Ballina Video Dokumentar Një historik i shkurtër i Haxhit

Një historik i shkurtër i Haxhit

Në aspektin gjuhësor haxh do të thotë “të nisesh për diku”. Megjithatë, në Islam me haxh kuptohet rituali i përvitshëm i vizitës së Mekës nga myslimanët, me qëllim kryerjen e disa riteve fetare të përshkruara nga Profeti Muhamed a.s.

Haxhi dhe ritet e tij janë urdhëruar fillimisht nga Allahu në kohën e Profetit Ibrahim a.s, njeriut të cilit së bashku me djalin e tij, Ismailin, Allahu i besoi ndërtimin e Qabes, shtëpisë së tij në Mekë. Allahu xh.sh e përshkruan kështu ndërtimin e Qabes:

” Përkujtoje kur Ne e udhëzuam Ibrahimin për në vendin e shtëpisë (Qabes): të mos më përshkruajë Mua shok, pastroje shtëpinë Time për ata që e vizitojnë (bëjnë tavaf), që qëndrojnë në këmbë duke u falur, përkulur dhe që bëjnë sexhde.” (Kur’ani 22: 26)

Pas ndërtimit të Qabes, Profeti Ibrahim shkonte çdo vit në Mekë për të kryer haxhin.

Me vdekjen e tij kjo praktikë u vazhdua nga i biri. Megjithatë, gradualisht, me kalimin e kohës, forma dhe qëllimi i haxhit pësoi devijime. Me përhapjen e idhujtarisë në gadishullin arabik, Qabja humbi pastërtinë dhe brenda saj u vendosën idhuj. Muret e saj u veshën me poema dhe piktura, përfshi edhe një të Jezusit dhe nënës së tij Merjemes. Si përfundim plot 350 idhuj u vendosën përreth Qabes.

Gjatë periudhës së haxhit, atmosfera përreth hapësirës së shenjtë të Qabes ngjante me karnavalet. Burra dhe gra rrotulloheshin rreth Qabes të zhveshur, me argumentin se duhet të dilnin përpara Allahut xh.sh ashtu siç kishin lindur. Lutjet e tyre ishin zhveshur nga përkujtimi i sinqertë i Allahut xh.sh duke u reduktuar në përplasje duarsh, fishkëllimash dhe borish. Edhe telbija u tyre ishte shtrembëruar duke shtuar : “Askush përveç atij që ti e lejon nuk mund të jetë partneri yt. Ti je udhëheqësi i tij dhe asaj që ai zotëron.”.

Në emër të Zotit sakrifikoheshin edhe kurbane. Gjithsesi, gjaku i kafshëve të sakrifikuara derdhej në muret e Qabes dhe mishi varej në shtyllat e vendosura rreth saj, me pretendimin se Allahu kërkonte gjakun dhe mishin e këtyre kafshëve.

Këngët, pijet dhe imoraliteti ishin diçka e zakonshme mes pelegrinëve dhe konkurset e poezisë ishin pjesë e rëndësishme e haxhit. Në këta konkurse, poetët lëvdonin trimërinë dhe guximin e kryetarëve të fiseve të tyre si dhe tregonin përralla të hiperbolizuara mbi pabesinë dhe burracakërinë e fiseve të tjera. Konkurrohej edhe në “bujari”. Kryetarët e fiseve vendosnin kazanë të mëdhenj me gjellë për të ushqyer pelegrinët, në mënyrë që të bëheshin të famshëm për bujarinë e tyre.

Njerëzit i kishin braktisur mësimet e prijësit dhe stërgjyshit të tyre, Profetit Ibrahim a.s. Shtëpia që ai kishte ndërtuar për adhurimin e Allahut, ishte përdhosur nga paganët dhe ritet që ai kishte vendosur ishin shtrembëruar. Kjo situatë e mjerë vazhdoi për pothuajse 2500 vjet. Pas kësaj kohe të gjatë, lutja e Profetit Ibrahim mori përgjigje:

” Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiu i tyre të dërguar që t’u lexojë atyre ajetet Tua, t’u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t’i pastrojë (prej ndytësisë së idhujtarisë) ata. S’ka dyshim se Ti je ngadhënjyesi, i dijshmi.” (Kur’ani 2:129)

Një njeri me emrin Muhamed Ibn Abdullah lindi pikërisht në vendin ku Profeti Ibrahimi ishte lutur shekuj më parë. Për 23 vite, Profeti Muhamed a.s përhapi mesazhin e njëshmërisë, të njëjtin mesazh për të cilin u dërguan Profeti Ibrahim dhe profetët e tjerë, si dhe arriti të vendosë ligjin e Allahut në tokë. Ai kreu çdo përpjekje për të lartësuar fjalën e Allahut xh.sh dhe fitorja e tij ndaj idhujtarisë kulmoi në shkatërrimin e idhujve brenda Qabes, çka e kthye atë sërish në epiqendrën e adhuruesve të Zotit të vërtetë.

Profeti jo vetëm e pastroi Qaben, por gjithashtu rivendosi të gjitha ritet e haxhit që ishin udhëruar nga Allahu në kohën e Profetit Ibrahim. Urdhëresa të posaçme kur’anore zbritën për të shfuqizuar ritet e rreme që ishin shpikur gjatë periudhës para-islame. Të gjitha veprimet e padenja dhe të turpshme u ndaluan shprehimisht nga Allahu xh.sh.

Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet afruar gruas, nuk bën të merr nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje. Çka punoni nga e mira, All-llahu di për to. Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes kini dronë Time.” (Kur’ani 2:197)

Konkurset mes poetëve që lëvdonin paraardhësit dhe kryetaret e fiseve të tyre morën fund. Allahu atyre u tha:

E kur t’i kryeni detyrat tuaja, përmendeni All-llahun sikurse i përkujtoni prindërit tuaj, bile përmendeni edhe më fortë. Ka disa prej njerëzve që thonë: “Zoti ynë, na jep Ti neve në këtë botë”! Për të nuk ka asgjë në botën tjetër.” (Kur’ani 2:200)

Gara në bujari gjithashtu u ndalua. Sigurisht që ushqyerja e pelegrinëve vazhdoi të inkurajohej, njësoj si në kohën e Profetit Ibrahim, por Allahu xh.sh urdhëroi që therja e kafshëve duhet të bëhet për të fituar kënaqësinë e tij dhe jo për t’u lëvduar mes njerëzve. Ai tha:

” E devet (therrjen e tyre për kurban) ua kemi bërë prej dispozitave të All-llahut, e ju prej tyre keni dobi, andaj përmendeni emrin e All-llahut duke qenë ato (të përgatitura për therrje) në këmbë, e kur të shtrihen ato në tokë (dhe t’u dalë shpirti), hani prej tyre dhe ushqeni nevojtarin dhe atë që lyp. Ashtu, ato ua vëmë në shërbimin tuaj që ju të jeni mirënjohës.” (Kur’ani 22:36)

Sa i përket lyerjes së mureve të Qabes me gjakun e kurbaneve dhe varjes së mishit të tyre përreth saj Allahu thotë:

” Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin devotshmëria juaj…” (Kur’ani 22:37)

Profeti a.s ndaloi edhe praktikën e kryerjes së tavafit lakuriq dhe argumenti që paganët përdornin për të justifikuar këtë u mohua nga Allahu me këtë pyetje:

” Thuaj: “Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira që All-llahu i krijoi për robtë e vet?” Thuaj: “Ato janë në këtë botë për ata që besuan, e në ditën e kijametit janë të posaçme për ta. Kështu ia sqarojmë argumentet një populli që kupton.” (Kur’ani 7:32)

Një tjetër zakon që u ndalua nga Kur’ani ishte ai i nisjes për haxh pa marrë ushqim për rrugës. Në periudhën para-islame, disa njerëz që pretendonin se i mbështeteshin vetëm Allahut, lypnin ushqim gjatë udhëtimit për të kryer haxhin. Ata e konsideronin këtë shenjë devotshmërie dhe besimi të lartë tek Allahu xh.sh. Megjithatë Allahu i mësoi njerëzimit se përgatitja për udhëtim dhe marrja e ushqimit me vete është një nga parakushtet e haxhit. Ai thotë:

” Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes kini dronë Time.” (Kur’ani 2:197)

Kështu, të gjitha praktikat para-islame që bazoheshin në injorancë u shfuqizuan dhe haxhi u shndërrua sërish në model të dhembshurisë, frikës nda Allahut, pastërtisë, thjeshtësisë dhe asketizmit. Sot, kur pelegrinët mbërrijnë në Qabe, nuk përballen më me karnavalet, lodrat dhe kotësitë që dikur ngarkonin mendjen e pelegrinëve që shkonin atje. Tani në çdo hap që hidhet përkujtohet Allahu dhe çdo sakrificë i kushtohet vetëm Atij. Ky haxh meriton të shpërblehet me parajsë siç edhe Profeti a.s thotë:

”Shpërblimi për haxhin e pranuar tek Zoti është parajsa.”

Allahu na mundësoftë të vizitojmë shtëpinë e tij dhe të kryejmë haxhin sipas porosive të Profetit Muhamed a.s. Amin!

 

Exit mobile version