“Nuk është normale”, Klopp mahnitet nga supergoli i Shaqirit

Xherdan Shaqiri debutoi me fanellën e Liverpool-it në ndeshjen miqësore ndaj Manchester United, të cilën “reds-at” e fituan me rezultatin 4-1. Protagonist në këtë fitore ishte dhe futbollisti me origjinë shqiptare, i cili mahniti të gjithë me supergolin që realizoi duke shtangur portierin dhe të pranishmit.

Trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp, tha se debutimi i Xherdan Shaqirit ishte “jo normal”. Duke reflektuar mbi golin me roveshiatë të Shaqirit, me kurriz nga porta, Klopp u tha gazetarëve:

“Ishte e qartë, kjo nuk është normale, pas katër ditësh në klub. Ai u përshtat mjaft mirë me stilin tonë të lojës. Ne dëshirojmë ta ndihmojmë atë pak me pozicionin, kështu që nuk është shumë e komplikuar.

I kam dhënë shumë liri, luan natyrshëm, plus që tërhiqet dhe na ndihmon mbrapa. Ishte më mirë se unë do të kisha pritur, të jem i sinqertë. Shaqiri, në momentin që nënshkroi, donte të bashkohej menjëherë me Liverpool dhe të stërvitej me ne.

Ishte një javë pasi mbaroi Kampionatin Botëror, kështu që i thashë: Jo, jo, jo. Ai u kthye pak ditë më parë dhe ishte shumë i emocionuar. Për të është një moment shumë i mirë në karrierë, pas një eksperience reale te Bayern Munich, Stoke dhe Inter”./oranews