Ballina Artikuj Një metodë efikase për të ndëshkuar fëmijët

Një metodë efikase për të ndëshkuar fëmijët

Xhasim Mutawa

Një nënë tha: Kam dy djem, njëri gjashtë vjeç dhe tjetri nëntë vjeç. Jam lodhur duke i ndëshkuar dhe nuk shoh asnjë rezultat. Çfarë duhet të bëj?

I thashë: A ke provuar metodën “e zgjedhjes me ndëshkim”?

Ajo u përgjigj: “Jo, nuk e njoh këtë metodë. Çfarë do të thotë?”

I thashë: Para se të flasim për këtë metodë, është e rëndësishme të biem dakord për një rregull kryesor që ka të bëjë me  mënyrën se si ne duhet të ndreqim sjelljen e fëmijëve. Çdo fazë e jetës së tyre ka vështirësitë e veta dhe kërkon qasje të ndryshme për edukim. Megjithatë, metoda “e zgjedhjes me ndëshkim” është e përshtatshme për të gjitha moshat dhe ka dhënë rezultate pozitive.

Para se të përdorim këtë metodë, në rradhë të parë duhet të sigurohemi nëse fëmija ka bërë një gabim me dashje apo padashje. Nëse ai ka gabuar padashje, nuk ka nevojë për ndëshkim, mjafton një vërejtje e thjeshtë. Por nëse fëmija e përsërit të njëjtin gabim ose bën një gabim me dashje, atëherë ne mund të përdorim metoda të ndryshme disiplinimi, si: ta privojmë nga privilegjet, të zemërohemi, por jo me e goditur ashtu sikur mund të përdorim edhe metodën e “zgjedhjes me ndëshkim”.

Çfarë është kjo metodë?

Kjo metodë konsiston në atë se ne duhet t’i kërkojmë fëmijës të ulet vetëm dhe të mendojë për tre ndëshkime që ai do të sugjeronte për veten e tij. Për shembull: t’i merren apo të privohet nga lekët, t’i ndalohet që të shkojë tek shoku një javë apo mos ta përdorë telefonin për një ditë. Prindërit zgjedhin njërin prej këtyre ndëshkimeve dhe fëmija e zbaton atë mbi veten. Nëse fëmija propozon ndëshkime që nuk janë të përshtatshme, si: të shkojë të flejë, të heshtë për një orë, ose të rregullojë dhomën, atëherë i kërkohet të sugjerojë tre ndëshkime të tjera.

Ajo kundërshtoi dhe tha: Po, ndëshkimet që ai propozon mund të mos më kënaqin!
I thashë: Ne duhet të bëjmë dallimin midis disiplinës dhe torturës! Qëllimi përmes disiplinës është që të rregullojmë sjelljen, dhe kjo kërkon durim, ndjekje të vazhdueshme, dialog dhe orientim. Por, nëse ne i ulërasim ose e godasim ashpër, kjo është torturë dhe jo disiplinë. Problemi qëndron se kur ndëshkojmë fëmijët, nuk i ndëshkojmë aq sa është masa e gabimit të bërë, por shpeshherë ndodh që ne e ndëshkojmë atë më tepër seç duhet për shkak të zemërimit tonë, apo për shkak të stresit që kemi. Dhe kështu fëmijët bëhen viktima të tensioneve dhe streseve tona të përditshme. Prandaj shpeshherë ndodh që ne ndiejmë keqardhje për reagimin (e keq) e mënjëhershëm ose për mos kontrollimin e nervave.

Pastaj i thashë asaj: Një gjë tjetër e rëndësishme  e kësaj metode është se kur ti i thua djalit tënd: shko, ulu vetë dhe mendo për tre ndëshkime,dhe unë do të zgjedh njërën prej tyre, në vetvete ky është një proces edukimi, sepse fëmija flet me veten e tij. Padyshim ky veprim është i mirë që ndikon në ndreqjen e gabimit.

Ajo tha: Pasha Alalhun, kjo është një ide gjeniale, të cilën do ta provoj.

I thashë: Unë e kam provuar personalisht dhe ka funksionuar. Njoh shumë familje që e kanë provuar dhe ka dhënë rezultate pozitive, sepse kur fëmija e zgjedh vetë llojin e ndëshkimit dhe e zbaton, përleshja bëhet midis fëmijës dhe gabimit të tij dhe jo midis fëmijës dhe prindërve. Kështu ne arrijmë të ruajmë lidhjen e dashurisë prind-fëmijë, dhe gjithashtu respektojmë personalitetin e tij dhe ruajmë dinjitetin e tij, pa e përçmuar ose nënçmuar. Kushdo që e shqyrton metodën se si Profeti Muhamed (a.s) i ka disiplinuar gabimtarët do të vërejë se ai i respektonte dhe i nderonte ata dhe në asnjë rast nuk i ka pasë nënçmuar. Kjo shihet qartë në historinë e Gamidijes, e cila kishte kryer imoralitet dhe u ndëshkua me masën e caktuar nga sheriati për këtë mëkat. Kur një prej sahabëve e ofendoi atë, Profeti (a.s) tha: “Ajo është penduar, pendimi i saj është kaq i sinqertë saqë nëse do të shpërndahej tek të gjithë banorët e Medines do t’i mjaftonte.”

Kështu pra, ai që ka gabuar duhet të respektohet pavarësisht se duhet të disiplinohet.

Pastaj gruaja u largua dhe u kthye pas një muaji dhe tha: Metoda që më sugjerove që të përdor me femijët e mi ka funksionuar. Tani është më e lehtë të kontrolloj zemërimin tim dhe tani janë ata që e zgjedhin vetë ndëshkimin dhe e zbatojnë atë. Të falënderoj shumë për këtë ide. Por do doja të dija se si arritët tek kjo metodë e shkëlqyer disiplinimi?

I thashë: Kam mësuar nga metoda e Kuranit. Allahu na jep tre mundësi për atë që ka bërë një gabim, si për shembull për ata që bëjnë marrëdhënie intime gjatë ditës së Ramazanit ose për ndëshkimet e betimit, etj. Kjo është një metodë që ndihmon të sqarosh më mirë ndëshkimin, duke i dhënë personit mundësi zgjedhjeje. Sheriati islam ofron tri mundësi për atë që gabon, dhe kjo është një metodë e mrekullueshme dhe edukative.”

Ajo tha: Pra kjo është një metodë edukative që e mësojmë nga Kurani!

I thashë: Po, Kurani dhe Suneti përmbajnë metoda edukative të shkëlqyera për të përmirësuar sjelljen e njerëzve të të gjitha moshave, pasi Zoti është Krijuesi i shpirtrave dhe Ai e di se çfarë i bën ata të përmirësohen. Metodat e disiplinës janë të shumta, dhe njëra nga to është metoda që të shpjegova për “zgjedhjen e ndëshkimit.”

Ajo u largua e lumtur dhe e sigurtë se do të mund të rregullonte sjelljen e fëmijëve të saj.

Autor: Xhasim Mutaua

Përktheu: Elton Harxhi

Exit mobile version