Google vazhdoi të ofrojë teknologji të inteligjencës artificiale (IA) për sistemin izraelit të mbrojtjes, pavarësisht përpjekjeve publike për t’u distancuar nga operacionet ushtarake të vendit, transmeton Anadolu.
Sipas një raporti nga Washington Post, Google ka mbështetur Ministrinë e Mbrojtjes dhe ushtrinë izraelite me mjete të inteligjencës artificiale që nga fillimi i sulmeve të saj në Gaza më 7 tetor 2023, edhe pse punonjësit e saj protestuan dhe shprehën pakënaqësi.
Dokumentet e kompanisë zbulojnë qasjen e përshpejtuar të Google në shërbimin e tij Vertex AI për Ministrinë e Mbrojtjes të Izraelit. Komunikimet e brendshme tregojnë se punonjësit e Google ishin të shqetësuar për humbjen e mundshme të kontratave me konkurrentët si Amazon, nëse nuk siguronin shpejt qasje në teknologjinë IA.
Një dokument i nëntorit 2023 flet për një punonjës të Google, i cili i falënderohet një kolegu për lehtësimin e kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes. Dokumentet shtesë nga pranvera dhe vera e vitit 2024 treguan përpjekjet e vazhdueshme për t’i siguruar ushtrisë izraelite qasje të zgjeruar në teknologjitë e IA-së.
Dokumentet nga nëntori 2024 tregojnë se ushtria izraelite vazhdon të kërkojë teknologjitë më të fundit të IA-së të kompanisë Google, duke përfshirë qasjen në platformën Gemini AI të kompanisë, për përpunimin e teksteve dhe zërave, edhe pasi kaluan një vit me bombardime të gjera në Gazës.
Washington Post vuri në dukje se teksa dokumentet demonstronin mbështetje të vazhdueshme me teknologji të IA-së, ata nuk specifikuan saktësisht se si Ministria izraelite e Mbrojtjes planifikoi të përdorte teknologjitë e kompanisë Google ose ndikimin e tyre të saktë në operacionet ushtarake.
Google nuk i ka komentuar publikisht këto raportime, megjithëse ka të dhëna të mëparshme të bashkëpunimit midis Izraelit dhe kompanive të mëdha të teknologjisë për të intensifikuar shtypjen e tij ndaj palestinezëve.