Kardinali Xhorxh Pell do të vetdeklarohet i pafajshëm për të gjitha akuzat për sulm seksual. Kështu deklaroi avokati i ministrit të Financave të Vatikanit, i cili u shfaq në një gjykatë në Melburn për një seancë të shkurtër dëgjimore.
Kardinali 76-vjeçar akuzohet për një histori sulmesh seksuale nga shumë paditës, sipas policisë australiane. Ai vetë ka mohuar gjithnjë akuzat dhe këtë bëri edhe gjatë seancës që zgjati më pak se 10 minuta. Gjykata në Melburn vendosi se prokurorët kanë kohë deri më 8 shtator për të përgatitur dosjen me prova, ndërsa seanca e radhës do të zhvillohet më 6 tetor.
Gjyqi i Pell në Melburn ka ngjallur mjaft interes dhe ai u rrethua nga shumë policisë gjatë hyrjes dhe daljes nga gjykata. Pell u zotua se do të mbrojë veten nga këto akuza të rreme dhe ekspertët thonë se jemi në fillim të një procesi të gjatë gjyqësor. Detajet e akuzave nuk janë publikuar ende formalisht, por policia e provincës së Viktorias tha se kishte vendosur të padiste kardinalin pas sugjerimeve nga prokurorët.
Policia tha se Pell përballet me shumë akuza dhe një numër të madh paditësish. Si ministri i Financave të Vatikanit, kardinali Pell konsiderohet si figura e tretë në selinë e shenjtë, e cila vitet e fundit është përballur me shumë skandale të tilla seksuale dhe sipas analistëve ishte vetëm cështje kohe që akuzat të mbërrinin tek majat e saj.