Mikhail Kallashnikovit, inxhinierit të njohur të armëve ruse, i është ngritur një shtatore në qendër të Moskës.
Arma Kallashnikov është sot ndër më të përhapurat në botë dhe grupet kriminale veçanërisht e posedojnë atë. Pushka sulmuese e njohur ndryshe si Ak-47, mendohet të jetë arma që është prodhuar më së shumti në botë.
Figura prej bronzi e inxhinierit prej pesë metrash në këmbë në një piedestal prej katër metrash u paraqit në publik në një ceremoni të martën.
Skulptori Savlat Sherbakov, i cili krijoi monumentin, tha se donte që puna e tij të përfaqësonte një betejë midis së mirës dhe së keqes, siç i përshtatet një njeriu, puna e jetës së të cilit ishte një instrument vdekjeje.
Ekzistojnë rreth 100 milionë pushkë AK-47 që janë aktualisht në përdorim dhe arma është bërë kaq e dukshme në disa zona konflikti, saqë ka hyrë në simbolet shtetërore të disa kombeve afrikane.
Kalashnikov, i cili vdiq në vitin 2013 në moshën 95 vjeçare, gjithmonë ka këmbëngulur se arma që kishte projektuar ishte një mjet për të mbrojtur atdheun e tij dhe jo për të sjellë vdekje.
Realiteti tregon të kundërtën.
Mikhail ishte komandant i tankeve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa filloi karrierën e tij si projektues i armëve pas një dëmtimi në shpatull gjatë Betejës së Bryansk.
Teksa ishte në spital në vitin 1942, dëgjoi ushtarët e plagosur duke u ankuar për pushkën sovjetike dhe vendosi të ndryshonte rrugën e karrierës së tij.
Arma e parë e Kalashnikov u prodhua në vitin 1947, duke i sjellë inxhinierit Çmimin “Stalin” dhe “Urdhrin e Yllit të Kuq”.
AK-47 ka qenë arma standarde e ushtrisë sovjetike dhe pastaj ruse që nga viti 1949.