Ballina Kulturë “Një mbrëmje në Majemi”

“Një mbrëmje në Majemi”

“Një mbrëmje në Majemi” është film-dramë ku personazhe kryesore janë Malkolm X-aktivist për të drejtat e zezakëve në ShBA, boksieri Kasius Klej (Cassius Clay)-kampion i botës në boks, këngëtari i famshëm Sem Kuk (Sam Cooke) dhe futbollisti më i mirë i kohës Xhim Broun(Jim Brown). Këta të katërt takohen në Hampton House Motel në Majemi më 25 shkurt 1964, në mbrëmjen kur Kasius Klej në moshën 22 vjeçare u shpall kampion bote në boks. Këta ishin fytyra të njohura dhe të shquara të kohës, kur në Amerike njerëzit me ngjyrë kërkonin të drejta të barabarta, dhe këta të katërtit ishin shembuj për frymëzim.
1. Filmi fillon me Kasius Klejin, i cili ndeshet në ring me synimin për tu bërë kampion i botës e që me lehtësi e grushtonte kundërshtarin, duke i bërë lëvizjet e famshme me këmbë, por që në një moment të caktuar kundërshtari ia jep goditjen e vetme që Kasiusin do ta shtrijë në dysheme.
2. Sem Kuk merr pjesë si këngëtar në një event të rëndësishëm në Kopakabana, por që nuk i kishin rezervuar një vend për tu ulur, e iu desh të priste në këmbë derisa t`i vinte koha për të kënduar, se njërëzit me ngjyrë nuk pranoheshin që të uleshin në hapësirë të përbashkët me të bardhët. Bile, organizatorët ishin angazhuar që pjesëmarrja e Semit në këtë event të dështonte, gjë që edhe ndodhi.
3. Xhim Braun viziton një veteran, i cili e priti Xhimin në verandën e shtëpisë dhe e vlerëson lartë Xhimin. Megjithatë, ai nuk pranoi që Xhimi të futej brenda në shtëpi, sepse ishte e ndaluar që zezakët të hynin në shtëpitë e të bardhëve, qoftë edhe si mysafirë.
4. Malkolm X kthehet në shtëpi nga një takim që kishte në lëvizjen “Kombi Islam”, e që po mendonte që të largohej nga kjo lëvizje dhe të themelonte lëvizjen e tij qytetare për të drejtat e njerëzve me ngjyrë.
Më 25 shkurt 1964 Kasius Klej në ringun e Miami Beach Convention Center ndeshet për tu bërë më i forti dhe më i famshmi në boksin e kategorisë së peshave të rënda. Të ftuar të veçantë për ta përcjellur këtë ndeshje dhe për ta kremtuar fitoren e paramenduar ishin Malkolm X, Sem Kuk dhe Xhim Braun. Ngjarja në ring ndodh pikërisht ashtu siç edhe ishte paraparë: Kasius Klej, 22 vjeçar, i ri, i fortë, i shpejt, i fuqishëm, energjik, i palodhshëm, llafazan, i papërmbajtshëm,…pa asnjë gërvishtje në fytyrë, fiton dhe shpallet kampion botëror në boksin e peshave të rënda. Një arsye e madhe që këta të katërtit të takohen dhe ta kremtojnë këtë fitore. Takimi ishte planifikuar që të mbahej në Hampton House Motel.
I pari që arrin në motel është Sem Kuk. Para derës së dhomës së rezervuar të motelit po pritnin dy truprojet e caktuara nga Malkolm X: Kerimi dhe Xhemali. Truprojet e njoftojnë Semin se ata tre ende nuk kanë ardhur dhe se duhej t`i priste në dhomë. Semi i binte kitarës dhe këndonte, ndërsa dy truprojet u ndjenë me fat që po e dëgjonin Semin teksa ai këndonte.
E, kur ata të tre erdhën, Semi ende ishte i vetëm në dhomë duke kënduar. Kasius Klej ishte shume i entuziasmuar me fitoren dhe filloi të kërcente nga krevati në krevat, si “një fëmijë gjigant” duke thënë se kur më peshuan doli që i kisha 95 kilogram, por ata nuk i panë edhe 200 gramët që nuk ishin të mijat. Xhimi e shikon me habi dhe e pyet se çka janë ato 200 gram?! Kasius i thotë se 200 gramët janë aftësi hyjnore, të cilat ia kishte dhuruar Zoti. Kasius Klej ishte i bindur se fitorja e tij ishte mbështetur nga Zoti dhe se kundërshtari i tij ishte i pafe. Pastaj e citon thënien e Malkolm X-it: “Ndëshkimi që njeriu paguan kur i shmanget udhës së drejtësisë është se duhet të ndjekë udhën e zgjedhur krejt vetëm.”
Vjen çasti kur Xhimi dhe Semi e pyesin Malkolm X-in se si është plani i festimit të fitores, se ku dhe kur do të fillojë festa?! Malkolm X i përgjigjet se fitorja e Kasiusit duhet të përdoret si reflektim dhe se kësisoji nuk ka asgjë për të humbur, që nënkuptonte se nuk ka festim, s`ka të ftuar të tjerë dhe se kjo mbrëmje i takon vetëm këtyre të katërve, pa muzikë, pa alkohol, pa kërcime dhe pa femra. Për Semin ishte e çuditshme dhe e pakuptimt se si ishte e mundshme që i gjithë qyteti i Majemit po e festonte fitoren e Kasiusit, ndërsa Kasius po e flakte gjithë atë mundësi për të treguar dashamirësi.
Malkolm X ishte përgatitur që kjo mbrëmje të bëhet interesante, dhe në një çast vendos që të shkojë ta marrë fotoaparatin që e kishte lënë në veturë. Për të shkuar deri të vetura, atë e shoqëron Kerimi; njëri prej dy truprojeve. Duke marrë fotoaparatin prej veturës, Malkolm X e vëren se pak metra më lart, gjendet një kabine telefonike. I thotë truprojës se po shkon te kabina telefonike që t’i telefonojë familjes, sepse ai nuk do që të telefonojë prej telefonit të motelit, duke lënë të nënkuptohet se ato përgjohen, dhe se nuk i duron dot përgjimet e bisedave familjare. Në kohën kur Malkolm X fliste në telefon me familjen e tij, Xhemali-njëri prej truprojeve që qëndronte te dhoma e motelit ku kishim mbetur Kasius, Sam dhe Xhim, hyn në dhomë dhe kërkon autograf prej të treve. Në atë çast, Xhimi e pyet Xhemalin se si u bind që të bëhet mysliman dhe se si e përballon këtë?! Ai, Xhemali, i thotë se në fillim ishte vështirë, sepse i shkonte mendja te ushqimi i shijshëm i derrit që ia pergatiste gjyshja, por pastaj u mësova pa alkohol dhe pa mish derri. Ky Xhimi vazhdon me pyetje dhe i thotë se prej që je bërë mysliman, a e ke ndonjë pendesë?! Dhe këtu vjen përgjigjja brilante e Xhemalit: “Po, bile shumë”! Xhimi i thote Kasiusit se a po e sheh, ky paska pasur pendesa. Këtu ndërhyn Kasius dhe me kurreshtje i drejtohet Xhemalit: “Mirë, po a mund të na thuash se cila është ajo pendesë”. Përgjigja e Xhemalit, bëhet edhe më brilante kur thotë: “Kam pendesë të madhe se pse nuk jam bërë mysliman kur kam qenë më i ri”.
Malkolm X kthehet në dhome dhe e vazhdojnë diskutimin për të drejtat qytetare dhe njerëzore të njerëzve me ngjyrë, për mënyrën e jetesës dhe paraqitjeve në skenë të personave të famshëm etj. Ka edhe çaste interesante të kacafytjes ndërmjet tyre, ku ajo më e ashpra shfaqet atëherë kur Malkolm X i njofton se ka në plan të ndahet nga lëvizja “Kombi Islam” dhe se po mendon të themelojë lëvizjen ku ai nuk do të jetë i ndikuar nga askush. Në këtë çast Kasius e humb qetësinë dhe ndjehet i manipuluar dhe për pak sa nuk i bie me grusht Malkolm X-it, por atë e ndalin Xhimi dhe Semi. Malkolm X pasi i shpjegon arsyet e ndarjes dhe themelimit të lëvizjes së re, Kasiusi qetësohet dhe e merr të mirëqenë themelimin e lëvizjes së re.
Pas disa orëve diskutimi shumë interesant, një roje i njofton se kanë ardhur gazetarët dhe duan ta intervistojne Kasius Klejin. Kasius Klej pranon që të dalë para gazetarëve, dhe i thotë Malkolm X-it se edhe ti duhet të vish me mua. Malkolm X i thotë se nuk kam çfarë kërkoj unë aty, se ata duan të të intervistojnë ty si një boksier kampion bote që je. Kasius Klej i thotë se megjithatë unë dua që ti të jesh pranë meje derisa unë të jap intervistën.
Njëra ndër pyetjet e gazetarëve ishte se a është e vërtetë se Kasius Klej dëshiron të konvertohet në mysliman. Kasius Klej i përgjigjet me shumë krenari dhe ironi se ai nuk do të konvertohet, sepse ai tashme veç është mysliman dhe se të mos e quanin më Kasius Klej se ky është emër skllavi, porse emri i tij do të jetë Kasius X. Malkolm X e shikon me buzëqeshje dhe habi, sepse ishte dita e nesërme ajo që do të duhej të zbardhte e që Kasius Kleji do ta deshmonte islamin e tij.
Malkolm X (Malcolm Little, Malcolm X) 19.5.1925-21.2.1965 ka qenë aktivist i famshëm për të drejtat qytetare të afroamerikanëve dhe për të drejtat e njeriut. Malcom X ishte ndjekës i fesë islame dhe sipas tij, feja islame mund të rrëzonte çdo mur racizmi ndërmjet njërëzve. Edhe pse Malkolm X nuk ishte bir i një skllavi, mbiemri i tij origjinal kishte prejardhje nga një pronar, sepse skllevërve në ShBA u vihej mbiemri i pronarit të tyre të cilit familja e tij i kishte shërbyer shumë vjet më parë. Zgjedhja e shkronjës “X” si mbiemër erdhi për faktin se Malkolm X nuk donte të mbante një mbiemër prej skllavi.
Ai mbaroi shkollën fillore me nota të larta, duke u bërë nxënësi më i mirë i klasës, por që më vonë ai e la shkollën për faktin se një mësues i kishte thënë se “Të bëhesh avokat nuk ishte një objektiv i përshtatshëm për një zezak”.
Në momentin e largimit nga shkolla Malkolm X u transformua në një rrugaç, i cili e fitonte bukën e gojës duke bërë punë të ndryshme si kamerier në tren, lustraxhi këpucësh etj.. Më vonë vendosi të shkonte në Harlem të NjuJorkut, lagje e cila në ato vite ofronte mjaft mundësi për një njeri të rrugës.
Më 12.1.1946, në moshën 20-vjeçare, Malkolm X u arrestua dhe u dënua me 10 vjet burgim, i akuzuar për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje. Në burgun Charlestown State Prison i vunë nofkën “Satana”, për faktin se shante vazhdimisht Zotin dhe Biblën. Në vitin 1948, kur ishte ende në burg, mori letrën e vëllait Rexhinald, i cili i kërkonte të merrte pjesë në organizatën “Kombi Islam” (Nation of Islam-NOI).
Malkolm X në burg u frymëzua nga mësimet e liderit të NOI-t Elijah Muhammad. Me ndihmën e motrës arriti të transferohej në një burg më të butë. Pikërisht këtu ai filloi të shkruante dhe të lexonte në mënyrë marramendëse dhe arriti të kopjonte me dorë një fjalor, sepse donte të përmirësonte kaligrafinë. U lirua nga burgu më 7 gusht 1952.
Sapo doli nga burgu, ai shkoi menjëherë për ta takuar Elijah Muhamed. Në këtë periudhë ai vendosi të përdorte mbiemrin “X” për të refuzuar “mbiemrin prej skllavi”.
Në të njëjtin vit, u transferua pranë Elijah Muhamed në Çikago e më vonë u kthye në Boston dhe këtu filloi të përhapte mesazhin e NOI-t. Mësimet e tij u bënë të famshme deri sa arriti të sillte në NOI boksierin e famshëm Kasius Klej (Cassius Clay) i cili ndërroi emrin e tij në Muhamed Ali. Shumë shpejt Malkolm X u pozicionua në numrin 2 të organizatës “Kombi Islam” dhe u bë krahu i djathtë i Elijah Muhamed. Për shkak të kauzës së tij, arriti të sillte shumë njerëz në organizatën NOI, e cila pati një rritje të madhe nga viti 1952 deri 1963.
Gjatë një fjalimi që mbeti në histori, ai deklaroi: “Të drejtat njerëzore janë diçka që na janë dhënë që nga lindja, ato na janë dhënë nga Zoti. Të drejtat njerëzore janë ato të cilat të gjithë shtetet e botës i njohin. Islami i vërtetë më ka treguar se një dënim i të gjithë të bardhëve është i gabuar, po aq sa dënimi i të gjithë të zinjve. Në momentin e ardhjes nga Meka kam gjetur të vërtetën, kam zënë miqësi me shumë lloj njerëzish, të krishterë, çifutë, budistë, hindù dhe njerëz të cilët nuk besojnë te Zoti! Kam për miq njerëz që quhen kapitalistë, socialistë dhe komunistë! Disa janë të moderuar, konservatorë, ekstremistë, disa janë edhe Republikanë! Sot, miqtë e mi janë të zinj, të bardhë, të verdhë.” Më vonë Malcolm X bashkë me Peter Baily formoi një organizatë të quajtur “Organizata për Bashkimin e Afro-Amerikanëve” (OAAU) dhe ndryshoi mënyrën e organizimit; jo më fetar dhe racist, por për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në vitin 1964 Malkolm X dhe familja e tij kishim marrë kërcënime për vdekje dhe kështu ai filloi të mbrohej në të gjitha mënyrat e mundshme. Në atë periudhë, revista amerikane “Life” publikoi një foto të tij me një armë automatike në dorë, për të treguar sa seriozisht i kishte marrë ai këto kërcënime. Më 14 shkurt 1965, Malkolm X dhe familja e tij i mbijetuan një atentati me dinamit kundër banesës ku ato jetonin. Një javë më vonë, në 21 shkurt, gjatë një fjalimi për publikun në Manhatan, ai u vra me armë zjarri, në moshën 39-vjeçare. /mesazhi.com
Exit mobile version