Autoriteti Palestinez (PA) ka theksuar se nuk do të pranojë ndonjë ndryshim në kufirin e vitit 1967 të Kudsit Lindor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Dje, një zyrtar amerikan tha se Washington-i pret që Muri Perëndimor i Qytetit të Vjetër të Kudsit të jetë pjesë e Izraelit.
“Ky qëndrim konfirmon edhe një herë se administrate aktuale e SHBA-ve është bërë krejtësisht jashtë procesit të paqes”, tha Nabil Abu Rudeina, zëdhënësi i Autoritetit Palestinez në një deklaratë të cituar nga agjencia zyrtare e lajmeve WAFA.
Javën e kaluar, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, zyrtarisht e njohu Kudsin si “kryeqytet të Izraelit”, ku si pasojë filluan protesta në territoret palestineze dhe në disa vende arabe dhe muslimane.
Abu Rudeina theksoi se kjo politikë e SHBA-ve “rrjedh kundër legjitimitetit ndërkombëtar dhe e konsolidon pushtimin”.
Kudsi mbetet në zemër të konfliktit Palestinë-Izrael, me palestinezët duke shpresuar që Kudsi Lindor, tani i pushtuar nga Izraeli, mund të shërbejë si kryeqytet i një shteti të ardhshëm palestinez.