Nora Gjakova fiton medaljen e artë në Grand Slamin e Tbilisit

Nora Gjakova doli triumfuese nga Grand Slami i Tiblisit.

Xhudistja kosovare, Nora Gjakova ka fituar medaljen e artë në Grand Slamin e Tiblisit në Gjeorgji, shkruan lajmi.net.

Gjakova në raundin e tretë mposhti me IPPON, xhudisten nga Austria, Sabrina Filzmoser, ndërsa më pas edhe serben Marica Perisic në çerekfinale.

Rrugën në finale Nora e siguroi pasi mposhti me IPPON sllovenen, Kaja Kajzer.

E në finale, 28 vjeçarja u tregua më e suksesshme se garuesja nga Gjeorgjia, Eteri Liparteliani, duke fituar kështu edhe pikë olimpike.

Kosova po përfaqësohet në këtë Grand Slam me katër garues.

Nesër do të paraqiten edhe Akil Gjakova dhe Laura Fazliu, kurse të dielën Loriana Kuka.