Nji prej punëve të tij ma të vyera (bashkë me Jani Vreton dhe Pashko Vasën) për sa i takon çështjes kombëtare ishte “Alfabetarja e gjuhësë shqip”, që u botua në Stamboll në vitin 1879, pas miratimit të alfabetit nga Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip. Në të përfshiheshin shkrime rreth gjuhës shqipe, origjinës dhe historisë së shqiptarëve, rreth gjeografisë së Shqipërisë dhe të botës, rreth moralit dhe njohuri bazike mbi aritmetikën.
Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë
Nji prej aspekteve ma të randësishëm të jetës së rilindësve është fakti se pjesën ma të madhe të veprimtarisë së tyre krijuese ia kushtuan çështjes kombëtare, duke heqë dorë kështu nga krijimtaria e lirë, që në vetvete është e përbotshme dhe i drejtohet njeriut si të tillë, përtej çdo dallimi. Pra, rilindësit vendosën me iu drejtu ma shumë shqiptarit me veprat e tyre. Të tillë e gjykuan gjendjen në atë periudhë aq të vështirë, ku u kërcënu vetë ekzistenca e kombit dhe e shtetit shqiptar.
Prandaj, duke marrë parasysh ndryshimet e mëdha që po ndodhnin vrullshëm (rania e perandorive dhe lindja e shtetit modern), për ta ishte pothuajse e pakapërdishme me u marrë me krijimtari të lirë e mos me i shërby çështjes kombëtare. Në terminologjinë e sotme, krijimtaria e tyre ishte nji krijimtari e angazhuar, me koston që çdo krijimtari e angazhuar nuk mundet me qenë e përbotshme, sepse vepra e tyre iu drejtua shqiptarit të asaj kohe, që të zgjohej e të vetëdijesohej për randësinë e situatës.
Pra, ata e dinin se vepra e tyre “rrezikonte” me shërby vetëm për nji kohë dhe hapësirë të caktuar, e prapëseprapë ata nuk u tërhoqën. Edhe kjo është nji sakrificë më vete, por këtë e kupton siç duhet vetëm nji krijues, pikërisht se çfarë don me thanë me e vu veprën në shërbim të nji çështjeje konkrete, qoftë kjo edhe kombëtare.
Nji ndër këta ishte edhe Sami Frashëri, që la vepra në disa fusha të ndryshme të dijes, çka dëshmon se mund ta quajmë edhe dijetar.
Nji prej punëve të tij ma të vyera (bashkë me Jani Vreton dhe Pashko Vasën) për sa i takon çështjes kombëtare ishte “Alfabetarja e gjuhësë shqip”, që u botua në Stamboll në vitin 1879, pas miratimit të alfabetit nga Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip. Në të përfshiheshin shkrime rreth gjuhës shqipe, origjinës dhe historisë së shqiptarëve, rreth gjeografisë së Shqipërisë dhe të botës, rreth moralit dhe njohuri bazike mbi aritmetikën. Kjo abetare kishte 136 faqe dhe doli me nji tirazh prej 20.000 kopjesh, nji numër shumë i madh për atë kohë. Qëllimi ishte që ajo të shpërndahej jo vetëm nëpër trojet shqiptare, por edhe ma gjanë.
Ndër të tjera, Sami Frashëri ka thanë se “mendimet e larta gjenden në fjalë të shkurtra”, dhe nji ndër këto thanie të shkurtra të tij është edhe: “Mësimi më i madh në këtë botë është vështirësia; nuk ka sukses ai që nuk has në vështirësi.”
E nji prej këtyre vështirësive është edhe çështja që trajtuam më sipër: fakti që ata të cilët ne i njohim si rilindës, veçmas në periudhën para pavarësisë, u tërhoqën nga krijimtaria e lirë e tyre për me u marrë me krijimtari të angazhuar mbas çështjes kombëtare.
Këtu vijmë edhe te nji mesazh kyç për ne sot: pa vështirësi nuk mund të arrijmë asgja të qenësishme. Mbase ky është virusi kryesor nga i cili jemi prekur në këtë kohë: lehtësia.
Vetë ardhja e njeriut në këtë jetë është nji vështirësi më vete. “Njeriu lind mes gjakut, dhimbjes dhe britmave, dhe gjaja e parë që dëgjohet është e qara e tij. Lindja nuk është nji akt natyral në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por nji akt i dhimbshëm, i vështirë dhe zemërthyer. A nuk zbulon kjo diçka për realitetin e jetës që sapo është krijuar?” (Izetbegoviq)
E tillë ishte edhe përpjekja e rilindësve për krijimin e shtetit shqiptar, që u ba realitet në vitin 1912. U shoqërua me gjak, dhimbje, privim, braktisje, durim, djersë e lot. E si mund të ishte ndryshe?!
Ndërsa ne sot, krejt këtë që e quajmë lehtësisht shtet shqiptar e marrim si të mirëqenë, sikur kështu ka qenë e do të jetë gjithmonë.
Pavarësia nuk është diçka që quhet e kryer me shpallje, deklarata ose ngritje flamuri, por nji përpjekje e përhershme për me u pavarësu nga gjithçka që pengon përmbushjen tonë ontologjike, fillimisht në rrafsh individual, mandej edhe si bashkësi. /revistashenja