Jehona e ngjarjes së Las Vegasit nuk është zbehur ende, por kjo nuk i ndaloi entuziastët e armëve të viheshin në rresht ne Oaks të Pensilvanias për të siguruar hyrjen në panairin më të madh të armëve në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara, Guntoberfest.
Eventi i përvitshëm treditor, mbajtur në qendrën Greater Philadelphia Expo Center, nisi në mesin e thirrjeve për ndalimin e pajisjeve të jashtme që i mundësojnë armëve kthimin në automatike.
Një të tillë përdori dhe Stephen Paddock kur qëlloi pa rreshtur nga dhoma e tij e hotelit, në katin e 32-të, mbi njerëzit e mbledhur në një koncert “crountry”, duke vrarë 58 prej tyre e duke plagosur mbi 500 të tjerë.
Shitës e vizitorë të panairit e mbështesnin nismën, por nuk janë të bindur se kjo lëvizje do ta zgjidhë situatën.
“Nuk mendoj se ka ndonjë legjislacion që mund të miratohej tani e që do t’i ndalonte një njeriu të lig kryerjen e një akti të urryer. Asnjë i tillë nuk do ta bënte dot”, u shpreh Dave Zeller, shitës armësh.
“Unë e përkrah ndalimin e këtyre pajisjeve. Nuk shoh asnjë arsye përse dikush duhet të lejohet t’i mbajë ato, kur praktikisht janë armë lufte”, tha Christine Fewkes, vizitore në panair.
“Do të ketë gjithmonë njerëz që do t’i gjejnë edhe në mënyrë të paligjshme nëse do të duan. Problemi nuk është të nxirren ligje të reja, çështja është të forcohen sa më shumë ato ekzistueset”, tha Paul Poretzky, një tjetër vizitor.
Ndërkohë, në Uashington, liderë fetarë progresistë kërkuan fundin e dhunës së armëve dhe këtë nuk e bënë me fjalë, por me veshje.
Ata vendosën 205 bluza me 205 emra në një rrugë të Feirfeksit, në periferi, bashkë me datën e vdekjes së secilit prej tyre. Vitin e kaluar, 205 persona vdiqën nga dhuna e armëve në këtë zonë.