Ballina Artikuj Një heretik nuk e identifikon asnjëherë veten si të tillë…

Një heretik nuk e identifikon asnjëherë veten si të tillë…

Rezart Beka

Një heretik nuk e identifikon asnjëherë veten si të tillë, por pretendon se ka tejkaluar ortodoksinë. (Tim Winter)

Kur përballen me kritika për devijim nga rruga e drejtë, heretikët zakonisht justifikohen në dy mënyra. Ata mund të pohojnë se:
1. Rryma kryesore është vetë heretike dhe se vetëm heretiku dhe grupi i tij kanë rrokur të vërtetën në formën e saj të pastër dhe të pakorruptuar.
2. Doktrina e rrymës kryesore është e kufizuar dhe kufizuese. Ajo i pengon njerëzit nga kuptimi dhe përjetimi i asaj që përmban revelata hyjnore dhe në vend të kësaj, i burgos ata në qelinë e asaj që përmbahet në manualet e akides (kredos) apo fikhut (jurisprudencës), të shkruara nga njerëzit dhe jo nga Zoti.

Rrugëtimi i një kuranisti shpesh fillon me denoncimin e ngushtësisë dhe ngurtësisë së presupozuar të doktrinës zyrtare islame dhe parashtrimin e një kuptimi “autentik” dhe “më të gjerë” të doktrinës së vërtetë islame. Shënjestra kryesore e kritikave të kuranistëve në këtë fazë janë ulematë (dijetarët myslimanë) të cilët akuzohen se për qëllime meskine, interesa politike dhe militantizëm grupor kanë ngushtuar dhe cunguar doktrinën e vërtetë Islame. Kurbani tipik i kuranistit në këtë pikë është Tradita Profetike (Sunneti) dhe shpikja e presupozuar e saj nga ulematë për të asfiksuar zërin dhe frymën autentike të Kuranit.
Pas njëfarë kohe, kuranisti kalon në një fazë tjetër, atë të konsiderimit të të gjithë traditës doktrinare dhe zyrtare islame si të prishur dhe të korruptuar. Në vend të kësaj, kuranisti deklaron se vetëm ai dhe ndjekësit e tij kanë arritur të rrokin thelbin e Islamit ashtu siç e ka dashur dhe dëshiruar Zoti. Në këtë pikë, kuranistët shndërrohen në një lëvizje fetare elitare, ngjashëm me lëvizjen batiniste (ezoterike) ku vetëm imami apo të iniciuarit konsiderohen se kanë rrokur kuintesencën e hollë të Islamit.
“Ortodoksi” do të thotë mësim i drejtë. Në vend të mësimit të drejtë në Islam ekziston rruga e drejtë. Ndërsa mësimi i drejtë mund të paraqitet i ngushtë dhe asfiksues, rruga e drejtë nuk i frikësohet gjerësisë dhe lehtësimit, por thekson rrugën më të shpejtë dhe më të shkurtër ndërmjet dy pikave. Dijetarët myslimanë kanë theksuar gjithnjë se thirrjet për të tejkaluar doktrinën zyrtare apo ortodoksinë islame në emër të një kuptimi “më të gjerë” dhe “të hapur” të Islamit, rezultojnë gjithnjë në një ngushtim të rrugës së drejtë dhe vështirësim të ecjes në të, në mos dalje prej saj totalisht.

Rezart Beka

Exit mobile version