Avokati i Murat Jasharit, Emrush Kastrati, të martën bëri të ditur se klientit të tij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh për plagosjen e avokatit Azem Vllasi, ndërsa po e njëjta masë paraburgimi i është shqiptuar edhe Avni Llumnicës.
Kastrati ka thënë se në këtë drejtim nuk ka bazë sa i përket kësaj vepre penale dhe se klienti i tij nuk ka pasur qëllim ta kryejë këtë vepër penale.
Sipas tij, Murat Jashari ka probleme mendore dhe tha se ka kërkuar që i njëjti të trajtohet në psikiatri.
Ai tha se klienti i tij e ka pranuar veprimin, por që nuk qëndron pohimi se ka një listë të personave sikurse është thënë për t’i eliminuar.
Ndërkaq, Naim Rudari, avokati i Avni Llumnicës bëri të ditur se gjykata i ka caktuar paraburgimin prej 30 ditësh. Sipas Prokurorisë Speciale ai ngarkohet me veprën penale hakmarrje në ndihmë. Sipas tij nuk është argumentuar me prova.
Ndryshe, sot është mbajtur seanca dëgjimore rreth masave që do të merren ndaj Murat Jasharit dhe Avni Llumnica, të cilët u arrestuan dje si të dyshuar për plagosjen e avokatit Azem Vllasi para banesës së tij në rrugën “Hajdar Dushi”.