Një muaj paraburgim ndaj serbit që sulmoi KFOR-in në Zveçan

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj serbit, Marko Dantiq, i cili u arrestua për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan në maj të vitit 2023.

Sipas njoftimit të Gjykatës, rasti është inicuar si vepër penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale të të pandehurit M.D, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale ‘Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese’, ‘Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare’, ‘Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi’ dhe veprën penale ‘Sulmi ndaj personit zyrtar’. Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin M.D dhe të njëjtit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në njoftim./