Kaptina el-Bekare (30-33).
30. Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë”, ata thanë: “A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të, ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini”.
31. Allahu ia mësoi Ademit emrat e çdo gjëje, pastaj ua paraqiti engjëjve dhe u tha: “Më tregoni emrat e tyre, nëse ajo që thoni është e vërtetë!”
32. “Qofsh i lavdëruar! – thanë ata – Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Në të vërtetë, Ti je i Gjithëdituri, i Urti.”
33. “O Adem, – tha Ai – ua trego atyre emrat e gjërave!” Kur ai ua tregoi emrat e tyre, Allahu tha: “A nuk ju kam thënë se vetëm Unë i di fshehtësitë e qiellit e të Tokës dhe vetëm Unë e di çfarë tregoni haptazi dhe çfarë fshihni?!”
Elementin e tretë qe përmban feja, është shpjegimi i origjinës, filozofisë së jetës dhe ekzistencës.
Me këtë element të fesë nënkuptohet rrëfimi për zanafillen e ekzistencës, që ka një inspirim dhe interpretim në konotacion të përjetshëm, që shpjegon origjinën e ekzistencës, kuptimin e jetës dhe fatin e saj. Ky narracion është shumë i rëndësishem, sepse feja para se gjithash është një kërkim i kuptimit të ekzistencës dhe jetës.
Poezia e Ilija Ebu Madit është shembull i kësaj prirje njerëzore për të ditë filozofinë e jetës dhe ekzistencës:
Erdha duke mos ditur nga… por erdha
Para vetës pash një rrugë dhe eca…
Do të vazhdoj të ec, desha apo s’desha…
Si erdha, rrugën si e gjeta? Nuk e di…
E gjatë apo e shkurtër është kjo rrugë? Nuk e di…
Ecë unë, apo shtegu ecën me mua? Nuk e di…
Po shkojmë të dy dhe përjetësia me ne? Nuk e di…
Nuk e di, e pse nuk e di? Sepse nuk e di.
Shpresoj një ditë ta di, por edhe ketë nuk e di.
Besimi fetar/doktrina e monoteizmit bazohet në dy ligje të logjikës: ligjin e shkakut dhe ligjin e finalitetit.
Ligji i shkakut: d.m.th. çdo gjë ka një shkak (për çdo veprim ka një veprues). Nëse themi se besojmë në ligjet që drejtojnë këtë univers dhe se çdo veprim ka një shkak, dhe ne i kemi ndërtuar të gjitha shkencat ekzakte mbi këtë bazë të ligjit të shkakut, atëherë pse nuk besojmë se i gjithë ky univers ka një shkak?
Ligji i Finalitetit: Çdo gjë ka një qëllim. Ne e dimë përmes ekstrapolimit të grimcave të këtij krijimi, në veten tonë, rreth nesh, dhe në horizontet që ne i mendojmë, se të gjitha pjesët e këtij krijimi kanë qëllime. Për shembull: Pse ekziston syri? Për ta parë natyrisht. Pse syri është i pranishëm në fytyrë dhe jo në këmbë, për shembull? Sepse funksioni i tij nuk përmbushet sikur ai të ishte në këtë vend, dhe kështu me radhë …
Nuk ka gjë në këtë botë veçse ka një qëllim, dhe nëse themi se çdo pjesë e trupit ka një qëllim, pse themi se i gjithë trupi nuk ka qëllim? Pra njeriu si tërësi është krijuar për një qëllim?
Pra: ligji i shkakut dhe ligji i finalitetit – janë ligjet më të rëndësishme të logjikës – që na shpjegojnë origjinën e fesë nga pikëpamja racionale. Sa i përket lidhjes emocionale me përjetësinë, ajo shpjegon origjinën e fesë nga pikëpamja shpirtërore dhe emocionale.
Prandaj, qëllimi i ekzistencës sonë është çështje “doktrinale” në një farë mënyre, domethënë është në qendër të fesë dhe besimit tonë. Fjala akide që rrjedh nga folja “kontratë” vlen plotësisht për besimin tonë, se për çfarë jemi krijuar?! Pra këtu qëndron gjithë “kompleksi i çështjes.” E gjithë jeta jonë në planetin Tokë varet nga ajo që do të bëjmë në të, dhe çfarë do të bëjmë ne të, varet në një mënyrë ose tjetër nga besimi se cili është roli ynë në këtë botë…
Nga Hoxhë Halil Avdulli