Ballina Lajmet Kosovë Një muaj paraburgim serbit për krime lufte

Një muaj paraburgim serbit për krime lufte

Në pikën kufitare me Serbinë, në Jarinë, autoritetet kosovare kishin arrestuar serbin Dejan Slaviq, i dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.S, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale, Krimet e luftës kundër popullatës civile, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ, aktualisht e penalizuar me nenet 31 dhe 153 të KPRK, sepse në kundërshtim me nenin e përbashkët 3 e 4 Konventave të Gjenevës, të datës 12 gusht 1949, të neneve 4 dhe 5 (1) të Protokollit 2 të datës 08 qershor 1977, shtojcë e Konventave të Gjenevës të vitit 1949, të gjitha rregullat e ligjeve ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë.

Të pandehurit D.S i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji dhe atë duke filluar prej dt.05.05.2018 deri me dt.05.06.2018.

Gjykata ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.S, si dhe ka marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete për ta siguruar praninë e të pandehurit dhe pas analizimit të tyre, ka konstatuar se masa e paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për zhvillimin e pa penguar të procedurës dhe sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale, bazuar në nenet 187 par.1 nënpar1.1 dhe 1.2 të KPRK-së.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Exit mobile version