Një maluer i ri i rrezikshëm quajtur “Voldemort” po godet kompanitë përmes një fushate phishing

E-mail-et phishing të Voldemort paraqiten sikur të jenë nga SHBA-ja, Europa dhe Azia.

Hulumtuesit e sigurisë nga Proofpoint paralajmëruan së fundi rreth një malueuri të ri quajtur “Voldemort” i cili po përhapet përmes e-mail-eve phishing dhe fshihet në brendësi të Google Sheets për të shmangur zbulimin nga sistemet e sigurisë.

Kompanitë, bizneset dhe organizatat në mbarë botën janë shënjestra e këtij malueri kryesisht në industritë e transportit, edukimit, sigurimit dhe hapësirës. Aktorët pas këtij malueri janë të panjohur ende por Proofpoint beson se është një formë spiunazhi kibernetik.

E-mail-et phishing të Voldemort paraqiten sikur të jenë nga SHBA-ja, Europa dhe Azia. Sipas raportit sulmuesit dizajnojnë e-mail-et për të qenë  në përputhje me vendndodhjen e organizatës që po imitojnë dhe përmbajnë lidhje për dokumente të supozuara rreth taksave.

Fushata e maluerit filloi më 5 Gusht dhe sulmuesit kanë dërguar mese 20,000 e-mail-e në mbi 70 kompani. Në kulmin e saj fushata arriti deri në 6,000 viktima potenciale.

Kur një viktimë klikon lidhjen, ato ridrejtohen tek një skedar që paraqitet si PDF dhe që mund të mos duket e dyshimtë në pamje të parë. Por malueri fshihet si trafik rrjeti dhe përdor Google Sheets për të sulmuar.

Qëllimi i tij kryesor është vjedhja e të dhënave por është i aftë edhe të shkarkojë maluerë të tjerë, të fshijë të dhëna apo të vetëçaktivizohet përkohësisht.