Njerëzit ia kushtojnë një të tretën e kohës së zgjimit aplikacioneve celulare

Njerëzit shpenzojnë mesatarisht 4.8 orë në ditë në celularët e tyre sipas firmës së monitorimit të aplikacioneve App Annie.

Në vitin 2020 rregullatori në Mbretërinë e Bashkuar Ofcom gjeti sasi të ngjashme të kohës së shpenzuar pavarësisht që hulumtimi i tij përfshinte shikimin e televizioneve. Raporti i App Annie tregon se aplikacionet janë shkarkuar 230 miliardë herë në vitin 2021 dhe janë shpenzuar 170 miliardë dollarë për to.

TikTok ishte aplikacioni më i shkarkuar në mbarë botën dhe përdoruesit e tij shpenzojnë 90% më shumë kohë atje krahasuar me vitin 2020. Shefi ekzekutiv i App Annie, Theodore Krantz tha se “ekrani i madh po vdes ngadalë pasi celulari vazhdon të thyejë rekorde pothuajse në çdo kategori si koha e shpenzuar, shkarkimet dhe të ardhurat”. Firma monitoruese parashikoi që deri në gjysmën e dytë të këtij viti TikTok do të kalonte 1.5 miliardë përdorues aktivë mujorë raporton “BBC”.

Koha mesatare e shpenzuar në aplikacionet celulare ishte katër orë e 48 minuta dhe ishte 30% më shumë nga viti 2019 sipas raportit të gjendjes së celularit të App Annie. Kjo u llogarit në dhjetë tregje, duke përfshirë Indinë, Turqinë, SHBA-në, Japoninë, Meksikën, Singaporin dhe Kanadanë.

Përdoruesit në Brazil, Indonezi dhe Korenë e Jugut i përdornin më shumë se pesë orë në ditë aplikacionet. Njerëzit shpenzojnë shtatë nga çdo 10 minuta të kohës së tyre në aplikacionet sociale, fotografike dhe video dhe TikTok është aplikacioni më i përdorur.