Nuk na ndryshon Zoti, derisa të ndryshojmë vetë

Nga: Dr Aid Elkarnij

Është vetë njeriu burim i çdo ndryshimi për mirë apo për keq. Sipas gatishmërisë së tij për tu lartësuar ose për të marrë tatëpjetën, është dhe frymëzimi i Zotit. Kur profetit Muhamed a.s iu shpall Kurani, u prit nga zemra të sinqerta dhe të përmalluara, gjë e cila ua shtoi dhe forcoi besimin. Sakaq, zemrat që e refuzuan, ishin ato të ligat dhe përgënjeshtrueset e çdo të mire, gjë e cila ua shtoi mosbesimin.

Thotë Zoti në Kuran:”Kur shpallet ndonjë sure, disa prej atyre (që kanë dyshim dhe hipokrizi) thonë: “Kujt prej jush do t’ia shtojë besimin kjo sure?” Përsa u përket besimtarëve, atyre (kjo sure) ua shton besimin dhe ata gëzohen. E sa u përket atyre që kanë sëmundje në zemrat e veta, ajo ua shton edhe më dyshimin që kanë dhe ata vdesin si mohues.” (Teube, 124-125)

Popujt që kërkojnë lavdinë, askush nuk mund ti pengojë në rrugën e lavdisë, do të arrijnë atë me krenari, sepse e meritonin. Le të shohim besimtarët në luftën e Bedrit. Ishin vetëm treqind e katërmbëdhjetë burra, por ishin bërthama e këtij umeti, bërthamë e fortë e një umeti të fortë dhe madhështor. Që aty buruan fitoret dhe zgjerimi i territoreve të mëvonshme.

Një umet që i është dorëzuar pasivitetit, që e ka pranuar nënshtrimin madje dhe poshtërimin, nuk mund të ngrejë kokë asnjëherë. Benu Israilët poshtëroheshin dhe persekutoheshin nga faraoni. Ai i kishte skllavëruar shpirtërisht dhe fizikisht. E gjitha kjo, sepse ata shfaqnin gatishmëri të çuditshme për tu skllavëruar dhe poshtëruar. “Kështu, ai e nënçmoi popullin e vet dhe ata iu nënshtruan, sepse ishin vërtet një popull i lig.” (Zuhruf, 54)

Kur profeti Musa a.s i çoi tek toka e shenjtë, ata u zbrapsën sepse nuk e meritonin fitoren dhe lavdinë. Nënshtrimi, poshtërimi dhe persekutimi u kishte depërtuar në çdo qelizë. Prandaj dhe Zoti i ndëshkoi duke i humbur në shkretëtirë për dyzet vite, derisa vdiq dhe u shua brezi i robërisë, brezi i disfatave dhe poshtërimit. Me të lindur brezi i ri, brezi i rezistencës, sfidave dhe krenarisë, e morën tokën e shenjtë.

Çdo shtet apo revolucion, bazohet pikërisht tek heronj të cilët kanë gatishmëri për sakrificë dhe flijim. Ebu Muslim Horasani thoshte:”Liderët e një vendi të fuqishëm, në fillimet e tij janë të guximshëm dhe trima. Shtetet, rrëzohen dhe shuhen vetëm për shkak të dembelëve dhe dështakëve, të cilët kanë gatishmërinë për tu rrëzuar.”

Dinastia omejade u shua nga vetë krerët e saj, nga njerëz të pakujdesshëm dhe qejflinj, si puna e Velid ibnu Jezid, i cili u izolua totalisht nga njerëzit. Gjithë kohën e kalonte i dehur dhe jetonte në luks të shfrenuar, derisa u vra nga kushëriri i tij dhe u dogj në lëkurë gomari.

Dinastia abasite u rrëzua nga brezi kaotik i vetë kësaj dinastie, të cilët nuk dinin gjë tjetër përveç dëfrimit dhe përmbushjes së qejfeve. Elmustasim, kalifi i fundit e abasitëve, gjithë ditën e kalonte duke parë ndeshjen e deshve dhe duke luajtur tavull.

Sakaq, ata që ngritën civilizime, e meritonin këtë status, zhvillim dhe qytetërim. Mos vallë japonezët e arritën zhvillimin dhe teknologjinë e tyre të përparuar, duke vështruar yjet, duke mbajtur në qafë hajmali, duke kërkuar mendimin e fallxhorëve?! Jo miq të dashur! Ata e arritën këtë zhvillim duke përveshur llërët, duke punuar, duke hapur shanse të reja, duke përdorur dhuntitë dhe talentet në shërbim të rilindjes dhe civilizimit, larg dembelizmit, fenomeneve joshëse dhe mashtruese të përmbushjes së shfrenuar të tundimit të instinktit.

Mos vallë Malajzia nën udhëheqjen e Mahadir Muhamed, ka arritur ekonomikisht aty ku ka arritur, sepse i ka kënduar me lahutë lavdisë të parëve të saj dhe historisë së shkuar, apo sepse Mahadir Muhamed vendosi një plan praktik, i cili njihet me emrin “Plani njëzet vjeçar”. Ky plan mund të gjendet dhe lexohet kollaj për këdo që dëshiron të njihet me të. Ky plan, bazohej tek respekti i vlerave, respekti i lirive të tjerëve, ngritja e shtetit institucional, hapja e tregut të punës, kalimi nga teoria në praktikë etj…

Mos vallë Erdogani i Turqisë e ngriti vendin dhe e zhvilloi vendin e tij, duke qëndruar ulur e duke u rrëfyer turqve haberet e gjyshërve të tij, Osmanit të parë, Sulejmanit të madhërishëm, Muhamed Fatihut e shumë të tjerëve? Ky burrë dhe njerëzit që e rrethonin, shtrënguan rripin dhe iu përveshën punës e cila bazohej tek shpirti i konkurrencës, novatorizmit dhe kreativitetit. Ata vendosën plane konkrete dhe amicioze për arsimin, politikën, ekonominë, turizmin etj… Ata formuan grupe pune me njerëzit më të mirë, të cilëve u besuan zbatimin e këtyre planeve dhe projekteve. Këtë vit, Turqia zinte vendin e parë në botë në fushën e turizmit, për nga rregulli, organizimi dhe shërbimet që ofronte. Vlen të dihet se Turqia nuk është vend i naftës apo i gazit.

Nuk mund të pushtohet një vend dhe nuk mund të nënshtrohet një popull, nëse nuk kanë gatishmëri për diçka të tillë. Bota islam në kohën e denigrimit, u sulmua dhe u shkretua nga mongolët barbarë. Por, kur myslimanët brofën në këmbë dhe e refuzuan kolonializmin, ishte koha e triumfit madhështor të Salahudin Ejubit ndaj kryqtarëve në Kuds, Jeruzalem.

Ata që nuk kanë me ç’të krenohen, atyre që u mungon lavdia, nuk kanë përjetuar progres dhe zhvillim, u mungon gatishmëria për tu lartësuar në shkallët e lavdisë. Ata që mendojnë vetëm për vogëlsirat, jetojnë në botën e iluzionit dhe dëfrehen me të shkuarën, nuk vlejnë për të ndërtuar një të ardhme të lavdishme, atyre u mungon kreativiteti dhe ambiciet.

Po të shohim figurat më të shquara të historisë, emëruesi i përbashkët i tyre është vendosmëria, sfidimi, durimi, puna e palodhur… pavarësisht besimit dhe fesë që i përkisnin. Gjithçka ka të bëjë me respektimin e ligjeve të jetës së kësaj bote, kushdo që kërkon gjen, kush mbjell korr. Thotë Zoti në Kuran:”Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa të ndryshojnë gjendjen e tyre.” (Rad, 11)

Prandaj, le t’ia nisë njeriu me veten e tij, le ta ndryshojë atë për mirë, le ta shtojë vullnetin, planifikimin dhe punën. Ai që mendon natë e ditë për suksesin, i bëhet gati dhe përgatitet, patjetër që Zoti do ia plotësojë ëndrrën e tij dhe do i japë sukses. Ai që kërkon të shtojë të mirat materiale, lodhet dhe derdh djersë për të fituar pasurinë me djersën e ballit, Zoti do e furnizojë nga nuk e priste. Kurse ai që shtrihet në krevatin e tij, herë i hap sytë nga njëra faqe muri e herë nga tjetra, duke pritur që ti zbresë inteligjenca dhe gjenialiteti nga tavani, apo ti hyjë dhuntia nga dritarja, është një i sëmurë që duhet trajtuar sa më shpejt.

Prandaj dhe profesionistët kërkojnë që njeriu, fillimisht të ndryshojë botëkuptimin e tij ndaj vetes dhe ndaj jetës. Ata këshillojnë që njeriu të mendojë rreth suksesit, lavdisë, triumfit, paqes, shëndetit, mirëqenies etj… për rrjedhojë, do të vihet në lëvizje për ti garantuar. Ai nuk ka përse të mendojë për dështimin, mbetjen në mësime, prapambetjen, luftën, disfatën, sëmundjen dhe fukarallëkun. Duke menduar për të keqen, e ndjell dhe i dorëzohesh asaj.

Perktheu: Elmaz Fida