Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Njësitë holandeze të sigurisë të shqetësuara nga ndikimi iz’raelit në politikën e...

Njësitë holandeze të sigurisë të shqetësuara nga ndikimi iz’raelit në politikën e brendshme

Njësitë e sigurisë në Holandë kanë shprehur pakënaqësi për përpjekjet e Izraelit për të ndikuar dhe ndërhyrë në çështjet politike të vendit, transmeton Anadolu.

Ministria e Çështjeve të Diasporës dhe e Luftimit të Antisemitizmit e Izraelit i ka dërguar një “raport të posaçëm” anëtarëve të parlamentit holandez përpara një sesioni ku u diskutuan incidentet e dhunshme të iniciuara nga mbështetësit e klubit të futbollit Maccabi me bazë në Amsterdam, sipas një lajmi të botuar të premten nga gazeta e njohur holandeze “De Volkskrant”.

Raporti izraelit pretendonte se organizata të lidhura holandeze ishin të përfshira në këto incidente dhe ishin pro Hamasit.

Ministri holandez i Drejtësisë dhe i Sigurisë David van Weel ka konfirmuar ekzistencën e raportit izraelit, raportoi De Volkskrant.

Duke përdorur raportin e Izraelit, Chris Stoffer, një deputet nga Partia Politike e Reformuar (SGP), propozoi një mocion për të përcaktuar organizatat holandeze që Izraeli i ka etiketuar si pro Hamasit si organizata terroriste dhe t’i shtojë ato në një listë sanksionesh, tha De Volkskrant.

Burime të rangut të lartë brenda njësive ministrore holandeze të sigurisë thuhet se e kanë përshkruar ndërhyrjen e Izraelit në politikën holandeze si “të padëshirueshme”, raportoi gazeta.

Në një intervistë me gazetën “De Telegraaf”, ministri i Çështjeve të Diasporës dhe i Luftimit të Antisemitizmit i Izraelit, Amichai Chikli, ka thënë: “Ky rrjet terrorist duhet të çmontohet. Autoritetet holandeze duhet të marrin masa ligjore dhe ekonomike kundër shkelësve dhe, siç sugjeroi Geert Wilders, të dëbojnë të përfshirët”.

Duke pasur parasysh qëndrimin proizraelit të qeverisë, dy zyrtarë të lartë që kanë folur për të përditshmen në kushte anonimiteti, kanë zbuluar se raporti ka ngjallur shqetësime në nivelet më të larta të burokracisë.

“Roli i ministrisë është të identifikojë dhe të luftojë antisemitizmin. Ky raport nga Izraeli përmbush këtë mision. Ne mbështesim plotësisht hetimin që po zhvillohet në Holandë”, tha gazeta, duke cituar të ketë thënë ambasadori izraelit në Holandë Modi Ephraim.

Exit mobile version