Para çdo fillim vitit të ri shkollor, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), kërcënon Qeverinë se 1 shtatorin do ta fillojnë me grevë.
Por kësaj radhe kjo Sindikatë për hir të nxënësve ka vendosur që fillimin e vitit të ri shkollor ta fillojnë me proces të rregullt mësimorë. Mirëpo SBAShK thotë se ky veprim i tyre nuk garanton se në pjesën e dytë të muajit shtator nuk do të ketë veprime sindikale.
Në një intervistë për Gazetën Fjala, kreu i kësaj sindikate ka thënë se me anë të këtyre veprimeve mësimdhënësit po kërkojnë nga institucionet e Kosovës që t’iu përmbahen premtimeve që ata i kanë dhënë gjatë fushatës zgjedhore.
Jasharaj thotë se disa herë janë injoruar nga Qeveria për bisedime lidhur me këtë çështje.
“SBASHK-u nuk ka kërkesa vetëm para muajit shtator. Gjatë gjithë kohës ne kemi kërkesa për takime me qeverinë qendrore dhe me qeveritë lokale me qëllim që çështjet të zgjidhen me dialog, por kur institucionet hezitojnë të dialogojnë atëherë SBASHK-u detyrohet të mendojë edhe për veprime sindikale.”, ka thënë Jasharaj, në intervistën dhënë Gazetës Fjala.
Ndër të tjera kreu i SBAShK-u, ka thënë se ka mjaft telashe me zbatimin e Kontratës Kolektive pasi, sipas tij, niveli lokal i pushtetit nuk po i përmbahet asaj.
“Qeveritë lokale nuk e kanë bërë të njëjtën gjë. Ato nuk janë angazhuar për të zgjidhur çështjen e udhëtimit dhe për të dhënë 3 paga të punësuarve në arsim me rastin e pensionimit të tyre”, ka thënë Jasharaj.
Në intervistën dhënë Gazetës Fjala, Jasharaj flet edhe për privilegjet që mësimdhënësit kosovarë kanë, rreziqet me të cilat ata ballafaqohen, se a u ka dalë në fjalë ministri Bajrami për kontratën Kolektive, dhe se përse në çdo fillim të vitit të ri shkollor, mësimdhënësit kosovarë kërkojnë rritje page.