Prokurorja e Apelit Shkodër, Besa Nikëhasani është shkarkuar nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi nuk justifikon pasurinë e saj.
KPK u mblodh sot për të dhënë vendimin final mbi prokuroren Nikëhasani, e cila doli para komisionit Vetting-ut para dy ditëve.
Relatorja e çështjes, Genta Bungo, tha se nga verifikimet e bëra nga Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe Verifikimit të Pasurive (ILDKPI), kishte konstatuar se prokurorja nuk kishte probleme me deklarimin e pasurisë por një hetim i thelluar i KPK-së ka arritur në përfundimin se prokurorja e Shkodrës nuk justifikonte burimin e ligjshëm të dy apartamenteve në Tiranë dhe një në Lezhë, dy garazheve në Tiranë dhe një automjeti.
Vetë Prokurorja tha se pretendimet e Komisionit nuk qëndrojnë, pasi ajo nuk ka fshehur asnjë pasuri, ndërsa pasaktësitë në disa deklarime janë bërë për shkak të disa lapsuseve në vite. Prokurorja u shpreh se dy garazhet i ka deklaruar në 2009, ndërsa shtoi se për makinën ka marrë borxhe. Ajo u shpreh se e bleu fuoristradën, pasi e vjetra iu përplas dy herë, ndërsa shtoi në 2003 i kishin vendosur tritol në makinë.
Besa Nikëhasani ishte prokurorja e parë që u thirr në seancë dëgjimore nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Deri tani Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kaluar në sitë tre gjyqtarë dhe një prokuror ndërkohë që në pritje janë afro 800 gjyqtarë dhe prokurorë në të gjithë vendin, ndërsa nga sistemi janë tërhequr 16 gjyqtarë e prokurorë./a.f/ /a.g/