Ballina Autorë Opinione Një xhami madhështore

Një xhami madhështore

Redi Shehu

Pas më shumë se 32 vitesh kryeqyteti i shqiptarisë, Tirana, më në fund u bë zyrtarisht me një xhami të madhe. Por jo vetëm thjesht të madhe, por aq të madhe sa të jetë xhamia mbizotëruese në Ballkan, jo vetëm nga përmasat dhe kapaciteti, por edhe nga arkitektura dhe e gjithë aureola e shenjtë që e shoqëron atë. Ashtu siç edhe pritej, ceremonia e hapjes së xhamisë pothuaj i kaloi kufinjtë e madhështores duke lënë mbresa të forta tek besimtarët dhe qytetarët e Tiranës, e në të njëjtën kohë, tek ata të cilët, duke fshehur tinzisht mahnitjen tentuan ta tërheqin këtë ngjarje drejt banales. Tashmë, nuk përbën risi fakti që gjithçka ka të bëjë me myslimanët, xhamitë dhe sidomos me Turqinë, transformohet në një reaksion me një formulë të paracaktuar shpifjesh dhe tezash të vjetra, që mërzisin edhe vetë ato që i thonë.

Ashtu siç edhe pritej, përqëndrimi i debatit publik, u kanalizua në sipërfaqësoren e gjësë me qëllimin e gjetjes së shkaqeve të përçarjes dhe jo bashkimit, të zhvlerësimit dhe jo lartësimit, të banales dhe jo madhështores, në festën e vonuar të myslimanerisë shqiptare. Pak ose aspak, narrativa mediatike u fokusua në faktin se si ka mundësi që komunitetit më të madh fetar në vend, iu deshën mbi tre dekada të ketë gjënë më normale që një komunitet fetar ka, objektin kryesor të kultit. U kalua si një gjë e pavlerë, si diçka naive fakti që gjatë këtyre tre dekadave ndërtimi i xhamisë së Namazgjasë fjeti në harresën e qëllimshme të klasës tonë politike të kompleksuar nga injoranca dhe dashakeqësia. Që nga viti 1994 e deri diku në 2013-tën, një bllok prej guri i vogël që simbolizonte fillimin e punimeve të xhamisë, qëndronte si gur varri në mesin e fushës së namazgjasë, si për të treguar se në vend të përurimit, politika shqiptare i kishte falur xhenazen aspiratave të muslimaneve shqiptare për të pasur edhe ato kultin e tyre dinjitoz.

Ndërkohë që katedralet e katolike dhe ortodokse, kishin kohë që qenë ngritur në qëndër të kryeqytetit, maxhoranca besimore e këtij vendi trajtohej si një fe e dorës së dytë, si një komunitet që thirrte nga prapambetja dhe obskurantizmi, ndërkohë që katedralet e e tjera përfaqësonin për politikën tonë, kulmin e civilizimit modern. E si mund të bindësh një klasë politike injorante, e cila nuk dinte dhe nuk donte të kuptonte se, ishte pikërisht lufta dhe shkelmimi që Perëndimi i dha fesë së vet të krishterë për të arritur zhvillimin teknologjik që ai ka sot, ndërkohë që me myslimanët nuk ndodhi aspak kështu. Kur je i pafuqishëm, është e vështirë që të bësh që të triumfojë argumentet edhe pse mund te jesh në krahun e të vërtetës.

Në vitin 2013, pas tetë vitesh të qeverive socialiste me Nanon si kryeministër, Metën dhe Majkon, vjen në pushtet qeveria Berisha e cila po në tetë vitet e saja në drejtimin e vendit, vetëm pak ditë para zgjedhjeve gjeti kohën për të inskenuar një ceremoni inaugurimi punimesh të një projekti xhamie i cili ishte rrokur bashkë me një kompleks të madh banimi, aq puqur me xhaminë e cila do prishte çdo shenjtëri, çdo imazh dhe do ia merrte frymën objektit të shumëpritur të myslimanëve shqiptarë. Sapo socialistët erdhën në pushtet në 2013-tën anulluan projektin e xhamise me pallate banimi duke konceptuar një xhami më të madhe e lirë nga ndërtesat përreth e cila dilte pak jashtë tokës së namazgjasë dhe prekte një pronë private, të cilën qeveria shqiptare bëri një shpronësim i cili akoma ndodhet në një proçes gjyqësor.

Tani, imagjinoni një komunitet për të cilin çfarë nuk është thënë nga elitat postkomuniste, çfarë nuk kanë bërë për ta sabotuar, margjinalizuar dhe kompleksuar. Duke i sjellë në vëmendje historinë dhe gati-gati si një akuzë ndaj tij, i mveshën të gjitha problemet e shoqërisë shqiptare të tranzicionit, papritmas shihet një merak i madh se mos na përçahet ky komunitet, mos na dëmtohet “islami shqiptar”, “ xhamitë janë tonat jo të turqve” etj.etj. Hipokrizia e gjithë kësaj historie përmblidhet në atë se edhe në ditën më të veçantë, përsëri segmente të ndryshme kërkojnë të prishin ditën e festës. Akuza të tipit “sulltan”, “vasal”, “pashai i vogël”, e një mori të pafund epitetesh të mesjetës për të komentuar ngjarje në kohën e inteligjiencës artificiale, i bëjne këto njerëz apo grupime dashakeqe të kalojnë tashmë kufinjtë e qesharakes.

Fakt është se ky grup i vogël mllefi është krejtësisht në drejtimin e kundërt me shoqërinë shqiptare e cila na shfaqet më e emancipuar në të kuptuarit se ku qëndron e vërteta. Kjo kundërshti drejtimesh mes masës dhe elitës politiko-mediatike, nuk ka sjellë siç do të donin disa syresh, demonizimin e islamit, xhamiave dhe myslimanëve, përkundrazi ka sjellë konsumimin dhe braktisjen e vëmendjes mediatike ndaj elementëve të tillë të cilët si trup i huaj nuk kanë arritur dhe nuk po arrijnë të lexojnë shpirtin e popullit në mesin e të cilit pretendojnë se gjallojnë.

Dita e përurimit, por më tepër, ditët në vijim, po flasin më shumë se sa ata që çirren të merakosur për arkitekturën e vjetër të xhamisë, për flamujt turq, për hallin e përçarjes e të tjera si këto. Lumenj njerëzish, shqiptarë nga të gjitha trojet, por edhe të huaj nga të gjitha trojet, formojnë një masë gjigante që pa pushim shijojnë, falen, prehen, luten, pushojnë, gëzohen, kënaqen në ambjentet madhështore të këtij kompleksi. Ata nuk kanë merakun e mllefaxhinjve, as të hipokritëve, ata me prezencën e panumërt të tyre tregojnë se nuk duhet shqetësuar për një minorance cila është në tkurrje të vazhdueshme. Deri në suksesin e radhës, në festën e ardhshme, le të shijojmë faktin e të qënurit vetvetja dhe le t’i leme ata të mllefit të hanë thonjtë e tyre.

Redi Shehu


Exit mobile version