Një muaj pas përmbytjeve të mëdha, Spanja me vështirësi i rikthehet normalitetit

Përpjekjet për rikuperim vazhdojnë në pjesën jugore të Spanjës, një muaj pas përmbytjeve shkatërruese ku humbën jetën 230 persona, raporton Anadolu.

Në Valencia, rajoni i prekur më rëndë nga përmbytjet e 29 tetorit, më shumë se 100 mijë prona u dëmtuan, ndërsa 18 shkolla me afro 10 mijë nxënës mbeten të mbyllura dhe 4 persona ende llogariten të zhdukur.

Autoritetet lokale të Valencias njoftuan se shkollat ​​janë rihapur gradualisht që nga 11 nëntori, ku 38.186 nxënës që janë kthyer në klasat e tyre. Megjithatë, disa prindër po refuzojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre në disa shkolla, duke theksuar dëmtimin e madh në shkollat ​​e tyre lokale.

Ministria spanjolle e Punës njoftoi se 27.765 punëtorë kanë aplikuar për përfitime të përkohshme.

Gjithsej 17 mijë ton baltë dhe gjëra shtëpiake të dëmtuara janë hequr nga rrugët e qytetit të përmbytur gjatë muajit të kaluar, me rreth 90 kamionë që ende punojnë për pastrim.

Në zonat më të goditura si Paiporta, Utiel, Alcudia dhe Chiva, balta ende mbulon rrugët dhe automjetet mbeten të dëmtuara nga përmbytjet.