Për jetën dhe veprën e Sami Frashërit dimë shumëçka, por jo edhe për mësuesin e tij të parë, Mahmud Efendiun nga Tetova, i cili në teqenë e Frashërit ia mësoi Samiut njohuritë e para për gjuhët arabe, perse dhe turke. Sami Frashëri më pas mësoi edhe disa gjuhë europiane në shkollën e njohur “Zosimea”. Njohja e gjuhëve i mundësoi që t’i zgjeronte dituritë për letërsinë, historinë dhe filozofinë perëndimore dhe lindore.
Salajdin SALIHU, Tetovë
Ishte 18 qershori i vitit 1904 kur në Stamboll pushoi në paqe eruditi, poligloti, enciklopedisti, përkthyesi, shkrimtari dhe gjuhëtari Sami Frashëri, i cili, falë veprës voluminoze dhe shumëpërmasore, siguroi vend nderi në historinë dhe kulturën shqiptare.
Sami Frashëri punoi me zemër e shpirt për kulturën shqiptare. Botoi enciklopedi, fjalorë, tekste shkollore, libra letrarë, dramaturgjikë, gramatikorë, doracakë për shkenca të ndryshme, por edhe shkrime publicistike.
Frashërlinjtë i dhanë emra të njohur kulturës dhe historisë shqiptare. Abdyl Frashëri ishte njeriu i veprimit politik. Naimi ishte poeti dhe iluministi. Samiu ishte mendimtari dhe shkrimtari. Mid’hat Frashëri ishte veprimtari politik, publicisti dhe shkrimtari.
Naimi dhe Samiu kontribuuan edhe për kulturat dhe gjuhët osmane e perse. Ky kontribut i nderon dy figurat e Rilindjes Kombëtare.
Për jetën dhe veprën e Sami Frashërit dimë shumëçka, por jo edhe për mësuesin e tij të parë, Mahmud Efendiun nga Tetova, i cili në teqenë e Frashërit ia mësoi Samiut njohuritë e para për gjuhët arabe, perse dhe turke. Sami Frashëri më pas mësoi edhe disa gjuhë europiane në shkollën e njohur “Zosimea”. Njohja e gjuhëve i mundësoi që t’i zgjeronte dituritë për letërsinë, historinë dhe filozofinë perëndimore dhe lindore.
Vetëm një erudit dhe poliglot si Sami Frashëri mund të shkruante një Enciklopedi voluminoze dhe monumentale, e cila përmban të dhëna shumë të çmuara edhe për personalitete dhe vendbanime shqiptare. Enciklopedia e botuar në gjuhën turke u shërbeu si referencë shumë autorëve europianë dhe ishte burim informacionesh edhe për Vjetarin e Kosovës (1896).
Edhe veprat letrare dhe shkencore të Sami Frashërit u botuan në disa gjuhë dhe u vlerësuan. Sot ai nderohet me respekt të veçantë në kulturën shqiptare, por edhe turke. Për një komb është nder kur personalitetet e tij nderohen në sisteme të tjera kulturore.
Histori, aktualitet, vizion
Një sprovë e rëndësishme e Sami Frashërit është Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhëtë? (Bukuresht, 1889), që është quajtur program politik e ideologjik “për shpëtimin e mëmëdheut nga rreziqet që e kanë rrethuar” dhe për themelimin e organizimin e shtetit të pavarur shqiptar.
Sami Frashëri aty shkroi për të kaluarën, aktualitetin dhe të ardhmen e shqiptarëve. Ai u bazua në modelin e racionalistëve europianë: duke e njohur të kaluarën, të njohim të tashmen, që të krijojmë vizion të qartë për të ardhmen.
Sami Frashëri besoi se nëpërmjet mbrothësisë kulturore dhe arsimore mund të sigurohej mbrothësia kombëtare. Një komb mund të përparojë vetëm kur ka ideale të qarta. Idealet parësore të shqiptarëve, sipas Sami Frashërit, duhej të ishin: besimi në Zot, në drejtësi, në komb, në gjuhë dhe të punonin të bashkuar dhe pa përçarje. Pra, si vëllezër, si një trup e mendje për një qëllim dhe një besë.
E kaluara
Në këtë sprovë, Sami Frashëri shkroi në fillim për të kaluarën. Sipas tij, shqiptarët ishin popull i lashtë, më i vjetër se grekët e latinët dhe, pavarësisht dallimeve rajonale e dialektore, ishin unik dhe e flisnin të njëjtën gjuhë. Ai mendonte se shqiptarët ishin me origjinë pellazge. Kjo tezë ishte shumë e përhapur në mesin e rilindësve shqiptarë. Ata e theksonin qëllimisht lashtësinë e shqiptarëve dhe unitetin kombëtar, për të dëshmuar se ishin autoktonë dhe duhej të kishin shtetin e tyre të pavarur, për sa kohë që qarqet politike të shteteve fqinje, por edhe europiane, propagandonin shpesh se shqiptarët nuk kishin unitet kombëtar; se nuk kishin gjuhë të përbashkët; se nuk kishin traditë shtetërore; se nuk kishin aftësi që ta organizonin shtetin e tyre të pavarur. Madje thuhej se ekzistenca e shtetit shqiptar paraqiste rrezik për shtetet e Ballkanit…
Për Sami Frashërin, shenja kryesore identitare e shqiptarëve ishte gjuha shqipe, “më e lashta, më e bukura dhe shoqe me greqishten e vjetër, latinishten e sanskritishten”, e cila mund të ruhej dhe të kultivohej vetëm nëpërmjet librave dhe shkollave.
Ai shkroi edhe për historinë e Shqipërisë dhe për pushtimet e ndryshme, por edhe për principatat e vogla dhe të përçara shqiptare. E veçoi periudhën e Skënderbeut, kur Shqipëria funksionoi “me një mbret trim e të zotë”. Europa, sipas tij, edhe pse i vari shpresat te Skënderbeu, sërish nuk ia kurseu intrigat. Pas vdekjes së tij, Shqipëria ra në duart e osmanëve. Më pas shqiptarët shërbyen në ushtrinë dhe administratën e Perandorisë. Ata vetëqeverisnin brenda Shqipërisë, kurse Perandorisë Osmane i dhanë 26 vezirë të mëdhenj dhe ndër më të dëgjuarit në historinë osmane. Në këtë perandori ata gjetën atë që donin: nder, armë, kuaj, rrëmbime dhe liri arbitrare, kurse osmanët gjetën te shqiptarët: trimëri, besë dhe gjak të derdhur pa kursim.
Shqiptarët i dhanë Perandorisë Osmane edhe dijetarë e poetë të shquar.
“Në kohët të Tyrqet kan’ ardhurë shumë Shqipëtarë të diturë, që kanë shkruar livra e vjersha turqisht a arabisht. Vetëm vjershëtarëtë shqipëtarë, që kanë shkruarë vjersha turqisht, janë aqë të shumtë sa emënat e tyre mundt të mbushinë një livrë të tërë. Jahja-Beu, q’është një nga më të mbëdhenjt’ e nga më të dëgjuarëtë e vjershëtarëvet tyrq, është shqiptar”.
Sami Frashëri shkroi se nga shumë personalitete me origjinë shqiptare, që punuan për idealet dhe kauza të huaja, “vetëm një Skënderbe ka punuarë, në kohërat e shkuara, për Shqipërinë e vetëm ay është me të vërtetë mburje për Shqipërinë.”
Aktualiteti
Në pjesën e dytë, Samiu u fokusua tek aktualiteti. Sipas tij, në të kaluarën shqiptarët nuk ishin bërë robër të turqve, por shokët e tyre. Duke vepruar kështu, Shqipëria “ish e dlirë e pothuaj me vetëhe”. Kështu kishte ndodhur për qindra vjet, derisa gjendja kishte ndryshuar dhe shqiptarët ishin bërë robër, të poshtëruar, të uritur, të shkelur dhe të shpërndarë. Gjendja e tyre ishte bërë më e keqe se e grekëve, sllavëve, armenëve dhe hebrenjve. Shqiptarët vdisnin në luftime, nga sëmundjet dhe kushtet e rënda për qëllimet e perandorisë. Përveçse rëndoheshin nga taksat e shumta, ata jetonin në vend pa qeverisje. Anarkia shkaktonte përçarje e vrasje të çdoditshme, ndonëse Shqipërisë së varfër e të paditur nuk i mungonin njerëzit e zotë për ta qeverisur vendin.
E ardhmja
Sami Frashëri e projektoi edhe shtetin e ardhshëm shqiptar. Ai do të duhej që të ishte shtet demokratik, laik, i qytetëruar dhe me institucione moderne. Madje, krijoi neologjizma për emërtimin e institucioneve dhe për postet udhëheqëse, sikurse: kryeministër, kryeshkronjës [kryesekretar], gjithurdhërim [republikë], kombëri [kombësi], nënëkrye [nënkryetar], nënëgastrë [rreth], nënkatundar [nënkryetar bashkie], qeverindar [prefekt, guvernator], nënëqeverindar [nënprefekt], katundëri [qark, krahinë], ushtare [kazermë], gjithëmësime [universitet], yjeshkronjë [observator] etj.
Sami Frashëri i kushtoi shumë rëndësi arsimit. Sistemi shkollor duhej të përfshinte: arsimin fillor, të mesëm, të lartë, por edhe arsimin profesional (shkollë ushtrie, metalurgjie, bujqësie etj.).
Arsimi fillor duhej të ishte i detyrueshëm, pa pagesë, laik, gjithëpërfshirës, në gjuhën shqipe, për djem e vajza, për shqiptarë e pakica dhe duhej të zgjaste nga mosha 7 deri 13 vjeçare.
Përveç shkollave fillore dhe të mesme, Shqipëria duhej të kishte edhe “një gjithëmësime (universitet), një shkollë ushtërije, një për metaletë e për pyjetë, një për bujqësinë edhe shumë të tjera për dituri e për mjeshtëri të veçanta”. Universitete duhej të kishte në “Shqipërinë e Sipërme” e “në të Poshtërmet”, kurse “shkoll’ e aniërisë” (marinës) duhej të ishte pranë detit, në Durrës ose në Vlorë.
Në vendet ku fliteshin gjuhët tjera (bullgarisht, greqisht, vllahisht), nxënësit duhej të mësonin bashkërisht gjuhën e tyre dhe gjuhën shqipe.
Shkollat e larta duhej të ishin në gjuhën shqipe, kurse pakicat mund t’i themelonin shkollat edhe në gjuhën e tyre.
Shteti shqiptar duhej të kishte bibliotekë të madhe, me shumë libra “të shkruara të nevojta e të vyera në gjithë gjuhët, që munt të merenë vesh në Shqipëri”; një “këshillë diturije” (akademi), që do të kujdesej për gjuhën e librat, si dhe “shtypëtore” (shtypshkronja) për shtypjen e librave shkollorë dhe revistave “për të xgjuarë Shqipëtarëtë”.
“Ministria e diturisë” (e shkencës) duhej që të krijonte shoqëri të ndryshme për gjeografinë (dheshkronjënë), historinë, gjeologjinë (dhekërkonjënë) dhe të botonte revista shkencore.
Në kryeqytetin shqiptar duhej të kishte shkolla për gjuhët e huaja, gjegjësisht për gjuhët e reja të Europës (“francishtja, gjermanishtja, italishtja, ingjlishtja, slavishtja, greqisht’e re etj.”) dhe për gjuhët e vjetra (“greqisht’ e vjetërë, latinishtja, arabishtja, persishtja, sankrishtja, etj.”).
Përveç shkollave, bibliotekave dhe akademive, Sami Frashëri mendonte se duhej të zhvillohej edhe arkeologjia. Në Shqipëri duhej të ndërtohej muzeu i përgjithshëm, ku do të ruheshin artefaktet e gjetura në Shqipëri, por edhe muze “për istori të naturtë”, pra muzeu botanik dhe zoologjik.
Pjesëtarët e pakicës s’do të mund të punonin në administratë, “në nonjë punë të qeverisë” ose “në këshilla” nëse s’do ta dinin shqipen. Pra, gjuha zyrtare do të ishte shqipja.
Sami Frashëri, në këtë sprovë, shkroi edhe për postet, administratën, buxhetin dhe gjithçka tjetër që lidhej me funksionimin normal të një shteti modern.
Sprova Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhëtë? na bind se për realizimin e një projekti madhor duhej strategji afatgjate dhe jo veprime që i imponon çasti. Këtë strategji mund ta krijonin vetëm njerëzit me dije të thella. I tillë ishte edhe Sami Frashëri, veprat e të cilit janë thesar jo vetëm për kulturën shqiptare, por edhe për atë botërore. /revistashenja