Një javë para zgjedhjeve në Maqedoni, partitë vazhdojnë të shpalosin premtimet

Në javën e fundit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit në Maqedoni, ku qytetarët e këtij vendi do të kenë mundësi të votojnë për 11 subjekte politike – pesë koalicione dhe gjashtë parti politike, partitë politike vazhdojnë të shpalosin Platformat e tyre për qeverisjen e ardhshme katër vjeçare në fushatën zgjedhore e cila përfundon në mesnatën e 9 nëntorit, raporton Anadolu Agency (AA).

Partitë në pushtet premtojnë vazhdim të politikave të tanishme të cilat sipas tyre kontribuojnë në anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, deklaron se partia e tij ofron zhvillim ekonomik, shtet sovran dhe të pavarur, unitar, pa kantone, si dhe shtet të bashkëjetesës. Ai paralajmëron rritjen e pensioneve për të paktën 10.25 përqind në katër vitet e ardhshme, ndihmat sociale në 50 përqind, ndërkohë edhe rritje graduale të pagës minimale në 14 mijë denarë.

Gruevski poashtu paralajmëroi hapjen e 70 mijë vendeve të reja të punës përmes projekteve të planifikuara, si dhe deri në fund të vitit 2020 uljen e shkallës së papunësisë, nga aktualja 24 përqind në 15 përqind.

Lideri i VMRO-DPMNE-së në tubimin e mbajtur në Manastir theksoi se dy kompani të reja vijnë nga Turqia dhe Greqia të cilat do të investojnë mbi 10 milionë euro. Ndër të tjera, Gruevski paralajmëroi projekt për zhvillimin e zonave rurale me anë të të cilave parashikohet lirim nga tatimet dhe lirime të tjera, si dhe ndihmë financiare për personat që duan të hapin biznese në zonat rurale.

Ndër të tjera, Gruevski paralajmëroi projekt për zhvillimin e zonave rurale me anë të të cilave parashikohet lirim nga tatimet dhe lirime të tjera, si dhe ndihmë financiare për personat që duan të hapin biznese në zonat rurale.

Ndërkaq, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, premton se do të kujdeset për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, krijimin e kushteve socio-ekonomike për qytetarët dhe ndërtimin e një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë. Sipas Ahmetit, partitë politike maqedonase nuk kanë pse të kërkojnë votën shqiptare, pasi përfaqësues legjitim i shqiptarëve mund të jenë vetëm partitë politike shqiptare.

Ky subjekt politik premton se do ta ndërpresë majorizimin dhe mbivotimin përmes vendosjes konsensuale të cilën do ta kërkojë me çdo kusht në mandatin e ardhshëm. BDI, poashtu thekson se do të insistojë që në krye të Komisionit për Çështje Ekonomike të vijë një shqiptar, i cili do të orientonte çështjet ekonomike në drejtimin e duhur, sidomos barazinë ekonomike dhe shpërndarjen e barabartë të investimeve kapitale në pjesët ku jetojnë shqiptare me ato maqedonase.

BDI paralajmëroi ndërtimin e një zone të re ekonomike në Komunën e Likovës me të cilën synon uljen e ndjeshme të papunësisë, nxitjen e bizneseve të vogla dhe të mesme në rajon, si dhe arritjen e barazisë së plotë ekonomike të banorëve të zonës. Njëkohësisht ka premtuar edhe përforcimin e zonës ekonomike veri-perëndimore të vendit, ku janë banorë me shumicë shqiptare.

Partitë opozitare premtojnë demokratizimin e shoqërisë dhe politika të reja, sepse sipas tyre politikat aktuale pengojnë vendin të ecë përpara

Koalicioni “Për një jetë më të mirë” i udhëhequr nga LSDM-ja në aktivitetet e saj parazgjedhore premton ekonomi më të mirë, paga më të larta, pensione, subvencione, si dhe ndërtimin e shkollave të reja, arsim më të mirë dhe një mjedis më të mirë.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, premton se paga minimale e punonjësve të tekstilit dhe lëkurës do të rritet në 12.000 denarë, edhe atë që në katër muajt e parë. Lideri i opozitës maqedonase garanton paga më të larta, subvencione për kompanitë vendase me 140 milionë euro për vende të reja të punës, para të drejtuara për qytetarët, si dhe institucione që do të punojnë në shërbim të qytetarëve dhe drejtësi për të gjithë.

Zaev porosit se paralajmërimet e tij për dygjuhësinë nuk drejtohen për federalizimin dhe ndarjen e shtetit, por në lidhje me këtë oponentët e tij politik nxjerrin nga konteksti deklaratat e tij.

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, thekson se Platforma e këtij subjekti politik synon faljen e borxheve të shqiptarëve ndaj shtetit dhe barazinë e plotë në ndarjen e buxhetit ndërmjet vendbanimeve shqiptare dhe atyre maqedonase, me qëllim që kushtet për jetesë të jenë të barabarta në të gjithë vendin.

Thaçi konsideron se shteti u ka borxh shqiptarëve, pasi që e mbush arkën në masën 30 përqind me paratë e shqiptarëve në formë taksash dhe tatimesh, ndërsa u kthen vetëm 2 përqind. Ai poashtu premton se në Qeverinë e ardhshme do të kërkojë që të ketë vetëm një Zëvendës kryeministër, i cili do të vë veto në vendimet e Qeverisë dhe do të tregojë kujdes të posaçëm për shqiptarët në vendbanimet me shumicë joshqiptare.

PDSH-ja kritikon oponentin e saj, BDI-në, për të cilën thotë se gjatë mandatit të saj nuk ka ndërmarrë dhe nuk ka përfunduar asnjë projekt në pjesën veri-perëndimore të Maqedonisë, ku jetojnë shumicë shqiptare, pjesë e vendit ku siç thekson ai, ende ballafaqohen me mungesën e ujit të pijshëm, ajrit të ndotur, pa kanalizim dhe pa rrugë të rregulluara.

Ndërkohë, partia më e re shqiptare, BESA, me koalicionin “Rilindje me Besë”, premton një të ardhme më të mirë të shqiptarëve të Maqedonisë nga ajo që është sot. Ky koalicion deklaron se do të punojë në zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve dhe ndryshimin e rolit të politikanit në Maqedoni në shërbim të popullit, e jo e kundërta. Lideri i kësaj partie, Bilall Kasami, thotë se do të përfaqësojnë vullnetin e popullit shqiptar.

BESA në bashkëpunim me ekspertë të njohur nga Sllovenia, ka përgatitur një Platformë për zhvillim të qëndrueshëm të rajoneve perëndimore të Maqedonisë, në kuadër të cilës është Programi për zhvillim rajonal i quajtur “Korab 2025”. Qëllimi i kësaj platforme është ringjallja turistike e kësaj pjesë të Maqedonisë, sepse potenciali i saj, sipas kësaj partie, deri më tani nuk është shfrytëzuar sa duhet.

Kasami deklaron se ky rajon posedon viset ndër më të bukurat në Ballkan dhe Evropë, jo vetëm për zhvillim të turizmit dimëror, por gjatë gjithë stinëve të vitit. Ai thekson se kjo është një platformë më serioze që është përgatitur deri më tani dhe njofton se janë gjetur edhe investitorë që janë të gatshëm të fillojnë me punime sapo të ndodhin ndryshimet në zgjedhjet e 11 dhjetorit.

Kjo parti poashtu premton Ridefinimin e shtetit, pasi që sipas tyre për të ardhmen e shqiptarëve nuk ka kush të kujdeset, ndërsa “Rilindja me Besë” do të legjitimojë këtë popull dhe do t’i thonë mjaftë të keqes.

Koalicioni “Aleanca për Shqiptarët” i përbërë nga LR-PDSH, RDK dhe Uniteti kërkon ndryshime kushtetuese në të mirë të shqiptarëve, ndarje të buxhetit lokal ku komunat vetë do të rregullojnë buxhetin e tyre dhe luftë për shtet të së drejtës. Lideri i LR-PDSH Ziadin Sela ka deklaruar se zyrtarizimi i gjuhës shqipe në të gjithë shtetin është kushti kryesor i këtij subjekti për të hyrë në bisedime për hyrje në qeverinë e ardhshme.

Ndryshe, organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për 11 dhjetor është si rezultat i marrëveshjes së liderëve të katër partive më të mëdha politike në vend (VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH) të cilat pas negociatave të gjata më 31 gusht u dakorduan për mbajtjen e zgjedhjeve, me qëllim që shteti të dalë nga kriza politike.