“Nuk do të lejojmë asnjë tradhtar të veshë uniformën e lavdishme të Forcave të Armatosura Turke”

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, tha se më 15 korrik u krye një tradhëti e paparë, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke theksuar se lufta kundër organizatës terroriste FETO dhe kundër organizatave të tjera terroriste vazhdon me vendosmëri, Akar u shpreh se më 15 korrik u zhvillua një tradhti e paparë.

“Më 15 korrik u zhvillua një tradhti e paparë kundër kombit tonë fisnik, shtetit tonë, demokracisë sonë dhe Forcave të Armatosura Turke. Nën udhëheqjen politike të presidentit të nderuar, ushtarët, civilët e moshës 7 deri në 70 vjeç, të bashkuar në një trup, kundërshtuan përpjekjen për grusht shteti”, tha Akar.

Ministri turk i Mbrojtjes tha se në luftën kundër FETO-s, deri më tani 20.077 terroristë janë larguar nga ushtria dhe 1.243 personave u janë hequr gradat e tyre.

“Ne nuk do të lejojmë asnjë tradhtar të veshë uniformën e lavdishme të Forcave të Armatosura Turke, ne jemi të vendosur në këtë drejtim”, theksoi Akar.

Duke folur për operacionin “Kthetra-Tigri” i cili është në zhvillim e sipër në ditën e tij të 28-të, Akar tha se operacioni vazhdon me sukses dhe se deri më tani janë neutralizuar 62 terroristë.

Akar drejtoi një video-konferencë ku morën pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Yaşar Güler, Komandanti i Forcave Tokësore, Gjeneral Ümit Dündar, Komandanti i Forcave Ajrore, Gjeneral Hasan Küçükakyüz, Komandanti i Forcave Detare, Admiral Adnan Özbal, si dhe zv/ministrat.

“Fryma e komandove tona heroike është në qafën e tradhtarëve”

Duke theksuar se aktivitetet antiterroriste do të vazhdojnë me vendosmëri derisa të neutralizohet terroristi i fundit, Akar theksoi se “më 15 qershor, me operacionin ‘Kthetra-Shqiponja’ u shkatërruan 81 pozicione terroriste në gjashtë rajone”.

Ministri turk tha se pas këtij operacioni, më 16 qershor filloi operacioni “Kthetra-Tigri”, për të cilin tha se vazhdon me shumë sukses dhe heroizëm nga ushtarët turq.

“Operacioni ‘Kthetra-Tigri’, i cili hyri në ditën e tij të 28-të, vazhdon me sukses. Qëllimi ynë është të garantojmë sigurinë e popullit tonë dhe kufijve tanë dhe të neutralizojmë plotësisht elementet terroriste në rajon. Deri më tani, 62 terroristë janë neutralizuar në Operacionin ‘Kthetra-Tigri’. Fryma e komandove tona heroike është në qafën e tradhtarëve”, tha Ministri Akar.

“Dënojmë fuqishëm sulmin armen”

Ministri turk dënoi sulmin e forcave armene në rajonin kufitar Tovuz në territorin e Azerbajxhanit.

“Ne e dënojmë fuqishëm sulmin armen në rajonin Tovuz të Azerbajxhanit. Lutemi për mëshirën e Zotit për të vdekurit dhe shërimin e shpejtë të vëllezërve tanë të plagosur. Ne dërguam ngushëllimet tona për popullin e Azerbajxhanit. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë forcave të armatosura të Azerbajxhanit kundër Armenisë, e cila ka pushtuar ilegalisht Karabanin e Epërm dhe ka treguar një qëndrim agresiv për vite me rradhë. Ne gjithashtu do të bëjmë çmos për të mbështetur vëllezërit tanë në Azerbajxhan, të cilët i pranojmë si ‘një komb, dy shtete’,” tha Akar.