Ballina Artikuj Një sqarim përmbledhës lidhur me ajetin “Ajo është më e vlefshme se...

Një sqarim përmbledhës lidhur me ajetin “Ajo është më e vlefshme se 1000 muaj” (El-Kadr: 3)

Jahja Hondozi

Një sqarim përmbledhës lidhur me ajetin “Ajo është më e vlefshme se 1000 muaj” (El-Kadr: 3)

1.

Shpeshherë kemi lexuar e dëgjuar shpjegimin se nata e Kadrit është më e vlefshme se 1000 muaj, duke ia bashkangjitur matjen 83 vjet e kusur…

Si është puna e këtij numri “1000”, në këtë ajet kur’anor?

Kur’ani ka zbritur në gjuhën arabe dhe iu është drejtuar botëkuptimit të arabëve të kohës, por jo vetëm!

2.

Është interesant fakti që arabët/sahabët nuk dinin për numër më të madh sesa 1000.

Numri 1000 tek ta ishte numër më i madh për llogaritje.

Ata nuk kishin fjalë të posaçme për një milion, e as për një miliardë apo më shumë.

Pikërisht, për këtë arsye, kur e përshkruan pasurinë e Abdurrahman ibn Aufit, thanë: “Ai kishte një mijë një mijë deve (ألف ألف من الإبل), pa thënë një milion, dhe “dy mijë një mijë dele” (ألفي ألف من الغنم), pa thënë dy milionë”.

3.

Është një rast interesant në biografinë e sahabëve, konkretisht fjala është për Ibn Eusin, i cili, kur pati dëgjuar paralajmërimin e pejgamberit alejhissalatu uesselam se muslimanët do ta çlirojnë Hiren dhe do ta zënë robëreshë Shejmanë, vajzën e mbretit të Hires, u ngrit dhe tha: “O i dërguar i Allahut, ma dhuro atë mua si plaçkë të luftës!”

Pejgamberi i Allahut alejhissalatu uesselam buzëqeshi dhe i tha: “E jotja është!”

Po i bijmë shkurt!

Hira ra në duart e muslimanëve dhe Shejma – në duart e Ibn Eusit.

Kur mori vesh për këtë vëllai i saj, pasanik i madh (multimiliarder me gjuhën e sotme), erdhi tek ai dhe i tha:

“Kërko sa të duash pasuri për motrën time!”

Ibn Eusi i tha: “Më jep 1000 dërhemë!”

Njeriu ia dha paratë, e mori motrën dhe u largua.

Kur disa njerëz i thanë: “Pse nuk more më shumë?” ai, me natyrshmërinë beduine/arabe, tha:

“وهل في العدد أكثر من ألف”

“Vallë, ka numër më të madh se 1000?!”

4.

Pra, sipas botëkuptimit të sahabëve/arabëve, “1000” është numri më i madh i mundshëm.

Kur Allahu i Lartësuar thotë:

“ليلة القدر خير من ألف شهر”

“Nata e Kadrit është më e vlefshme se 1000 muaj”, domethënë, “më e mirë/më e vlefshme se secili numër që ju e dini dhe ju shkon në mendje”.

Një milion?

Ajo vlen më shumë se një milion!

Një miliardë?

Ajo vlen më shumë se një miliardë!

Një trilion?

Ajo vlen më shumë se një trilion!

5.

Nuk është çështje numrash!

Çështja është shumë më madhështore sesa përfytyrimet tona!

A i bie se ajo vlen më shumë se jeta e një njeriu (83 vjet).

Jo!

Absolutisht!

Ajo vlen shumë më shumë se jetët e të gjithë njerëzve bashkërisht që nga fillimi i kësaj bote e deri sa të jetë jeta!

~Huazuar dhe përkthyer nga arabishtja

Jahja Hondozi

Exit mobile version