Ballina Lajmet Kosovë Një vit nga ratifikimi i MSA-së, Kosova ngec në zhvillimin ekonomik

Një vit nga ratifikimi i MSA-së, Kosova ngec në zhvillimin ekonomik

Sot janë bërë një vit që kur Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Projektligjin për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në mes BE-së dhe Kosovës.

MSA-ja është një marrëveshje kontraktuale me BE-në dhe si e tillë definon hapat ekonomik, politik dhe legjislativ të procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian si dhe forcon më tej demokracinë dhe subjektivitetin e shtetit të Kosovës.

E që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje më 27 tetor në Strasburg, Kosova sipas profesorit të Ekonomisë, Gazmend Qorraj, ka arritur të përfitojë më shumë në rrafshin politik.

“Konsideroj se përfitimi më i madh i Kosovës ka qenë në rrafshin politik pasi që nënshkrimi dhe ratifikimi i MSA-së konsiderohet si avancim në aspektin politik dhe institucional”, ka thënë Qorraj për Telegrafin.

Ai ka shtuar se që Kosova të ketë përfitime nga MSA-ja, bizneset vendore dhe institucionet duhet të koordinojnë aktivitetet, të koordinojnë programet dhe fondet e IPA-së, si dhe të informojnë sa më shumë që është e mundur individët por edhe bizneset për mundësitë që ofrohen nga BE-ja por edhe nga MSA-ja. Profesori ka shtuar më tej se nuk jemi shumë konkurrent në raport me vendet e BE-së.

“Konsideroj se nuk jemi konkurrent në mënyrë që të shfrytëzojmë tregun e BE-së sepse edhe liberalizimi në rajon, domethënë me vendet e rajonit ka treguar që nuk jemi shumë konkurrent me vendet e rajonit, e karshi vendeve dhe firmave të BE-së normal që do ta kemi edhe më vështirë”, ka shtuar më tej Qorraj.

Duke pasur parasysh se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit i siguron përfitime të mëdha ekonomisë në vend, dhe se është mundësi e mirë e promovimit të ekonomisë vendore në vendet e BE-së, profesori ka theksuar se tani mundësitë janë më të mëdha për promovimi e Kosovës, pasi që Kosova është anëtare e disa prej organizatave ndërkombëtare dhe gjithashtu është edhe pjesë e shumë raporteve ekonomike.

“Mendoj që përfaqësitë tona në BE duhet të punojnë më shumë në ndërlidhjen dhe krijimin e partneriteteve ndërmjet firmave në Kosovë dhe firmave në BE përmes ideve dhe projekteve konkrete dhe formave tjera të bashkëpunimit”, konsideron Qorraj.

I pyetur se sa ka pasur rritje ekonomike në vend që nga ratifikimi i Projektligjit për MSA-në, profesori Gazmend Qorraj theksoi se kjo pyetje ka përgjigje të shumta por të ndryshme.

“Mendoj që duhet të punojmë shumë për rritjen ekonomike marrë parasysh tranzicionin e gjatë, problemet politike në vend (papunësia, migrimin), problemet rajonale dhe së fundmi sfidën e integrimit në BE”, u shpreh Qorraj për Telegrafin.

Kosova dhe Bashkimi Evropian nënshkruan më 27 tetor në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, duke shënuar kësisoj edhe hapin e parë të vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me BE-në. Marrëveshja e cila u nënshkrua në një ceremoni në Strasburg, përmbylli negociatat për këtë marrëveshje që filluan në tetor të vitit 2013.

Në korrik të vitit 2014, Kosova dhe Komisioni Evropian hodhën inicialet e tyre në marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që paraqet hapin e parë zyrtar drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Exit mobile version