyllje e një dege të arterieve koronare, zakonisht nga një tromb i çliruar nga dëmtimi aterosklerotik i enës. Në këtë sëmundje ndodh një depozitim i substancave yndyrore në muret e arterieve duke rezultuar në ndryshime në strukturën e tyre dhe formimin e pllakave aterosklerotike. Ena e gjakut humb butësinë e faqes se brendshme te saj. Me tej pllaka dëmtohet duke i dhënë mundësinë gjakut të mpikset në vendin e dëmtuar. Trombocitet, nëpërmjet kapacitetit të tyre lidhës, së bashku me qelizat e bardha të gjakut dhe qelizat e kuqe të gjakut bëjnë të mundur formimin e masës së mpiksur mbi pllakë. Masa rritet shpejt për llogari të pjesës së brendshme të enës duke penguar qarkullimin e gjakut ne të. Ajo zonë në të cilën ky gjak ishte i drejtuar do të mbetet pa oksigjen dhe pastaj të vdesë (Atak në zemër). Përveç arsyes se mësipërme, qarkullimi i gjakut mund të jetë i bllokuar nga një hemorragji në muret e arterieve, për shkak të këputjes së enëve të vogla të gjakut që e ushqejnë atë. Shkaqe të tjera mund të jetë ardhja e një koaguli nga ndonjë pjesë tjetër e trupit duke shkaktuar bllokim të arteries që furnizon me gjak një zonë të caktuar të muskulit të zemrës. Ateroskleroza prek arteriet e mesme dhe të mëdha dhe karakterizohet nga një trashje e përhapur, por e parregullt e murit të enëve të gjakut duke formuar pllaka yndyre të cilat pengojnë rrjedhjen normale të gjakut dhe në rastet më të rënda bllokim tërësor. Pllakat janë të përbëra nga një grumbullim i qelizave yndyrore dhe kanë tendencë të rriten në mënyrë progresive me kalimin e kohës. Sipas studimeve të fundit janë më tepër se 200 faktorë te cilët ndikojnë në rritjen e mundësisë për të pësuar një atak kardiak.

Difiçiti neurologjik

Midis ankesave kardiake më të shumtat kanë të bëjnë me anginën e kraharorit të paqëndrueshme, infarktin akut të miokardit dhe edemën mushkërore akute. Ankimet neurologjike kanë të bëjnë me infarktin ose hemoragjinë cerebrale (dhimbje koke okcipitale, vjellje, konfuzion mendor, konvulsione dhe retinopati me edemë papilare. Më së pari duhet vendosur se kemi të bëjmë me një Emergjencë apo Urgjencë HTA (hipertensioni arterial) mbi bazën, jo vetëm të vlerave të larta të TA (tensioni arterial), por dhe mbi bazën e pranisë ose jo të shfaqjeve të prishjes funksionale progresive të organit në shënjestër. Së dyti, gjendja duhet dalluar nga HTA dytësor, nga masat intrakraniale, traumat e kokës, epilepsia, vaskuliti cerebral nga sëmundjet e indit konjunktiv, si lupusi, si dhe nga anksieteti akut dhe krizat e panikut.

Mjekimi i emegjencës HTA

Pacientët me emergjencë HTA duhen dërguar urgjentisht në spital. Menjëherë të fillohet mjekimi nën monitorim të aktivitetit kardiak. Gjithashtu duhen bërë vlerësimet neurologjike e renale. Pikësynimi i mjekimit është ulja e TA mesatar në masën jo më shumë se 25% brenda disa minutash ose 1 ore. Më pas nëse gjendja është e qëndrueshme mund të tentohet ulja e mëtejshme e TA deri në 160/110-100 mmHg brenda 2 deri 6 orësh. Duhet shmangur me doemos ulja e tepruar e TA për të mos përkeqësuar perfuzionimin e organit në shënjestër të dëmtuar. Kur gjendja e përmirësuar e të sëmurit mbetet klinikisht e qëndrueshme dhe nëse tolerohet gjatë 24- 48 orëve të ardhshme, TA mund të shtyhet drejt nivelit normal. Eshtë e kuptueshme që terapia duhet zgjedhur në pajtim me organin në shënjestër të dëmtuar dhe me sëmundjet bashkekzistuese. Pacientët me Urgjencë HTA mund të mjekohen në shtëpi. Nuk është e detyrueshme që ata të shtrohen në spital. Ato mund të përfitojnë nga përdorimi i barnave hipotensive me veprim të shkurtër. Pikësynimi i mjekimit është ulja e TA deri në masën 25% të TA mesatar brenda 24 orësh, korrigjimi i mjekimit të mëparshëm, ose fillimin e mjekimit në qoftë se ai ka qenë i pamjekuar. Një i sëmurë i tillë duhet rishikuar brenda 3-5 ditësh për të rishikuar mjekimin nëse del e nevojshme. Pacientët me dëmtim të organeve në shënjestër duhen drejtuar për konsultim te specialistët përkatës.

Simptomat që paralajmërojnë një goditje në zemër janë:

Dhimbje gjoksi

Ndjesi presioni në gjoks

Kur dhimbja fillon të përphapet edhe në krah, nofull

Marrje mendsh

Djersitje

Marrje fryme

Ndjesi të vjelli ose të vjella

Ndjenjë paniku

Kollitje e vështirë

Krizat hipertensive

Shenjat më të shpeshta klinike që ankojnë këta të sëmurë janë :

Dhimbja e kraharorit

Vështirësia në frymëmarrje

Difiçiti neurologjik./Mesazhi/