Numri i të vdekurve në Gaza afër 50.400 pasi ushtria izraelite vrau edhe 42 palestinezë

Të paktën edhe 42 palestinezë janë vrarë nga sulmet ajrore të Izraelit në Rripin e Gazës, duke bërë që numri i viktimave nga lufta gjenocidale e Izraelit nga tetori i vitit 2023, të arrijë në 50.399, ka thënë Ministria palestineze e Shëndetësisë, të martën, transmeton Anadolu.

Ministria njoftoi se edhe 183 persona të plagosur u transferuan në spitale në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të plagosurve nga sulmet izraelite në 114.583.

“Shumë viktima janë ende të bllokuar në mes të rrënojave dhe rrugëve, derisa shpëtimtarët nuk kanë mundësi të arrijnë tek ata”, thuhet në njoftim.

Ushtria izraelite filloi fushatë të befasishme ajrore në Rripin e Gazës më 18 mars, duke vrarë 1.042 njerëz dhe duke lënduar mbi 2.500 të tjerë, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve, e cila u arrit në janar të këtij viti.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu si dhe për ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli, për luftën e tij në enklavë, gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.