Një gjykatë saudite dënon 15 persona për spiunazh

Një Gjykatë në Arabinë Saudite të martën ka dënuar 15 persona me vdekje për spiunazh për Iranin, njoftoi televizioni saudit shtetëror Al-Arabiya, raporton Anadolu Agency (AA).

Pesëmbëdhjetë janë në mesin e 32 personave, 30 sauditë, një iranian dhe një afgan, të cilët ishin arrestuar në vitin 2013 për spiunazh të pretenduar për Iranin.

Të dyshuarit u akuzuan për formimin e një celule në bashkëpunim me shërbimin e inteligjencës iraniane me qëllim të kalimit të informacioneve sekrete saudite në Teheran.

Ende nuk ka informacione rreth gjykimit për 17 të pandehurve tjerë. Verdikti i së martës është ende subjekt i apelimit.

Tensionet mes Arabisë Saudite dhe Iranit u rritën që kur Rijadi ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Teheranin gjatë këtij viti pasi dy nga misionet diplomatike në Iran u sulmuan nga ana e protestuesve iranianë pas ekzekutimit të një kleriku shiit nga autoritetet saudite.

Rijadi po ashtu akuzon Teheranin për mbështetjen e lëvizjes shiite Husi në Jemen, të cilët morën kryeqytetin jemenas Sana dhe disa provinca në vitin 2014 duke e detyruar qeverinë jemenase të mbështetur nga sauditët që të ikë në Arabinë Saudite.