Ballina Autorë Opinione Një ‘Ismail’ për rikonkuistën shqiptare

Një ‘Ismail’ për rikonkuistën shqiptare

Hoxhë Justinian Topulli

Edhe pse titulli më sipër është një fjali paradoksale, ai e merr frymëzimin nga vepra e ndaluar e K. Myftarajt me titull “Një shenjtore për rikonkuistën shqiptare”, në të cilën ky autor islamofob, kontrovers i njohur, e tregon qartë që në titull synimin e tij.
Në fakt, Myftaraj, edhe pse një pinjoll me origjinë myslimane, ishte më i drejtpërdrejti dhe më i sinqertë sesa shumica e elitës intelektuale kulturore dhe politike të këtij vendi, e cila ka punuar pa u ndalur për vite e vite, për të baltosur, nxirë dhe pështirosur për shqiptarët, çdo trashëgimi islame të këtij kombi, nën petkun e kamufluar të “orientit të keq e të prapambetur”, të “osmanëve pushtues”, të “zakoneve prapanike e anadollake” dhe gjithfarë terminologjie dhe figuracioni, që në thelb, pa më të voglin dyshim sulmonte sfondin e identitetit islam të shumicës së këtij kombi.
Skënderbeu, edhe pse me një emër turk mysliman, është përdorur dhe përdoret nga një pjesë e kësaj elite, si simbol i kryqëzatës intelektuale dhe kulturore ndaj identitetit fetar të myslimanëve shqiptarë. Jo më kot, etërit e këtij kombi, që njihen si ‘rilindas’, e zhveshën Skënderbeun nga dimensioni i tij fetar dhe i dhanë atij një dimension kombëtar shqiptar, edhe pse në thelb, në kohën kur ai luftoi kundër osmanëve nuk kishte motive kombëtare, vetëdije kjo, e cila nuk ekzistonte në atë kohë. Sigurisht, që ndoshta në luftën e tij Skënderbeu mund të ketë pasur edhe elementë fetarë, të keqpërdorur nga të tjerët, duke e titulluar atë si “Atlet i Krishtit”, por Rilindja jonë shqiptare, edhe pse laike në thelb, kishte një identitet kulturor, më së shumti fetar islam, të cilin nuk mund ta shkelte me këmbë dhe t’i vinte zjarrin kombit shqiptar që po lindte, duke kristianizuar me dhunë identitetin e tij dhe duke e etiketuar misionin e luftës së Skënderbeut si luftë ndaj Islamit dhe myslimanëve, siç duan ta përdorin sot atë.
Vetë emri ‘shqiptar’ është produkt i identifikimit dhe formësimit të identitetit të shqiptarëve myslimanë, ndërkohë që emri i vjetër ‘Arbëri’ dhe ‘arbër’ i lidhte ata me identitetin e hershëm të krishterë, ndaj ashtu siç Skënderbeu nuk e ndryshoi emrin e tij turko-mysliman, edhe pse luftoi me ta, ashtu edhe shqiptarët myslimanë dhe elita e tyre kombëtare nuk pranuan ta identifikojnë krijimin e kombit dhe shtetit shqiptar dhe shkëputjen nga Perandoria Osmane, si një rilindje e krishterë dhe rikthim tek feja e dikurshme, edhe pse sigurisht mund të kishte ndonjë të tillë mes tyre. Por, si rilindasit myslimanë, ashtu edhe ata të krishterë dikur ishin shumë më të mençur dhe më të vetëdijshëm, se kjo është një idiotësi vetëvrasëse për kombin shqiptar me shumicë myslimane. Ndërkohë, ata që erdhën më pas, e shfaqën me zell këtë pasion të fshehur ndoshta, të disa prej paraardhësve të tyre, për ta de-islamizuar këtë komb. Komunizmi ndoqi rrugën e antifetarizmit, duke i luftuar të gjitha fetë, por kulturalisht më së shumti Islamin, sigurisht me në krye një pinjoll të një familjeje myslimane, me emër dhe mbiemër mysliman, por me një elitë kulturore dhe akademike më së shumti vlleho-ortodokse. Kjo ishte kryqëzata më e egër identitare dhe kulturore ndaj trashëgimisë islame të shqiptarëve.
Pas rënies së atij regjimi të ndyrë, në skenë u shfaq një kryqëzatë e re ndaj identitetit fetar të myslimanëve shqiptarë, dhe qe pikërisht rigjetja e figurave të reja ikonë, për të de-islamizuar shqiptarët. Dhe ish-komunistët e dikurshëm, që në fakt edhe pse e sulmonin Perëndimin, e adhuronin atë në shpirt, gjetën një tjetër njeri me origjinë shqiptare për këtë rikonkuistë, tashmë vlleho-shqiptaren, murgeshën katolike me famë në botë, Gonxhe Bojaxhi, të njohur si ‘Nënë Tereza’. Kjo është ‘shenjtorja’, me të cilën K. Myftaraj identifikon luftën dhe kryqëzatën kulturore dhe identitare ndaj myslimanëve shqiptarë.
Ismail Kadare ishte një ateist, ashtu siç e ka deklaruar veten, por edhe ai kishte një qasje të tillë, edhe pse deklarimet e tij më të fundit ishin shumë më të matura dhe të kujdesshme, sesa i njohin një pjesë e myslimanëve sot. Por është më se e vërtetë, që ai e shihte katolicizmin në veçanti, si thelbin e nacionalizmit shqiptar, që do duhet të jetë objekt frymëzimi dhe lidhje me Perëndimin, sepse ashtu si edhe shumë të tjerë, Kadareja nuk ishte një shqiptar nacionalist sovranist, por një evropianist, që trashëgiminë islame e shihte si “një damkë të robëruesit osman” në trupin e kombit shqiptar, të cilin “kombet e tjera e shikojnë vëngër”. Pra, për hatër të Perëndimit, të cilin shumica e elitës sonë kulturore dhe intelektuale e adhuron pa kushte si perëndi, është e gatshme ta sakrifikojë këtë “damkë” me çdo kosto.
Nuk e dimë kush qe ai, apo ata, që vendosën në sfondin e vendit, ku i bëheshin nderimet e fundit shkrimtarit Ismail Kadare -me emër mysliman dhe ateist me bindje-, një imazh të murgeshës katolike shqiptare, të cilës i mungonte fytyra, por i dallohej shumë qartë kryqi dhe mesazhi i tij i rikonkuistës identitare.
Edhe njëherë, ithtarët e papërgjegjshëm të ideve që mbronte K. Myftaraj, provokojnë rëndë simbolikisht myslimanët shqiptarë, duke shpallur tashmë me heshtjen e fjalëve që i thotë më së miri imazhi që kanë zgjedhur, se një tjetër ‘shenjtor’ i shtohet panteonit dhe flamurit të kryqëzatës anti-islame ndaj shqiptarëve.
Do t’iu kujtoj laikëve dhe të krishterëve të mençur të këtij vendi, që të ecin në gjurmët e rilindasve të këtij kombi dhe të mos luajnë me zjarrin e identitetit të myslimanëve, dhe ta vlerësojnë Ismail Kadarenë për letërsinë dhe stilistikën e tij, por jo ta përdorin atë për idetë ekstremiste identitare të de-islamizimit, qofshin këto edhe të vetë atij.
________
P.s. Ajo që më habit, si me rastin e Kadaresë, si me rastin e Enver Hoxhës, është fakti sesi këta njerëz u lindën dhe u rritën në një qytet tipik të trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës osmane-islame, ndërkohë që e urrenin këtë fe dhe kulturë kaq shumë, edhe pse e admironin pafundësisht këtë qytet! Kjo kundërshti e vetvetes dashuri-urrejtje, që këta njerëz kishin njëkohësisht, është tabloja më e qartë e krizës identitare që kanë kaluar dhe kalojnë shqiptarët.

Nga: Hoxhë Justinian Topulli

 

Exit mobile version