Tregon Ebu Hurejra r.a.: I Dërguari i Allahut. ka thënë: “Allahu thotë: “I Shpall luftë atij që shfaq armiqësi (keqdashje) ndaj një besimtari (mik) të përkushtuar ndaj Meje. Veprat më të dashura me të cilat robi Im më afrohet Mua, janë ato nga të cilat Unë ia kam detyruar atij, ndërkohë robi Im më afrohet vazhdimisht Mua duke kryer vepra vullnetare (nafile), derisa Unë ta dua atë, pastaj Unë bëhem shqisa e tij e të dëgjuarit me të cilën ai dëgjon, shqisa e tij e të pamit me të cilën ai sheh, dora e tij me të cilën ai godet, këmba e tij me të cilën ai ecën; nëse ai më kërkon Mua diçka, Unë do t’ia jap; nëse ai kërkon mbrojtjen Time, Unë do ta mbroj atë dhe Unë nuk ngurroj për asnjë punë sa ngurroj të marr shpirtin e një besimtari, pasi ai e urren vdekjen dhe Unë urrej ta zhgënjej atë”.(1)
Fjalët e panjohura
Fjala adhentuhu ka kuptimin e shpalljes apo lajmërimit. në hadithin bazë ka kuptimin e shpalljes dhe paralajmërimit për luftë, d.m.th. i kam shpallur luftë, ndëshkim, goditje, mposhtje dhe përbuzje. fjala ennevafilu ka kuptimin e diçkaje që shtohet apo bëhet më tepër sesa është e mjaftueshme. njëjësi i saj është neflun-nafiletun. Diçka që bëhet apo shtohet jashtë pesë kohëve të namazit, siç është kijamul-lejli – Falja gjatë natës, ose agjërimi vullnetar, bamirësia jashtë zekatit ose Umreja jashtë haxhit. Pra, falje, agjërim, mirësi veç atyre që janë të detyruara për besimtarin. fjala jetekarrebu d.m.th. kërkon që vazhdimisht të afrohet me Zotin e Tij, me besim dhe nënshtrim. nocioni Velij shumësi Evlija ka kuptimin e të dashurit, mikut, të afërmit, mbështetësit, ndihmuesit. Evlija konsiderohet ai që ka dy në vete cilësi: Besimin dhe Devotshmërinë. Këtë e bazojmë në ajetin e Kur’anit:Nuk ka fare dyshim! Me të vërtetë për Miqtë e Allahut (evliatë) as frikë nuk do të ketë mbi ta, as nuk do të pikëllohen. Të cilët besuan dhe ishin të ruajtur (gjithnjë patën frikë Allahun)”. (Junus, 62-63). Pra, evlia është njeriu i zakonshëm, besimtar i përkushtuar, i devotshëm, i përpiktë. Ai nuk është i inspiruar dhe nuk ka gjasa të dijë se vetë është evlia. në çdo kohë ka njerëz të tillë, por ne nuk mund t’i saktësojmë se cilët janë ata, sepse çështja e evliasë është në brendësi të zemrës e jo tek gjymtyrët.
Ky nocion është edhe prej emrave të Allahut xh.sh. që ka kuptimin El-Velijju – Mbrojtës i besimtarëve.
Fjala ada ka kuptimin e armiqësisë, urrejtjes së tepruar, keqdashjeve apo armiqësi e dyanshme me konkurrencë të pamoralshme në armiqësi, vetëm e vetëm sepse i takon një tabori tjetër. P.sh. injoranti urren dijetarin; bidatçiu urren praktikuesin e Synetit; mëkatari urren njeriun e drejtë e të devotshëm; pabesimtarët urrejnë besimtarët. Dhe kështu urrejtësit, ziliqarët nuk zgjedhin metodë për t’i luftuar dhe shqetësuar njerëzit e drejtë dhe të devotshëm.
Shkalla e hadithit
Dijetarët e hadithit këtë hadith e kanë konsideruar prej haditheve autentike të vetmuara në transmetim të Buhariut. Asnjë prej koleksionuesve autentikë dhe të mesëm nuk e kishte transmetuar, përveç Buhariut. Pra, nuk e kanë transmetuar Muslimi në Sahih, Tirmidhiu, Ebu Davudi, Ibn Maxhe, nesaiu. Rruga transmetuese e Buhariut konsiderohet më autentikja që ekziston. Ibn Rexhepi thotë: “ky është hadithi më me vlerë që thekson evliatë – njerëzit, miqtë e dashur”.
Shpjegimi i hadithit
Në këndvështrimin e këtij hadithi shohim se devotshmëria ndryshon nga një person te tjetri. Ajo ka ngritje dhe zbritje. Shkallët e devotshmërisë janë të ndryshme. Shkalla më e ultë e devotshmërisë është të kryerit e detyrimeve dhe braktisja e ndalesave. Shkalla e mesme e devotshmërisë është droja ndaj Allahut xh.sh. që nënkupton shtimin e veprave të pëlqyeshme dhe largimi nga gjërat e urryera dhe të dyshimta. Shkalla më e lartë e devotshmërisë (takvasë) është përmbajtja moslakmia apo asketizmi që nënkupton shtim në veprat e mëparshme të mira, njëkohësisht duke braktisur gjëra të lejueshme nga frika se po rrëshqet në gjëra të urryera dhe të dyshimta. Apo të gëzosh aq sa është e domosdoshme prej kënaqësive të kësaj bote, që janë të lejuara. Të përmbajturit nga gjërat e ndaluara është detyrim, ndërsa moslakmia dhe largimi nga gjërat e urryera dhe të dyshimta është i pëlqyeshëm. në këtë kontekst kemi thënien e Resulullahit a.s.: “Përmbaju në këtë botë – mos lakmo, që të të dojë Allahu dhe përmbaju nga ajo që është në duart e njerëzve (që posedojnë ata) që të të dojë ata”.(2) Disa të tjerë kanë thënë: “Me të përmbajturit nënkuptohet: të mos ndiesh keqardhje nga ajo që të ka kaluar dhe të mos bëjë përshtypje me atë që e fiton prej të mirave të kësaj bote”.(3) është pyetur Resulullahi a.s. se cili është më asketi në këtë botë: Ai u përgjigj: “Është ai që nuk e harron varrin, që nuk e tepron me bukuritë e kësaj bote, që e ka prioritet ahiretin ndaj dynjasë, që nuk e llogaritë të nesërmen si ditë të tij dhe veten e konsideron të vdekur”.(4)
Bazuar në hadithin bazë, ashtu siç besimi dhe devotshmëria janë të shkallëve të ndryshme edhe çështja e evliasë –miqësia me Allahun është i shkallëve të ndryshme.
Mik i Allahut mund të bëhesh në dy mënyra, bazuar në thënien e Resulullahit a.s.
E Para: Miqësia përmes kryerjes së detyrimeve që përfshinë kryerjen e detyrimeve, braktisjen e ndalesave, ngase krejt këto bëjnë pjesë në farzet e Allahut që i bëri detyrim për robërit e Tij. E kryerja e këtyre obligimeve janë prej cilësive që i posedojnë të djathtit apo banorët e Xhenetit. kryerja e obligimeve është gjëja më e vlefshme me të cilat afrohemi dhe miqësohemi me Allahun e Lartësuar.
E dyta: Pas kryerjes së detyrimeve – farzeve, miqësohemi me Allahun përmes kryerjes së veprave vullnetare për të cilat ka tekste nga Kur’ani dhe Suneti dhe janë vepra humane në dobi të njerëzimit. E çdo pretendim për miqësi me Allahun, përpos me nënshtrim dhe respekt të Tij është i përgënjeshtruar.
Një pretendim të kotë mund ta hasim edhe te të krishterët dhe jehudët, të cilët edhe pse kishin persekutuar pejgamberë, i kishin përgënjeshtruar, kishin bërë falsifikime, pretendonin miqësinë e rreme me Allahun. Këtë e përshkruan Kur’ani “Ne jemi bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij”. (El Maide, 18)(5)
Kjo është gënjeshtër e kulluar e tyre pas gjithë mëkateve që kanë kultivuar.
Si shfaqet armiqësia ndaj miqve të Allahut
Në hadithin bazë shihet një kërcënim i rreptë i Allahut xh.sh. ndaj atyre që shfaqin armiqësi dhe keqdashje kundër miqve dhe të dashurve të Tij. ky kërcënim është për të mbrojtur besimtarin për shkak se është i devotshëm dhe i përmbajtur, e jo për çështje të kësaj bote, se është i pasur apo me famë. Ai i cili shfaq armiqësi ndaj mikut të Allahut –evliasë vetëm se është mik i Allahut, në të vërtetë ai ka shfaqur armiqësi ndaj Allahut përmes armiqësisë ndaj atyre që e përkrahin, e ndihmojnë, e zhvillojnë fenë e Tij. Mu për këtë ata meritojnë luftë nga Allahu fuqiplotë.
Këtu shtrohet pyetja, nëse lufta zhvillohet mes dy palëve (mikut dhe armikut të Allahut), atëherë si është lufta në mes Allahut dhe robit të Tij.
Kësaj pyetjeje i është përgjigjur Imam Ibn haxheri i cili thotë: “në hadith është një kërcënim i rreptë, ngase kush i shpallë luftë Allahut është i shkatërruar, e kjo është një elokuencë metaforike, ngase kush e urren mikun e Allahut, Allahu atë e kundërshton, e kë e kundërshton Allahu atë e ka armiqësuar, e kë e ka armiqësuar e ka shkatërruar. Derisa kjo është në kontekst të armiqësisë, kjo vlen edhe në raport të dashurisë. kush i do miqtë –evliatë e Allahut dhe Allahu ata i do dhe i respekton”.(6) Armiqësia ndodhë në mes dy palëve, në mes mikut të Allahut dhe kundërshtarit të tij. Por, miku i Allahut nuk armiqësohet me njerëzit për çështje të kësaj bote, ai armiqësohet për hir të Allahut, urren për hir të Allahut dhe e do ndokënd për hir të Allahut. E kjo është shkalla më e lartë e besimit. në këtë kontekst Resulullahi a.s. thotë: “E ka besimin e plotë ai që dashuron, urren, jep dhe pengon vetëm për hir të Allahut”.(7). Luftën që Allahu i shfaq kundërshtarit nuk do të thotë se nuk i jep afat. Resulullahi a.s.thotë: “Vërtet Allahu i jep afat dhe kohë mizorit, e kur ta godet më nuk shpëton”.(8) E kur Allahu dëshiron t’i godasë zullumqarët, i mbizotëron me ushtrinë e Tij. Ai thotë: “Dhe të Allahut janë ushtritë e qiejve dhe të tokës”. (El Fet’h, 7).
Gjithçka në qiej dhe në tokë janë ushtri e Allahut, me dëshirë dhe pa dëshirë, me zgjedhje dhe me imponim, nga ata që hetohen dhe që nuk hetohen. Uji, i cili e fundosi popullin e Nuhit dhe faraonin me ushtrinë e tij, është vetëm një ushtar prej ushtarëve të Allahut. krisma e madhe që shkatërroi popullin e Themudit është prej ushtarëve të Allahut. Era, e cila e shkatërroi popullin e Adit është prej ushtarëve të Allahut. Bile edhe mikrobet dhe viruset të cilët janë prezentë në shoqëri për shkak të martesave GAY (martesë mes gjinive të njëjta), prostitucionit, AIDS-sidës, sifilizit, ngrënies së mishit të derrit AINI, për shkak të ngrënies së cofëtinave A1h1, e që shkaktojnë sëmundje, janë ushtri prej ushtrive të Allahut xh.sh. nëse shtetet me superfuqi nuk i godasin shtetet e vogla armike drejtpërdrejt për shkak të rrethanave, nuk do të thotë se ata nuk i godasin e ekonomikisht, financiarisht, me politikë pushtuese, me grushtet me nënçmim dhe poshtërim. Atëherë ku po mbetet fuqia e Allahut e cila është e pakrahasueshme me çdo fuqi tjetër. Allahu xh.sh. thotë: “Ata nuk e çmuan Allahun me atë madhështinë që i takon, ndërsa në Ditën e Kiametit e gjithë toka do të jetë në grushtin e Tij dhe qiejt të mbështjellë në Dorën e Tij të Djathtë (Ez-Zumer, 67).
Dijetari Et-Tufij thotë: “Përderisa miku i Allahut e fitoi miqësinë me nënshtrim dhe devotshmëri, Allahu atë e mori nën përkujdesje dhe mbrojtje. kështu Allahu e bëri traditë që armiku i armikut është mik, e miku i armikut është armik. Atëherë armiku i mikut të Allahut është armik i Allahut. E ai i cili e armiqëson mikun e Allahut është sikur ta luftojë atë, e kush e lufton atë është sikur ta luftojë Allahun”.(9) në anën tjetër Allahu xh.sh. thotë: “Mos i bëni armiqtë e Mi dhe armiqtë e tuaj miq e shokë”. (El Mumtehine, 1)
Duhet ta dijë njeriu se çdo mëkat i tij është luftë dhe armiqësi ndaj Allahut xh.sh. Ti njeri a ke forcë për ta luftuar Allahun? E ai që bën mëkat i ka shfaqur luftë Allahut. E sa më i vrazhdë të jetë mëkati aq më e vështirë do të jetë lufta. Mu për këtë Allahu xh.sh. ngrënësit e kamatës dhe plaçkitësit e udhëtarëve-cubat i ka quajtur njerëz që i kanë shpallë luftë Allahut dhe të Dërguarit të Tij për shkak të zullumit të madh që i bëhet njerëzve, për shkak të çrregullimit që i bëjnë shtetit. E në këtë grup i ka radhitur edhe armiqtë që shfaqin keqdashje ndaj miqve të Allahut. Se vërtet Allahu e ka marrë për sipër mbrojtjen, dashurinë dhe përkrahjen e miqve evlijave të Tij ndaj çdo armiqësie që i shfaqet. Allahu xh.sh. kur i foli drejtpërdrejtë Musait a.s. i tha: “Dije se kushdo që e përbuzë, e shqetëson një mik Timin, me këtë ai më ka shpallur Mua dyluftim, më ka armiqësuar Mua, veten e tij e ka vënë në rrezik dhe Mua më ka ftuar për ta luftuar atë. Dhe vërtet Unë jam më i shpejti për t’i ndihmuar miqtë e Mi – evliatë; A mendon ai që më ka shpallur Mua luftë se mund të më luftojë? A mendon ai i cili më armiqëson Mua se më bën të paaftë të reagoj? Apo mendon ai i cili del në dyluftim se është më i shpejtë se Unë?”(10). këtu duhet të ndalet njeriu e të mendojë se vetja dhe çështjet e tij janë në duart e Allahut xh.sh., e ai njeriu është vetëm një krijesë e vogël e robëruar që është në grusht të Allahut. Andaj Pushtetmbajtësi ynë na ka paralajmëruar dhe na ka tërhequr vërejtjen, e me këtë i ka paraprirë justifikimi i Tij paralajmërimit tonë, për pasojat që merr përsipër njeriu nëse devijon nga e vërteta.
Veprat më të dashura me të cilat robi i Im më afrohet Mua
Vetë shprehja e hadithit bazë tregon se në rang të parë janë detyrimet – farzet, ku përmes tyre gjithnjë jemi më afër krijuesit. kryerja e tyre me përpikëri dhe sinqeritet është prej veprave më të dashura dhe më të vlefshme. në to është mëshira, kënaqësia dhe afërsia e Allahut. në këtë kontekst Allahu xh.sh. thotë: “Bjer në sexhde (me fytyrë në tokë) dhe afroju sa më shumë (Allahut)”. (El Alek, 19) Prej detyrimeve më të mëdha dhe efikase të trupit që e afron me Zotin është namazi. Resulullahi a.s. thotë: “Robi më së afërmi është me Zotin kur ai është në sexhde”.(11) në një hadith tjetër thotë: “Kur ndonjëri prej jush është duke u falur vërtet ai i lutet Zotit, e Zoti i tij është në mes tij dhe Kibles”.(12) ky hadith tregon për vlerën e jashtëzakonshme të namazit. Ai tregon për dashurinë që robi e përfiton duke u afruar tek Allahu. namazi është vend i lutjes dhe afërsisë, ku nuk ka ndërmjetësues në mes robit dhe Zotit. nuk ka gjë më të kënaqshme për robin se sa namazi. këtë e potencon Resulullahi a.s. ku thotë:“kënaqësia ime më është bërë në namaz”.(13) Prej veprave që njeriun e afron tek Zoti është pushteti i drejtë. Resulullahi a.s. thotë:“vërtet udhëheqësit e drejtë tek Allahu kanë pozita të larta të ndritshme, në të djathtë të Zotit. Që të dy duart e Tij janë të djathta. Ata janë që në pushtet, në familje dhe përgjegjësi janë të drejtë”.14 Përveç detyrimeve prej veprave që njeriun e afrojnë tek Allahu janë edhe veprat vullnetare – që janë falja e namazit të natës, agjërimi vullnetar, lëmoshat e ndryshme të bamirësisë, angazhimi për pajtim të njerëzve, urdhërimi në të mira dhe ndalesa nga të këqijat, lufta në rrugën e Allahut. Dashuria ndaj të dashurve të Allahut ndodhë në saje të besimit të fortë dhe nënshtrimit të plotë karshi krijuesit fuqiplotë.
Kështu që kërkimi i afërsisë tek Allahu është dy llojesh:
– Afërsia e Zotit me robin e Tij kur Zoti i jep atij në këtë botë mendjemprehtësi,e në botën tjetër ia jep kënaqësinë e Tij.
– Dhe afërsia e robit me Zotin e tij përmes besimit. Këtu bëjnë pjesë leximi i shpeshtë i Kur’anit, dëgjimi i tij me kuptim dhe meditim. Prej veprave të tjera që njeriun e afrojnë tek Allahu është edhe të përkujtuarit e Allahut në qetësi dhe sprova. në këtë kontekst Resulullahi a.s. thotë: “Ju kanë parapri el-muferridunët në shpërblime. I është thënë: “kush janë ata, o i Dërguar i Allahut?” Ai u përgjigj: “Janë ata dhe ato që shpesh e përkujtojnë Allahun”.(15) Prej afërsisë tek Allahu konsiderohet edhe dashuria ndaj të dashurve të Allahut dhe evliave të Tij, dhe armiqësia ndaj armiqve të Tij. në këtë kontekst kemi hadithin:“Janë disa robër të Allahut, të cilët nuk janë as pejgamberë e as dëshmorë, për pozitën e tyre që ua ka dhuruar Allahut ua kanë lakmi edhe pejgamberët edhe dëshmorët. Sahabët i thanë: “na trego kush janë ata?” Ai u përgjigj: “Njerëzit që janë dashur në mes vete për hir të Allahut, pa pasur mes vete afërsi farefisnore, as pa favorizuar njëri-tjetrin me pasuri. Pasha Allahun fytyrat e tyre janë dritë. Janë në vende të larta të ndritshme, nuk frikësohen kur njerëzit kanë frikë, dhe nuk brengosen kur njerëzit kanë brengë”. Pastaj Resulullahi a.s. lexoi ajetin:“Nuk ka fare dyshim, me të vërtetë për miqtë e Allahut (evliatë) as frikë nuk do të ketë mbi ta, as nuk do të pikëllohen”. (junus, 62)(16) Dhënia e shpeshtë e lëmoshës konsiderohet afërsi tek Allahu xh.sh. Me këtë besimtari e largon hidhërimin e Allahut. Ai futet në mesin e besimtarëve të mirë. Resulullahi a.s. thotë: “Lëmosha e fshehtë e largon hidhërimin e Zotit”.(17)
(vijon)
Prof. ass. dr. Musa Vila