Në një vëzhgim spontan, ne shohim se si heshtja institucionale kundrejt terrorit që po ushtrohet mbi popullsinë civile në Rripin e Gazës por jo vetëm, për më shumë se një muaj, i dha shansë dhe goxha mundësi agresorit, të shtrinte rrjetën e dhunës mbi mijëra qytetarë, shumica e të cilëve janë nën moshën 18 vjeçare. Heshtja e krerëve të lartë shtetëror karshi Palestinës është paralajmërim për fillimin e rënies së Perëndimit, vanitjes së shkëlqimit përëndimor; zbehjes së civilizimit part time demokratik të një bote po part time njerëzore.
Shkruan: Fjolla SPANCA, Tiranë
Na, fëmijët e luftës
i njohim erëzat e vdekjes.
Na, fëmijët e luftës
e dimë kufinin mes varrit dhe jetës!
Na, fëmijët e luftës
tana të zezat i kem provue…
Na, fëmijët e luftës
përtej vdekjes kemi jetue!
Na, fëmijët e luftës
jena djegun po s’jena harrue,
Na, fëmijët e luftës
Mbetëm Za’ni që kurrë s’u shue!
Na, fëmijët e luftës i njohim mirë hijet e vdekjes! Ose, le të themi me modesti se na, i dimë përmendësh edhe hjekat e jetës. Na, rritemi me shkurtimin e ëndrrave dhe rritjen e dertit; rritemi pa e shijuar lojën dhe ninullën e fëmijërisë; rritemi Na për ta kundruar ndryshe, marazin e njerëzisë.
Fëmijët e Luftës i prekin gjerë në dejë të loçkës thirrmat përgjëruese, lutje për t’u afatizuar fryma e tyre deri n’dekikun e çeljes së agsholit akullnues! Fëmijët gatuhen me thirrmat përunjëse për ta provu për s’fundmi herë atë flladin e muzgut t’parë me gjasë, në pranverën e mbramë. Megjithatë, thirrja a zani i naltë i të voglit që mëton me i drithnu ndërgjegjet e fjetuna të ca mendjeve gjysmake; s’është kurrë lehtë me u ndëgju, besa as me u pranu, sepse, fundja, mejdani i luftës është kasaphane, nga e hëna në të hane! Ndaj, thirrja mbetet piskamë e zbehtë, ndën palët e kujtesës që veniten shpejt.
Dorasi, pra ai që duart i ka të shkalafituna me verbninë e egos së shfrenume, nuk mundet thuaja kurrë me rrnu i Lirë, biles as me u ba njeri ma i mirë. Ai (ose ajo) që ditën kur me (a pa) vullnet u hodh në humnerë tok me gjakun dhe vajin e zemrave të pacen, për Shpirt t’vetin s’ka lënë ma vend. Dorasi, anise gënjehet me numër trupash të masakruar, mendjen e vet, asnjëherë nuk arrinë për ta paqtuar. Drita e Shpirtit, mbi të cilin asht shtrue padrejtësia; kthehet, sa çel e mshel sytë, n’errësinë skëterrë, të mendjes së tija, sepse:
Lufta është si kazani ku çorbë bëhet njerëzia;
Lufta është xeher kur n’ dalldisje njolloset shenjtëria.
Lufta s’ është bahçe as livadh me tërfil;
Lufta është ferri, ba me të nxënë gafil.
11 shtatori, i dytë si pluhur mbi sytë.
Çelu Qiell,
dhe banu i Lehtë!
për krejt Zemrat
që sot
ngjiten përpjetë.
Hej’ Kandil i Premtuem
lshoje NURin n’konak të harruem!
sose terrin e njerzisë
grise perden e padrejtësisë
veç për hatrin e Dashnisë!
çelu Qiell
oh me Butësi;
Zemrës t’vorfun, banju shpi!
(Tetor, 2023)
Kur sapo kish marrë dhenë ̒loja̓ e Hamasit mbi Izraelin, bashkë me dhimbjen, ndjesia që m’u stacionua para sysh, në fakt, ishte frika e pamohueshme nga meraku se kundërpërgjigjja ndaj palestinezëve do ta shpërfytyronte edhe atë pak ‘normalitet’ që kishte shpëtuar mes goditjeve të vazhdueshme që të fortët ushtronin mbi “fqinjët e dorës së dytë”. Natyrisht, ky moment s’do mbetej pa u shfrytëzuar, politikisht! Në fund të ditës, bota po shihte një “11 Shtator të Dytë”, ndërkaq euforia kolektive për ndjekjen dhe shfarosjen e “aksit të së keqes” furishëm mori tatëpjetën. Orë e çast, gjërat sa vinin e vështirësoheshin; pengjet “shumoheshin” teksa dronët shtoheshin. Parashikimet e gjithologëve gëlonin paralel me mallkimet që nuk pushonin. Kohë për trandje emocionesh! Kohë për kallajitje frustracionesh. Qe koha për luftë. Në mos, gjenocid.
kur dhemb heshtja?
në luftë, nuk të dhemb vdekja jote.
dhemb Heshtja e njerzimit,
vdekatarëve n’varr të harrimit.
në luftë, nuk të dhemb vdekja jote.
dhemb friga e humbjes së Dashnisë.
dhemb Vetmia në tallazin e syfaqësisë!
dhemb edhe terri xeher që kullon prej ligësisë.
Për zemrën e dëlirë, jeta e çdo njeriu e ruan shenjtërinë e paprekshmërisë. Pra, do qe çmenduri vetëm sikur të mendohej se jeta e viktimave në Izrael kishte më pak vlerë sesa vdekja e palestinezëve të mjerë. Ndonëse ne priremi për ta mbivlerësuar secilën grimcë që na shkëput nga Lindja “demodo” (automatikisht terroriste e fashiste) sërish, për fatin tonë të keq jemi brenda grackës që vetë e kemi meremetuar me paragjykime, nënvlerësime, frigna, padituni e hamendësime. Thënë ndryshe, ca më ëmbël: ne, duke portretizuar të ligën vetëm brenda qenies së një Shpirti që Lufton për të mbijetu, atje tutje, matanë nesh; rrëshkasim në amullinë e ngushtësisë së mendjes, mu si ato grupet e mbetura mbrapa Kohës në këto shoqëritë demode, të izoluara prej gjysmës së botës. Ne, përmes heshtjes a tifozerisë me hile; përmes pozicionimit me hatër përkitazi me të fortët (kushdo qofshin ata) vetëdijshëm shndërrohemi në “vrasësit e heshtur” – ekuivalent i pakojshëm i “katundarisë lindore”.
Tutje, kur ne përligjim dhe justifikojmë vrasjet e mijëra viktimave palestineze, të pambrojtura dhe aspak të përfshira në strukturat e Hamasit (më duhet, patjetër, ta nënvizoj këtë fakt, sepse kështu situata duket më cool në sytë e një globi të etur për fraza e terminologji akute) me justifikimin bajat se “po shfaroset fara e së keqes” atëherë nuk jemi më hiç, po hiç më ndryshe sesa ata burrat që hidhnin bomba në festivalet e të rinjve izraelit.
Ne, duke klasifikuar jetë mbi jetë tëhuajësojmë brendinë e veteve tona, sepse klasifikimi i rëndësisë së disave mbi brishtësinë e disa të tjerëve, në mos na/komun/fash‘zizëm, atëherë mbetët dehumanizëm turpnues.
Viktimat nuk kanë petk kombësie, gjinie, feje a etnie. Viktimat janë ato që përjetojnë dhunë ani se nuk kanë bërë asgjë për ta provokuar dhunën! Viktimat janë subjekte të posaçme – target i vazhdueshëm i të babëziturve për ushtrimin e dhunës, deri në dalldisje, ani se viktimat as munden të ushtrojnë dhunë mbi Tjetrin.
Kështu, në një vëzhgim spontan, ne shohim se si heshtja institucionale kundrejt terrorit që po ushtrohet mbi popullsinë civile në Rripin e Gazës, por jo vetëm, për më shumë se një muaj, i dha shansë dhe goxha mundësi agresorit, të shtrinte rrjetën e dhunës mbi mijëra qytetarë, shumica e të cilëve janë nën moshën 18 vjeçare. Heshtja e krerëve të lartë shtetëror karshi Palestinës është paralajmërim për fillimin e rënies së Perëndimit, vanitjes së shkëlqimit perëndimor; zbehjes së civilizimit part time demokratik të një bote po part time njerëzore.
Fjala që thyen dhe Fjala që gërryen, zemra.
sonte,
Hana asht e kuqe!
ka Dasëm n’qjellna
por s’ka Nuse!
sonte,
Hana asht mlue me duvak
Ninullat e mrama u knuen
dhe Zemrat e përmallume u trandën pak!!
sonte,
Toka e Askujt u zvoglue me mëni;
U përzhitë Toka e të Tanëve;
tuj prit e përcjellun fmi!
sonte,
Toka e (pa)Premtume u ba shkrumb e hi’
prej dasmorëve të marrosun
që lypën Tokë’ me zi!
(17 tetor 2023)
Dhuna ushtarake mbi palestinezët pati “show” të vrullshëm që në nisje, çka nënkuptonte se një armëpushim i mundshëm zor se shfaqej në horizont. Etja për të shuar jetë ishte zjarrmi që përndizej me ritmin e rritjes së numrit të të masakruarve. Izraelitët patën shënjestër çdo vendtubim të mundshëm pa anashkaluar spitalet, shkollat, strehimoret a radhët kilometrike të qytetarëve që po lëshonin vatrat e tyre në drejtim të jugut, më urdhër të ushtrisë.
Konferencat për shtyp të mjekëve, që rrethoheshin prej trupave të pajetë kanë për t’u mbajtë mend gjatë, ani se njeriu priret për të harru lehtësisht dhimbjen e tjetrit. Pamje të tilla nuk përsëriten shpesh; ndaj në mos prej pastërtisë së Shpirtit, atëherë si copëza filmash horror ato skena makabriteti nuk kanë me u shkul aq kollaj.
Cili je ti?
Për ditë të tëra, ne kemi parë të vegjlit palestinezë duke i shkruar emrat në parakrahët e tyre, si mënyrë kjo për t’u identifikuar në rastet emergjencash, pas hedhjes së bombave mbi “kafshët njerëzore”.
Po, kësaj herë ne pamë, më nga afër, shkëlqyeshëm të elaboruar, mes mllefit dhe urrejtjes, perceptimin, përkufizimin, konsideratën dhe mendimin mbi palestinezët prej një dore politikanësh izraelitë. Portretizimi i viktimave si “kafshë njerëzore” shpejt u kthye në frymëzim e parullë për ushtarët trushpërlarë që ndër tjerash hedhin godina në ajër, si dhuratë modeste për 2-vjetorin e vajzave të tyre.
Të marrësh jetë për ta zgjatur jetën tënde! Të shkrumbosh jetë, për t’i ndezur qirinjtë në tortën e datëlindjes së bijës tënde. Ehe, goxha demokraci. Goxha Perëndim!
Këtu, ne kthehemi edhe një herë në pikën zero. Aty, ku ti kupton mes dënesës se:
në Luftë,
TI je Hiç ma shumë e Hiç ma pak se nji Hiç!
Ti je buburrec. Je gjethe vjeshte. Je numër që duhet me u sos.
O Hiç bre, Hiç!
Je Hiç ne sytë e nji bote qorre. Je Hiç për zemrën e nji bote të zhytun në terr e ferr!
sepse Therrê e ferr asht lufta!
Helm e vner asht heshtja!
Koha nuk Ecën meqë Akrepat e Orës kanë me u thye prej randesës së trupave që presin me pushue dikund, në banesën e mramë.
* në luftë, nata asht ma e gatë se dita kurse ditës, nuk ja (d)uron djellin. Honedon e lyp shiun për m’i tremb flakët e zjarrmisë së shpirit!
në luftë,
shpesh, Ti e përmend emnin tand ose
Emnin ia difton atyne që rrijnë ngjitun teje;
me merakun se,
kushdo që ka me pshtue
dro veç n’epitáf
Emnin e nji Hiçi mundet me shkrue!
Kronikë nga lufta
me dashje,
jo aksidentalisht
deri sot,
të zgjedhunit e nji zoti që se njeh kush
veç veteve të tyne,
prej menjes së shfrenume, djallëzisht
me sukses të epërm
i pushkatuan, masakruan,
i sosën e përvëluan,
10,400 (+) trupa palestinezësh,
vendalinjë.
4281 prej te cileve
FEMIJE.
Degët e ullinit,
dhe rrjetat e peshkimit
s’patën ma shumë fat,
prej fosforit, edhe ato u përzhiten pak nga pak.
+ 2660 të zhdukun
me mjete rrethanore kërkohen.
ndërsa qefinët për dasmorët e Bardhë
dhuratë i nisen disa që me flori mbulohen!
Në horizont, asnjë marrëveshje
as armëpushim.
të fortët heshtin;
Njerëzimi bashkohet shesheve, tanë ngashërim!
Lufta vazhdon.
Gjenocid
që deri n’shfarosje s’mbaron.
Prindërit pëshpërisin Lutje me përgjërim
e Vllait që e vranë,
dikush ia mori ca fije floku per kujtim.
Lufta
vazhdon.
(8 nëntor 2023)[1]
Me kujdes të epërm, për t’mos i prishur tymnajën e duhanit asnjë ofiqi intelektual, më duhet thënë se këto javë na kanë dëftuar hapur egërsinë e paepun të atyre që kollajshëm e kanë harruar të kaluarën e trishtë të gjyshërve fatpak.
Teatri i Vdekjes – orkestruar mizorisht prej politikave naziste në Izrael i përdhosi teoritë e dhjetra intelektualëve dhe thirrjen e shtrirë në dekada të tëra për të mos e harruar Dhimbjen e hebrenjëve. Do kisha dashtë tani të parafrazoja Kritikën e Mendjes së Kulluar të Kantit ose copëza prej Orientalizmit të Saidit, por në këtë kohë ngjan sikur fjalës i ka humbur pesha edhe rrënja. Jemi lakuriq indiferentë dhe shpërfillës. Profesorët, që dikur na flisnin për Etikën, Moralin, Holokaustin dhe të Drejtën, sot Heshtin e bëjnë sikur asgjë s’po ngjet. Feministet tek-tuk kërkojnë armëpushim të menjëhershëm, teksa një grup tjetër rroket për t’u bashkuar VETËM me gratë izraelite, për t’mos përmendur pastaj (se e ndjej të rëndë) pjesën tjetër të feministeve radikale, që as duan e as dinë seç po heqin gratë palestineze me dhe pa vel mbi supe, mes vdekjes dhe dhunës sistematike.
Mediat, në shumicë rastesh, e kanë shitur lirë zanatin e tyre të fisëm. Pra, në aq herë sa ç’mund të raportojnë mbi situatën në Rripin e Gazës, gazetarët, që kaherë i kanë bojatisur fjalët me ojna – bojna, “pa dashje” publikojnë shifra palestinezësh të vdekur dhe, nga ana tjetër, me zërin që u dridhet nga dhimbja e pafuqia, tregojnë për vrasjet e izraelitëve. Ç’botë e padrejtë! Dikush vdes e dikush mbytet; dikush vdes e dikush vritet!
14 nëntor 2023
kur telat e rrymës i kput kollaj Demokracia,
dhe inkubatoret bahen akull,
Njerëzimi mbetet shakull.
Në kërkim të armiqve që supozohej se rrinin fshehur diku në spitalet edhe ashtu të sakatuara, ushtria e Përzgjedhur vendos t’i vë në shënjestër edhe njësitë e kujdesit intensiv të të sapolindurve në Gaza. Ndërkohë, mjekët bënin përpjekje të dëshpëruara për të gjetur burime energjie dhe ilaçe bazë për pacientët e tyre të vegjël, të cilët mund të vdisnin brenda pak minutash nëse inkubatorët e humbnin fuqinë e fikeshin.
Për Perëndimin dhe Lindjen e naftës e florinit as kjo skenë dhe as skena të tilla makabriteti nuk mjaftonin për t’u këndellur. Ndërkaq, palestinezët në paçin jetë me prit fundin e këtij gjenocidi, vështirë se do ia dalin të harrojnë a t’i falin ata që i detyruan t’i fotografojnë foshnjat e shpërfytyruara nga bombat e plumbat, si thirrje për ndihmë e armëpushim.
në varret,
masive
që orë e çast hapen
nuk mblidhen të vdekunit.
në to, Demokracitë e rreme flaken.
(16 nëntor 2023)
/revistashenja