Ballina Artikuj Nuk është e drejtë e jotja!

Nuk është e drejtë e jotja!

Hoxhë Enis Cakaj

Allahu i Madhëruar, i Cili ka krijuar botën, na ka krijuar ne në formën më të bukur dhe na ka mësuar se si duhet jetuar në të. Për të mos na lënë ta caktojmë me epshet tona të mirën dhe të keqen Ai e caktoi vetë se çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe, na tregoi për to dhe si duhet vepruar apo mosvepruar e pastaj na e dha mundësinë (lirinë) e përzgjedhjes. Mirëpo, nuk duhet harruar se, fakti që ne mund të bëjmë atë që dëshirojmë, nuk domethënë që kemi të drejtë të bëjmë çfarë të dëshirojmë. Kjo mundësi na është dhënë si amanet dhe jo si e drejtë. Të gjithë pajtohemi që nuk është e drejtë e njeriut të vjedhë apo jo? Sigurisht ai ka mundësi të vjedhë, por nuk është e drejtë e tij. Ai e ka tradhtuar amanetin që ia ka besuar Allahu duke mos përzgjedhur atë që kërkohet dhe duke e dëmtuar tjetrin, si rrjedhim për këtë veprim të tij do të gjykohet. Kështu, edhe për çdo veprim tjetër të cilin e ka ndaluar Allahu i Madhëruar, si: kufri (mosbesimi), zinaja me të gjitha llojet e saj, vrasja e të pafajshmëve, pirja e alkoolit, droga, bixhozi, zhveshja etj. Prandaj, është gabim të thuhet është e drejtë imja të bëj këtë e këtë, sepse Allahu më ka krijuar të lirë…, por duhet të thuhet ti ke mundësi të veprosh kështu e ashtu, por nuk është e drejtë jotja të veprosh ashtu. Ti thjesht po dështon në testin e amanetit. Edhe pse kjo që unë po them nuk më jep mua të drejtën që unë të t’i imponoj ty bindjet e mia dhe besimin tim, ashtu qysh nuk është e drejtë jotja të mos besosh, sepse Zoti na ka lënë të lirë dhe përgjegjës për veprimet tona. (“Në fe nuk ka imponim. Është sqaruar e vërteta nga e kota…” Bekare: 256)

Për ta kuptuar më mirë, ja edhe një shembull: Siç është e ditur, kur ndezet drita e kuqe e semaforit, është e ndaluar të kalohet. Ti nuk mund të kalosh duke u arsyetuar është e drejtë imja dhe se unë jam i lirë, apo jo?… Sigurisht, ti mund ta kalosh (sepse nuk të imponon njeri), por pastaj të pret përgjegjësia, pasojat dhe dënimi i atij veprimi.

Praktikisht mund ta bësh, por ligjërisht jo.

Ndoshta dikush pyet: Po përse atëherë na është dhënë mundësia të bëjmë diçka kur nuk nuk lejohet?! Sepse kjo i përshtatet natyrës së njeriut të cilin Allahu e nderoi me mendje. Ai ka dëshiruar që të dëgjojmë Atë me dëshirë e jo me zinxhirë.

Te semafori ka qenë mundësia të bëhet një pengesë e të mos ketë mundësi të kalojë edhe ai që nuk e respekton ligjin, por nuk është e përshtatshme për njeriun, ngase njeriut të mençur mjafton t’i thuash ndalu kur të shohësh shenjën e kuqe të semaforit, se kështu është në dobinë tënde dhe të të tjerëve dhe ai pastaj të ndalet. Është e patjetërsueshme nevoja e përgjegjësisë dhe e ndëshkimit për ata që nuk “dinë”, nuk duan t’i respektojnë kufijtë.

Mos të harrojmë se ne jemi robër të Zotit, se jetojmë në pronën (tokën) e Tij dhe se duhet jetuar si do Ai. Është prej edukatës që në pronën e tjetrit mos të bëjmë veprime pa lejen e pronarit, sepse nuk kemi të drejtë edhe nëse kemi mundësi.

Sa bukur na e kujton Allahu i Madhëruar këtë në Kuran:

“O robërit e Mi që besuat, (po na e kujton robër të kujt jemi)

toka Ime është e gjerë, (po na e kujton ku po jetojmë)

pra vetëm Mua më adhuroni. (po na e kujton si të jetojmë)

Secili njeri do ta shijojë vdekjen, e pastaj do të ktheheni te Ne. (po na e kujton se tek Ai do të shkojmë, pastaj llogarinë dhe përgjegjësinë)

E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, atyre do t’u bëjmë vend të lartë në Xhenet, në të cilin rrjedhin lumenj, aty janë përgjithmonë; sa i mirë është shpërblimi për ata që vepruan.” (Ankebut: 56-58) (po na e kujton shpërblimin nëse e dëgjojmë dhe jetojmë si do Ai)

Shpeshherë po luhet me termin “të drejtat e njeriut” dhe me të po justifikohen shumë anomali dhe shfrenime … Atyre do të duhej t’u thuhet se ju keni mundësi për t’i përzgjedhur ato devijime (mund të hyni në  të kuqen), por nuk është e drejtë, ju mund të thoni 1 + 1 = 10, por kjo nuk është e drejtë (e vërtetë).

E drejta është nga Zoti dhe secili jemi përgjegjës para Tij se a i kemi përzgjedhur mësimet e Tij të drejta apo kemi ndjekur epshet tona.

“E ti thuaj: ‘E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Ne kemi përgatitur për zullumqarët zjarr që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përzhit fytyrat. E shëmtuar është ajo pije, e vend i keq është ai.’ E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, s’ka dyshim se Ne nuk ia humbim shpërblimin atij që është bamirës. Të tillët e kanë vendin në Xhenetin e Adnit…”  (Kehf: 29-31)

Përkthyer dhe përshtatur nga arabishtja
Nga: Hoxhë Enis Cakaj

Exit mobile version