Një grua nga Teksasi akuzohet për tentativë vr’asjeje, dyshohet se tentoi të mb’yste një pa’lestineze 3-vjeçare

Një grua nga Teksasi i SHBA-së është akuzuar për tentativë vrasjeje pasi dyshohet se tentoi të mbyste një vajzë muslimane palestineze 3-vjeçare në një pishinë të një kompleksi apartamentesh, transmeton Anadolu.

Raportet e publikuara të dielën zbuluan se 42-vjaçarja Elizabeth Wolf u arrestua më 19 maj në Euless të Dallasit, një ditë pasi ndodhi incidenti. Hetuesit thanë se rasti u raportua si sherr midis dy grave në pishinën e apartamentit, ku Wolf mori në pyetje nënën 32-vjeçare për vendin e saj të origjinës, pasi ajo kishte veshur një hixhab.

Më pas, sipas policisë, Wolf u përpoq të kapte djalin 6-vjeçar të gruas, i cili arriti të largohej. Pas kësaj, Wolf u përpoq të mbyste vajzën e saj 3-vjeçare në pishinë. “Nëna ishte duke ndihmuar djalin e saj kur Wolf e kapi vajzën e saj 3-vjeçare dhe e futi atë nën ujë”, u tha policia gazetarëve, duke shtuar:

“Nëna arriti të tërhiqte vajzën e saj nga uji. Vajza kishte bërtitur për ndihmë dhe nxirrte ujë nga goja”. Autoritetet thanë se dëshmitarët u thanë atyre se Wolf ishte e dehur dhe bëri komente raciste ndaj nënës dhe fëmijëve të saj.

“Ne jemi qytetarë amerikanë me origjinë nga Palestina dhe nuk di ku të shkoj për t’u ndjerë e sigurt me fëmijët e mi”, tha nëna për mediat, e identifikuar vetëm si zonja H.

“Vendi im po përballet me një luftë dhe ne po përballemi me atë urrejtje këtu”, tha ajo, duke shtuar: “Vajza ime është e traumatizuar. Sa herë që hap derën e banesës, ajo ikën dhe fshihet duke më thënë se ka frikë se mos vjen zonja dhe ia zhyt përsëri kokën në ujë”.

Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR) pretendoi se Wolf gjithashtu rrëmbeu shaminë e nënës teksa ajo u përpoq të shpëtonte vajzën e saj, si dhe e rrahu atë të.

CAIR u ka bërë thirrje autoriteteve shtetërore dhe federale që të hetojnë incidentin si një krim i nxitur nga urrejtja.

“Ne po shohim një nivel të ri fanatizmi këtu, ku një person beson thellësisht se duhet të vendosë se cilët fëmijë meritojnë të jenë të gjallë e cilët jo, duke bazuar në fenë, gjuhën dhe vendin e origjinës”, tha Shaimaa Zayan nga CAIR.

Wolf përballet me disa akuza, përfshirë tentativë për vrasje, plagosje të një fëmije dhe dehje publike.