Transmeton Imam Muslimi në librin e saktë të tij nga Ibn Mes’udi (r.a), se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:
“I fundit, që do të hyjë në xhenet, është një njeri, herë ecë, herë rrëzohet me fytyrë në tokë dhe herë e përcëllon zjarri. Sapo e kalon atë, sillet nga ai (nga zjarri) dhe thotë: Lavdi i qoftë Atij, i Cili më shpëtoi prej teje; më ka dhënë Allahu diçka, që nuk ia ka dhënë askujt prej të parëve dhe prej të fundmëve.
I shfaqet një pemë dhe ai thotë: O Zot, më afro tek ajo pemë, që të hyj nën hijen e saj dhe të pi prej ujit të saj.
Allahu i Madhëruar i thotë: O biri i Ademit, nëse unë ta jap atë, ndoshta do të Më kërkosh përsëri diçka tjetër?
Ai thotë: Jo, o Zot! Dhe, i premton se nuk do t’i kërkojë gjë tjetër. Megjithatë, Zoti i tij e justifikon, sepse ai sheh gjëra, ndaj të cilave nuk mund të durojë, e afron tek ajo, hyn nën hijen e saj dhe pi prej ujit të saj.
Pastaj, i shfaqet një pemë, ajo është më e bukur se e para dhe thotë: O Zot, më afro tek ajo, të pi prej ujit të saj dhe të hyj nën hijen e saj, nuk të kërkoj diçka tjetër, përveç saj.
I thotë:O biri i Ademit, a nuk më premtove, se nuk do të më kërkosh diçka tjetër, përveç saj? I thotë: Nëse Unë të afroj tek ajo, do të më kërkosh përsëri diçka tjetër?
I premton, se nuk do t’i kërkojë diçka tjetër, përveç saj. Megjithatë, Zoti i tij e justifikon, sepse ai sheh gjëra, ndaj të cilave nuk mund të durojë, e afron tek ajo, hyn nën hijen e saj dhe pi prej ujit të saj.
Pastaj, i shfaqet një pemë te dera e xhenetit, ajo është më e bukur se dy të parat dhe thotë: O Zot, më afro tek ajo, të pijë prej ujit të saj dhe të hyj nën hijen e saj, dhe nuk të kërkoj diçka tjetër, përveç saj.
I thotë: O biri i Ademit, a nuk më premtove, se nuk do të më kërkosh diçka tjetër, përveç saj?
Thotë: Po, si jo, o Zot, këtë dhe nuk të kërkoj diçka tjetër, përveç kësaj!
Zoti i tij e justifikon, sepse ai sheh gjëra, ndaj të cilave nuk mund të durojë, e afron tek ajo dhe sapo e afron, dëgjon zërat e banorëve të xhenetit dhe thotë: O Zot, më shti në të (në xhenet).
Ai i thotë: O biri i Ademit, çfarë më shpëton Mua prej teje? A kënaqesh të të jap dynjanë dhe sa ajo së bashku me të?
Thotë: O Zot, a po tallesh me mua, ndërkohë që Ti je Zoti i botëve?
Ibn Mes’udi qeshi dhe tha: A nuk po më pyesni, se për çfarë po qesh?
I thanë: Për çfarë po qesh?
Tha: Kështu ka qeshur i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, dhe i thanë: Përse po qesh, o i Dërguar i Allahut?
Tha: Prej të qeshurës së Zotit të botëve, kur i tha: A po tallesh me mua, ndërkohë që Ti je Zoti i botëve?
Dhe, Ai i thotë: Unë nuk tallem me ty, por Unë jam i Plotfuqishëm për atë që dua!”
Nga: Hoxhë Lavdrim Hamja