Ballina Autorë Opinione Një shtegtim i gjatë lake-lake

Një shtegtim i gjatë lake-lake

Daut Dauti

Nga temat ndëretnike dhe katalizatorët e krizave, si ngarkesë e vazhdueshme, gjer te mbyllja e shumë çështjeve dhe lufta për përfaqësim dinjitoz.

Daut DAUTI, Shkup

Zgjedhjet, që sapo kanë përfunduar në Maqedoninë e Veriut, edhe një herë rikthejnë tema të njohura e të kaluara, si diçka e përsëritshme dhe dilemë e përhershme. Tema e përfaqësimit “me legjitimitet”, sigurimi i shumicës së Badenterit, kush ka të drejtë e kush jo të hyjë në qeveri, të çon deri te përplasjet politike në relacione të ndryshme, ideologjike, ndëretnike e gjer te intraetnike. Ndonjëherë duket lehtë të zësh një pozicion e për ndonjë parim, por nuk është lehtë të ecësh një skemë të njëjtë në çdo rrethanë e situatë që diktojnë proceset, si ato që prodhojnë zgjedhjet, si ato të politikave e synimeve, shpesh, kundërthënëse të faktorëve shoqërorë.

1. Artikulimi etnik i interesave në mjedis multietnik, ideologjia në plan të dytë

Diku kah fundi i vitit 1990 po shihej pluralizmi politik në horizont. LKJ-ja e atëhershme kishte pësuar kolaps të unitetit për shkak të shfaqjes së ambicieve të sëmura të Sllobodan Millosheviqit për ta instaluar sistemin “një njeri, një votë”, me të cilin Serbia do të fitonte një forcë politike që do ta rrënonte peshën e votës së republikave dhe të krahinave në Federatë. Hapi tjetër do të ishte ecja në dy binarë, atë të krijimit të kushteve për pavarësi të çdo njësie federale (për disa prej tyre, me pasoja tragjike!), dhe të demokratizimit të tyre në drejtim të pluralizmit politik. Që në shtetin ende të pashpartalluar, ndër idealistët e fundit që besonin në mbijetesën e Federatës ishte kryeministri i fundit, Ante Markoviq, i cili krijoi subjektin Forcat Reformiste dhe pastaj çdo gjë u bë histori e njohur…
Ajo që dua të cek si kujtim nga fillet e pluralizmit në Maqedoni është se çfarë rruge do të ndiqnin shqiptarët. LKM-ja, e cila dhjetë vite ishte shndërruar në kamxhik të tyre, duke zhvilluar betejën e ashpër kundër “nacionalizmit dhe irredentizmit (më vonë: separatizmit) shqiptar”, ishte bërë averzive për t’u kyçur në të, edhe pse nga fundi i ‘90-tave, në përplasjet brenda LKJ-së, u gjet një udhëheqësi e cila u shkëput nga përqafimi serb. Petar Goshev (në kuadër të LKM-së) dhe Vasil Tupurkovski (si anëtar Kryesie i SFRJ-së), do ta lënë anësh krahun konservator të partisë (Millan Pançevskin, Millan Danevin etj.), por kjo për shqiptarët nuk do të thoshte shumë. Në muajt e parë të pluralizmit, kur themeloheshin parti pas partie, si ndër më joshëset për çështjen e barazisë ka qenë Partia Socialdemokrate në krye të së cilës u gjetën ish-politikanët e anatemuar të komunizmit, si Sllavko Millosavlevski dhe Kërste Cërvenkovski (ky i dyti, më tepër si frymë se sa si aktivizëm real), të cilët pranonin shumë gabime që ishin bërë në të kaluarën dhe ofronin një platformë shumë më të mirë për barazi etnike. Pikërisht për këtë arsye në radhët e kësaj partie u gjetën edhe emra të shquar shqiptarësh, të cilët shpresonin se në një parti të këtillë, në kushte të pluralizmit demokratik, shqiptarët do të mund t’i kthenin disa të drejta të humbura gjatë viteve të ‘80-ta dhe të avanconin edhe më shumë. Mirëpo, kjo parti pothuajse nuk erdhi në shprehje të faktorizohej, as në mjediset maqedonase, e as në ato shqiptare.
Pati shqiptarë edhe në kuadër të LKM-së, e cila ndërkohë si akt reformues ia shtoi një atribut: LKM – Partia për Transformim Demokratik. Po ashtu edhe në kuadër të Partisë së Re Demokratike, që doli nga gjiri i ish-organizatës rinore, edhe në kuadër të Forcave Reformiste të Markoviqit, por befasia do të vijë në trajtën e një “partie shqiptare”, e cila praktikisht do t’i shuajë të gjitha synimet e artikulimit të interesave shqiptare përmes partive me orientime të ndryshme ideologjike. Dorën në zemër, edhe Partia e Prosperitetit Demokratik, që u shfaq me atributin si parti shqiptare, në vetë themelimin e saj u kujdes të kamuflohet si parti e përzier etnikisht që të mos kishte probleme gjatë regjistrimit, duke përfshirë ndonjë maqedonas, por shumë shpejt do ta marrë atributin e partisë “së pastër” shqiptare.
Fill pas Prosperitetit Demokratik, shqiptarët do të pluralizohen vetë dhe do të kenë edhe një parti tjetër, Partinë Demokratike Popullore. Që të dyja pastaj do të përfaqësohen në kuvendin e parë pluralist të Maqedonisë së pavarur.
Nuk mund të thuhet se publiku i atëhershëm i Maqedonisë nuk u shokua sadopak nga krijimi i partive “monoetnike” shqiptare. A nuk mjaftojnë gjithë këto parti për të gjetur vendin dhe interesin? Por, partitë shqiptare nuk ishin fenomeni i vetëm në baza etnike në vitet e para. Sepse, shumë më shumë parti maqedonase që do ta dalin në skenë, jo vetëm që kishin atributet etnike, por dhe platforma e tyre e përmbante atë. MAAK dhe VMRO-DPMNE nuk do të jenë të vetmet (VMRO-të do të shumohen pas çdo pakënaqësie nga fraksionet që dilnin prej saj), të cilat, pos që kishin orientim antikomunist, por dhe në një farë mënyre, duke u identifikuar si “maqedonase”, në nacionalizmin e tyre përmbanin edhe shumë elemente shovinizmi, kundrejt shqiptarëve.
Pra, pluralizmi politik me orientime të ndryshme (të paktën të deklaruara), në masë të madhe do ta determinojnë peshoren e veprimit: në mungesë të ideve dhe aftësive për ta çuar vendin përpara në zhvillimin ekonomik, do të zhyten në baltën e përplasjeve të vazhdueshme me “rrezikun shqiptar”, duke u bërë digë e fortë për të mos kaluar asgjë që do ta përmirësonte pozitën e tyre.
Përplasja midis konceptit të shtetit që do të ishte i maqedonasve dhe konceptit të partive shqiptare, që viteve të 90-ta e kishin definuar qëllimin që shqiptarët të jenë të barabartë në çdo pikëpamje, më saktë të jenë “element shtetformues”, do t’i barikadonte pozicionet dhe do ta pengonte me majorizim çdo përpjekje avancimi. Shembulli se si për gati dhjetë vjet nuk mund të sillej një rregullore parlamenti ku deputetet shqiptarë do të kishin të drejtë të flasin shqip, dëshmon më së miri se ku u humb gjithë ajo energji politike. Për çështje “më madhore”, si e drejta për universitet shqip, as që mund të bëhej fjalë.
Është interesant të theksohet se edhe pluralizmi politik brenda kampeve politike do ta përmbajë notën etnike: partitë maqedonase do ta trajtojnë mes vete rrezikun shqiptar, sidomos partia opozitare gjithnjë do ta akuzojë atë që është në pushtet se i shet interesat kombëtare maqedonase, duke u lëshuar pe shqiptarëve (kjo më së shumti i shkonte përdoresh VMRO-së) dhe, njëkohësisht, për shitje interesash ose tradhti kombëtare do të akuzohen edhe partitë shqiptare mes vete. Këtu, në rolin e VMRO-së do të gjendet PPDSH-ja, e cila do ta ketë objektiv të përhershëm Partinë e Prosperitetit Demokratik, e cila 8 vitet e para ishte pjesë e pandarë e qeverive.

2. Dështimi i institucionalizmit, në dhjetë vitet e para, solli 2001-shën

Në konstelacionin kushtetues-juridik të pluralizmit forma mbeti demokratike, sepse gjithkush luftonte për atë që synonte, gjithkush kishte të drejtë t’i shtrojë kërkesat, madje edhe ato më “të papranueshmet”, por në fund përfundonte me epilog dëshpërues. “Ti ke të drejtë të thuash e kërkosh gjithçka, por unë kam votat!”. Në anën tjetër, u zhvillua edhe një imperativ tjetër: pjesëmarrja në pushtet. Që në qeverinë e parë që ishte më tepër teknike se politike, e deri në ditët e sotme, pjesëmarrja e shqiptarëve ka mbetur rregull i pashkruar, edhe pse partitë maqedonase nuk është se janë kushedi sa të lumtura që duhet ta ndajnë pushtetin me partitë shqiptare. Së pari, për shkak se do të duhet të rezistojnë ndaj kërkesave “përtej kushtetutës” dhe dokumenteve ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut (preferojnë të drejtat individuale para atyre kolektive) dhe, e dyta, duhet të ndajnë me to shumëçka nga beneficionet që i duan për vete ose për bashkësinë e tyre. Në anën tjetër, për partitë shqiptare, pos beneficioneve që i ka pushteti, që është qëllim i çdo garuesi politik, është edhe qëllimi që forcën e vet elektorale ta shndërrojë në ndikim për të realizuar objektivat në fushën e barazisë, që edhe është qëllimi i çdo partie me atribute etnike.
Pjesëmarrja në pushtetin ekzekutiv do të duhej ta bënte më të drejtpërdrejtë ndikimin për t’i arritur objektivat kombëtare. I mbante shpresa se kështu do të mund ta tejkalonin majorizimin etnik, i cili ishte instaluar fort në sistemin e vendosjes, por kjo gjë nuk rezultoi fort produktive. Gjersa ishte në tri mandate në pushtet, Partia e Prosperitetit Demokratik nuk qe në gjendje t’i bindë partnerët e koalicionit që ta votojnë një rregullore parlamenti. Kur më 1998 erdhi në pushtet partia tjetër, e dyshes Arbër Xhaferi & Menduh Thaçi, pra, PPDSH-ja, hapi më i dukshëm u bë në një rritje përfaqësimi në administratë, në ndarjen e interesave të biznesit me VMRO-në, por në fushën e barazisë vetëm aq mund të bënin për dy tri-vitet para konfliktit, të bëjnë një universitet shqiptar, por jo shtetëror, si kompromis, midis refuzimit të deriatëhershëm maqedonas (pat prirë VMRO-ja) dhe kërkesave për legalizim të UT-së të shqiptarëve.
Pra, mund të thuhet se institucionalizmi i shqiptarëve nuk i kishte dhënë rezultatet e pritura në një demokraci ku duhej të realizonin më shumë. Kjo shoqërohej me ashpërsimin e luftës politike brenda bllokut etnik, sepse dështimet e njërës parti rriteshin edhe më shumë nga rivalët politikë, duke e humbur ndonjëherë edhe sensin e realitetit se ku është dështimi i partisë shqiptare nga mosaftësia e saj për t’i artikuluar, e ku ishte çështja e sistemit të atij majorizimi. Që të jemi objektivë gjer në fund, vazhdimisht ka pasur përpjekje të partive shqiptare për t’i ngritur standardet e barazisë dhe kur kjo nuk ka mjaftuar përmes qeverisë dhe parlamentit, janë bërë përpjekje edhe përmes ndërmjetësimit të faktorit ndërkombëtar. Mbahet mend edhe misioni ndërmjetësues i Gert Arensit dhe bisedat këtu e në Bruksel midis delegacionit të Partisë së Prosperitetit Demokratik e përfaqësuesve të qeverisë për çështjet e ndryshme, por që kanë mbetur pa ndonjë rezultat konkret.
Sprovat e bashkëqeverisjes shqiptaro-maqedonase, sidomos në dhjetë vitet e para, janë përshkuar edhe me shumë sfida serioze: referendumi i bojkotuar për pavarësimin e Maqedonisë, referendumi i shqiptarëve për autonomi politiko-territoriale (që i mbeti emri Ilirida), aksionet e paarsyetueshme policore të Bitpazarit ose Gostivarit, gjykimet për themeluesit e UT-së…, të cilat ishin një thikë pas shpine ndaj pjesëmarrësit shqiptar në ekzekutiv, e që i adresoheshin edhe si dobësi në betejat politike.
Të gjitha këto, atë që e thoshte Arbër Xhaferi se kushtetuta është gjenerator i përhershëm i krizave, do të marrin epilog me konfliktin e papritur të vitit 2001, që i zu në gjumë të gjithë faktorët e shtetit që mendonin se mund në pafundësi t’i majorizojnë shqiptarët.
Historia pastaj dihet.

3. Çfarë betejash politike: shqiptarë kundrejt maqedonasve, apo brenda grupimeve etnike?

Thonë se presidenti i ndjerë Gligorov ka thënë se në çdo qeveri të Maqedonisë duhet të përfshihen shqiptarët. Një përcaktim i drejtë, do ta thoshim i arsyeshëm për kushtet dhe realitetin multietnik të shoqërisë. Një popull shumicë dhe një “pakicë e madhe” (tash e dëshmuar edhe me statistikë, pothuajse një e treta e popullsisë), nuk guxonte mos të përfaqësohet në ekzekutiv. Por, kur pluralizmi politik është shtrirë edhe brenda kampuseve etnike, ja keqkuptimet! Kush duhet ta përfaqësojë bashkësinë e vet?
Në vitin 2006 zgjedhjet i pat fituar BDI-ja, por për fatin e keq të Ali Ahmetit, partneri i koalicionit deri atëherë (LSDM) i humbi zgjedhjet, dhe disi “logjikshëm” dukej që në qeveri të hynin dy partitë e atëhershme opozitare, VMRO-DPMNE dhe PDSH.
Dhe, e bënë qeverinë…, por i “hëngrën” dy vite jorehati nga presionet që i bënte BDI-ja që thoshte se në qeveri duhet të hyjnë partitë fituese të dy taborëve më të mëdha etnike. Ky parim pastaj dhe u bë si kriter për hyrje në qeveri midis VMRO-së dhe BDI-së.
Në të vërtetë, këtë parim nuk e ka shpikur e para BDI-ja! PPD-ja vazhdimisht ka hyrë në pushtet si parti fituese, por vetëm me LSDM-në. Kur në vitin 1998 zgjedhjet i fitoi VMRO-ja, do të ndërrojë preferenca për partnerin e koalicionit dhe ajo do ta zgjedhë PPDSH-në! Këtu do të ngjajë reagimi i PPD-së, sepse në zgjedhje pat marrë pjesë në koalicion me PPDSH-në dhe tash ndihej e tradhtuar që ajo po hynte vetëm dhe, njëkohësisht, argumenti ishte se ajo kishte më pak deputetë se PPD-ja dhe nuk mund t’i përfaqësonte shqiptarët. Duhet thënë se deri atëherë ato ishin dy partitë “më kombëtare” në blloqet etnike dhe kur e themi këtë, kemi parasysh se ato ishin edhe më të kundërshtuara mes vete – VMRO-ja si një parti nacionaliste e antishqiptare, kurse PPDSH-ja si një parti ekstremiste me plot arrogancë, që nuk shihej me sy të mirë te maqedonasit. Megjithatë, qeverisja e këtyre dy partive, në disa segmente, ishte më funksionale se ajo e mëparshmja!
Por, t’i kthehemi parimit, i cili, ja, përsëri dhe pas këtyre zgjedhjeve të sivjetme e ka hapur të njëjtën temë. Nuk është çështje diskutimi se a duhet partitë fituese të përbëjnë qeverinë, por çka të bëjnë partitë shqiptare që ky parim të respektohet. Pasojat e fitores “pa fund të gëzuar” është duke i përjetuar BDI-ja, e cila si iniciatore e Frontit Evropian që i fitoi zgjedhjet, nuk honepset nga VMRO-DPMNE-ja, e cila preferon partitë e koalicionit VLEN. Nuk janë vetëm çështje që kanë lidhje me interesin e çdo pjesëmarrësi në zgjedhje, por më shumë për strategjitë që duhet ndjekur që parimi të respektohet në çdo kohë. Që të ndodhë kjo, si duket, ka nevojë për një rishikim të betejës politike të së ardhmes në një drejtim që ndoshta cenon disa parime të garës politike. Çfarë do të duhej bërë?
Nëse i analizojmë fushatat zgjedhore, në masë të madhe bie në sy një paraqitje agresive teatrale. Garën më të madhe partitë nuk e bëjnë duke ofruar alternativat më të mira programore, por duke sharë konkurrentët për dështimet e tyre ose akuza me pretekste tjera. Në këtë kontekst, në Maqedoninë e përzier etnikisht, që prej kohësh te maqedonasit është fiksuar “rreziku shqiptar” dhe atë partitë maqedonase përherë e gjenin te partitë e tyre, PPDSH, PPD, apo BDI. Në emër të këtij satanizimi, sivjet VMRO-ja me një plumb vrau dy pëllumba: e uli LSDM-në tejmase, duke e akuzuar që ua kishte lënë shqiptarëve (BDI-së) të udhëheqin me vendin, duke “shitur interesat kombëtare maqedonase” dhe, në anën tjetër, me këtë ia mbylli rrugën BDI-së, e apostrofuar si “problematike” e qeverisjes së deritashme. Hakmarrja konsiston në atë se nëse BDI-ja e kishte zgjedhur LSDM-në si partnere, tash VMRO-ja mund të zgjedhë VLEN-in në vend të BDI-së….
Dilema që ia vlen ta lodhim mendjen është kundër kujt apo për çka duhet të bëjnë fushatë zgjedhore partitë në një shoqëri të përzier etnike? Nëse VMRO-ja zgjedhjet e para pluraliste i pat fituar me gogolin shqiptar, a ka më vend për këso kauzash 34 vjet më pas? Ndërkohë pothuajse të gjitha çështjet për të cilat atëherë luftonte t’i pengonte, janë mbyllur me Marrëveshjen e Ohrit dhe shumë mirë e dinë se kthim prapa nuk mund të ketë. Çdo përpjekje për të reviduar diçka nga avancimet në baza etnike do të duhet të ballafaqohet me kushtetutën, e cila kërkon shumicë Badenteri. Është çështja për çka ka nevojë të “targetohet” dikush në bllokun shqiptar? Personifikimi i këtij rreziku në emrin e ndonjë partie mund të jetë vetëm një paravan për ta arsyetuar betejën që shitet më lehtë në bllokun maqedonas. Ka mbetur si anekdotë një thënie e një politikani të BDI-së, që nxori në shesh një sekret, se Mickoski i paska propozuar BDI-së që të shahen mes veti, sepse kështu rriten rejtingun!
Nëse kjo është e vërtetë, a nuk ndodh e njëjta edhe anasjelltas? Çka ishte targeti i fushatës së BDI-së? Forcat proruse. Ato nuk shikoheshin vetëm te E Majta, e cila është deklaruar si antiperëndimore, por edhe te VMRO-ja. Dyshimi i bazuar është një aspekt, i cili të çon drejt një epilogu tjetër. Nëse kjo parti do të ishte forcë proruse, atëherë logjikisht del që kur të të thërrasë në qeveri, do t’i veje kushte ose ta ndërrojë atë orientim, ose do ta refuzoje, pavarësisht se ti ke dalë fitues…
Për të mos hyrë më thellë në këtë mesele, kaherë më është imponuar një tezë ose formulë magjike se si do të duhej të zhvillohej beteja politike që çdo qeverisje e ardhshme të përfaqësohej nga përfaqësuesit legjitimë. Kjo do të bëhej me një “pakt mos-sulmi” midis partive shqiptare e maqedonase! Më saktë, beteja zgjedhore do të zhvillohej brenda kampeve etnike midis partive me përkatësi të njëjtë etnike, si kësaj radhe VLEN-i kundër BDI-së dhe LSDM-ja kundër VMRO-së, Levicës… Me fjalë të tjera, një garë paralele do të kishte nxjerrë fituesit në secilin bllok etnik, por nuk do të kishte krijuar animozitete në baza etnike, e me këtë, as acarime të këtilla, siç pati midis BDI-së (dhe Frontit Evropian) kundrejt VMRO-së, e cila tash është pengesë për koalicionim me atë bagazh akuzash të rënda.
Nëse nuk do të bëhej kjo që u tha më sipër ose diçka e ngjashme, edhe në të ardhmen mund të ndodhë që partia maqedonase të vendosë se me cilët shqiptarë do të bëjë koalicion ose edhe e kundërta, atë që e bëri BDI-ja më 2017-tën, të zgjedhë se cila parti maqedonase të bëjë qeveri.
Ky “model” sigurisht i ka mangësitë e veta, por është më afër logjikës sesa të vazhdojë teatri që dy parti që shahen mes vete në fushatë në mënyrën më të vrazhdë, kurse pas ditës së zgjedhjeve t’i lënë në harresë gjithë ato që kanë thënë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, duke e nënçmuar ngapak edhe inteligjencën e votuesve që ua kanë besimin dhënë për tjetër gjë.
Si PËRFUNDIM, organizimi politik i shqiptarëve ndoshta kërkon më shumë reformë sesa vetëm ndryshime personale nëpër udhëheqje ose krijim subjektesh të reja. Nëse në kushtetutë ke një mekanizëm mbrojtës kundër majorizimit siç është vendosja me të a.q. “shumicë e Badenterit”, atëherë, për shkaqe praktike, mbetet imperativi që edhe në ekzekutiv të ketë një shumicë e tillë e jo vetëm në parlament, sepse kështu më së miri realizohen gjërat përmes marrëveshjes midis subjekteve më relevante. Me këtë s’do të kishte keqkuptime e as të drejtën diskrecioni që partia maqedonase të vendosë se kush do t’i përfaqësojë shqiptarët. Përafrimet në baza ideologjike, bie fjala, të majtët me të majtët, të djathtët me të djathtët, mund të jetë i logjikshëm për pluralizmin demokratik, por nuk do të siguronte përfaqësim adekuat ose, të paktën, jo përherë.

Exit mobile version