Një tjetër fëmijë ka vdekur në Rripin e Gazës ku Izraeli vazhdon sulmet e tij që nga 7 tetori 2023 dhe në të cilën ka shkaktuar “katastrofë të madhe humanitare” duke penguar hyrjen e ndihmave, raporton Anadolu.
Hikmet Bedir, xhaxhai i 6-vjeçarit Hikmet Raad Ahmed Bedir që ka humbur jetën, në një deklaratë për AA shpjegoi se nga veriu i Rripit të Gazës bashkë me nipin e tij shkuan në spitalin “Dëshmorët e Al-Aksës” në qytetin Deir Al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës me qëllimin për të siguruar trajtimin e nevojshëm mjekësore dhe ushqim për fëmijën.
“Nga veriu erdhëm në jug me shpresën se ka ushqim. Por, fatkeqësisht as këtu nuk ka ushqim të përshtatshëm për fëmijë, madje as trajtim. Si pasojë, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua dhe vdiq për shkak të urisë”, tha xhaxhai Hikmet Bedir duke thënë se ushqim nuk ka jo vetëm për të vegjlit por as për të rriturit.
– “Në Gaza ka 100 për qind uri”
Duke u bërë thirrje për “ndihmë” njerëzve të lirë të botës që fëmijët e tjerë në Gaza të mos vdesin nga uria ashtu si nipi i tij, xhaxhai i pikëlluar tha: “Në Gaza ka 100 për qind uri. Jo 70-80 për qind por 100 për qind uri. Nuk mund të gjejmë ushqim as për fëmijët, as për ne të rriturit”.
Zyra për media e qeverisë në Gaza në një deklaratë më 3 qershor njoftoi se 3.500 fëmijë në Rripin e Gazës ndodhen përballë vdekjes për shkak të urisë.
Në një deklaratë me shkrim më 17 qershor nga Zyra për media thuhej se administrata e Izraelit dhe SHBA-së e përdorin çështjen e ndihmës humanitare dhe ushqimore si mjet presioni politik kundër civilëve në Rripin e Gazës dhe se kanë thelluar urinë dhe rënduar qëllimisht situatën humanitare.
Burimet shëndetësore në një deklaratë më 22 qershor njoftuan se 44 fëmijë kanë vdekur për shkak të ushqyerjes së pamjaftueshme në Gaza që nga 7 tetori.