Piemontin e shqiptarisë asnjëherë askush nuk mund t’ia marrë Tiranës, duhet të kultivojnë bashkëpunimin institucional pa e zbritur në banalitete mënish personale e teorish konspirative që të rrezikojnë interesat kombëtare…
Shkruan: Daut DAUTI, Shkup
Lajçaku hodhi mjegullnajë mbi Ballkan(in) e Hapur) dhe futi shumëkënd në grackë. Lidhur me këtë ide kam bredhur edhe unë, dhe tamam kur mendova se e gjeta rrugën(të vërtetën), dhe kur Lajçaku tha se Ballkani i Hapur s’ka lidhje me atë që e ka paramenduar BE-ja, shumica e atyre që kishin mjegull në kokë, u rreshtuan me Lajçakun. E me këtë, edhe me Kurtin. Me automatizëm. Edhe njëri edhe tjetri kundër, s’mbetej alternative për ne të tjerët…
Konfuzioni, ose më saktë, mjegulla në prag të vjeshtës së mjegullave,u rikthye prapë, me një shtëllungë tjetër mjegulle më 15 shtator. Erdhi zonja Merkel, gruaja më e pushtetshme e dekadave të fundit në midis Tiranës, tha (indirekt) se Ballkani i Hapur është pjesë e Procesit të Berlinit! (Nuk e tha drejtpërdrejt, por mediat i lexuan si përkrahje këto fjalë të Merkelit: “Përshëndes edhe projektin e tregut të përbashkët rajonal me katër marrëveshjet, edhe pse jo të gjithë janë duke bashkëpunuar. Sot kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunoni aq më i fuqishëm do të jetë Procesi i Berlinit”.) Ramës iu çel fytyra dhe ia përplasi Kurtit, që po atë ditë kishte ardhur në kryeqytetin e Shqipërisë enkas për kancelaren në ikje të Gjermanisë! Kurti, hiq më pak se Rama, tha se e përkrah Procesin e Berlinit. Dhe një matematikan i regjur mund të të bëjë një ekuacion që t’i hedh të panjohurat:
Merkel e përkrah Open Ballkan-in si pjesë të Procesit të Berlinit(bie poshtë qëndrimi i Llajçakut, edhe pse ai flet në emër të BE-së).
Nëse kujtojmë, vërejtja e Llajçakut ka të bëjë me mospërfshirjen e shteteve tjera ballkanike, gjë që në një kohë të ardhme, edhe mund të ndodhë, që automatikisht, plotësohet “përshtatshmëria” për ta përkrahur edhe BE?! Sot kështu, nesër ndryshe…
Rama është kreator dhe themeltar i Open Ballkanit, pra, edhe realizator i Procesit të Berlinit. Kurti e përkrah Procesin e Berlinit, ama nuk e përkrah Open Ballkan-in.(Nuk del matematika nëse Kurti e përkrah procesin e Berlinit, e nuk e përkrah Open Balkan-in, të cilin Merkeli e konsideron pjesë të tij, pyetja është çka përkrah ai nga Procesi i Berlinit?!).
Ku është atëherë kjo disonancë midis Ramës dhe Kurtit, nëse të dytë janë për të njëjtin proces?
Rama, i frustruar që nuk po kuptohet nga vëllai i tij nga Prishtina, ia hodhi Kosovës pse nuk po kyçet në Ballkanin e Hapur dhe merret me teori konspirative. Kurti tërthorazi ia ktheu pa e elaboruar gjerë e gjatë, por tha se po i bëhen Kosovës presione, e duhet t’i bëhen Serbisë. Po të kishin folur në gjuhë të ndryshme, do t’i hidhej faji përkthyesit, ndërsa situata është e qartë: Rama e pati për hyrjen e Kosovës në Open Ballkan, kurse Kurti e kishte për BE! Njëri thumbit, tjetri patkoit. Pyetja është çka do të thoshte për Kosovën të hynte në Ballkanin e Hapur kur as Serbia në atë shoqëri nuk do ta kontestonte si shtet? Hyrja e Kosovës në Open Ballkan e mbivoton Serbinë përmes dy shteteve shqiptare, apo jo? Serbia nuk mund të kontestojë shtetësinë, sepse si pikërisht hyn si shtet. Nëse në atë rast do ta kontestonte Serbia, del në shesh se kush bën obstruksione në këtë kontekst.(Çudi, dy-tri ditë pas vizitës së Merkelit, edhe Vuçiqi i çoi haber Kurtit për ta përfshirë në Ballkanin e Hapur…!)
Por, problemi lind kur në këtë kontekstin e dhënë, nëse je me Kurtin, je kundër Ramës…Ose anasjelltas. Tri-katër vitet e fundit është shkaktuar një “erozion masiv” raportesh midis udhëheqësve shqiptarë, shumë hutues dhe kundërthënës në thelb, që çdo tifozllëk për njërin apo tjetrin politikan, mund të ishte çështje e sprovës së kredibilitetin tonë intelektual!
Mëmë e atë dhe zëri i fëmijëve?!
Në një kontekst krejt tjetër, por me metaforën që mund të jetë aktuale gjithnjë, më kujtohet anekdota me një shkrimtar të persekutuar, të cilin pata rastin ta kem mysafir shtëpie. Tek rrëfente për pësimet e tij gjatë regjimit komunist, ai u shpreh disi kështu: Rashë në burg këtu, e kur dola, ika te nëna Shqipëri, kur edhe atje më futën në burg…Babai im që e dëgjonte me vëmendje, nuk e kishte dëgjuar mirë, i ndërhyri: “A prej Shqipërie e ke nënën?”…Nejse, u morën vesh pastaj…por, shprehja që është bërë kredo ekzistencialiste e çdo shqiptari, për shkak të padrejtësive historike, e përmban emocionin e përjetshëm të “nënës Shqipëri”, sepse, edhe ata që kanë fatin të jetojnë atje, edhe ata që mbeten, nuk e harrojnë se ajo është nëna për ta, figurativisht, kuptohet. Meqë i përket gjinisë femërore gramatikore emri i Shqipërisë, edhe poezia e Çajupit (mëmëdhe quhet toka…) dhe Naimit e rilindësve të tjerë, merr kuptimin e plotë…
Por, Shqipëria si nocion universal, emotiv, synim historik e nocion edhe gjeografik e politik, ballafaqohet me sprovat e jetës, madje do të kishim thënë edhe me banalitetet. Sepse, Shqipëria, me këmbët sa ia kanë qepur jorganin të tjerët, shpesh nuk ia ka ditur hallin vetes, e lere më bijtë e saj jashtë shtëpie, që e kanë ndjerë veten jetimë. Historianët bie fjala, edhe babait të kombit, Ismail Qemalit, ia zënë për të madhe që shpalljen e pavarësisë nuk e bëri në Shkup, po në Vlorë. Mendimi është se ta kishte bërë këtë në Shkup, sot Shqipëria do të ishte gjer këtu. (Nuk hyjmë fort në analizë për të zbuluar pse nuk e bëri këndej, a kishte frikë se nuk mund t’i dalë zot, se mos do mbetej pa hiq!?). Shqipëria nuk ishte ajo për të cilin kishin luftuar të gjithë shqiptarët, mbeti më shumë se gjysma jashtë, por jo me dëshirën e tyre. Por, ata që u vunë në krye të shtetit të ri pas pavarësisë, duhej t’u përmbahen vendimeve të fuqive të mëdha, ndaj dhe as Ahmet Zogu, pushtetari më jetëgjatë nga dhjetëra të tjerët që vinin e iknin, s’kishte mundur t’u dalë zot gjithë shqiptarëve, edhe pse mbret i tyre. Ndaj është krijuar një perceptim se edhe ai i ka tradhtuar interesat e kosovarëve, ndaj të cilëve ka organizuar edhe ndjekje politike për të mos i prishur aleancat ballkanike dhe balancat ndërkombëtare. Ata që e akuzojnë nuk analizojnë aq shumë nëse ka mundur të bëjë më shumë për kauzën e Bajram Currit, Hasan Prishtinës…, të cilët në shtetin e tyre amë, u gjetën pa përkrahjen e pritur…(Pika 12 e Marrëveshjes sekrete Ahmet Zogu – Nikolla Pashiq, e arritur për të mbetur sekrete obligon qeverinë e Zogut që “…të heqë dorë nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të veta. Ajo impenjohet veç kësaj që të mos pranojë në tokën e saj kosovarët dhe elemente të ditur dhe të dyshimtë dhe segmentet e tyre kundërshtare të politikës jugosllave”(Marrëveshja Nikolla Pashiq – Ahmet Zogu e gushtit të vitit 1924 …Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 251, dosja 105, viti 1924, cituar sipas Faton Mehmetajt, Veprimtaria kriminale e “Dorës së Zezë” serbe në trojet shqiptare, Prishtinë, 2004,f.207(nga Shqipëria e bashkuar/. Nëse i besohet këtij burimi, kjo është një nga marrëveshjet më poshtëruese që ka nënshkruar ndonjë pushtetar shqiptar, sepse e gjithë marrëveshja është një nënshtrim i skajshëmi Mbretërisë së Jugosllavisë!)! E kishte Zogu për pushtetin e tij për t’iu hakmarrë Nolit, dhe i duhej ndihma serbe, e kishte për interes të Shqipërisë, apo një “taktikë kalimtare” për t’i realizuar të dy objektivat? Disa ngjarje gjatë mbretërimit të tij, sidomos ndaj Bajram Currit dhe Hasan Prishtinës (dhe të këtyre dyve ndaj tij), tregojnë se disa nga obligimet e marra nga ajo marrëveshje, janë realizuar…
Ndonjëherë kanë ndikuar balancat gjeostrategjike ndërkombëtare, e ndonjëherë ideologjia ia zinte rrugën kombëtares. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, më të përafërt ishin komunistët shqiptarë me ata jugosllavë, se sa partizanët me ballistët, që kishin një qëllim të deklaruar. Historiani Uran Butka duke shkruar për masakrën e Tivarit, do të paraqesë paradoksin kur shqiptarët e mobilizuar për front, që kishin ikur nga masakra, u ishin dorëzuar partizanëve shqiptarë, por këta, duke i trajtuar si “forca reaksionare”, ata i dorëzojnë te “vëllezërit deologjikë të pushkës”, brigadat serbo-malazeze, ku shumë prej tyre i priste vdekja! Çështjen me Enver Hoxhën pas luftës, e kemi më të freskët. Kur duhej të jepte përkrahje Kosovës, të paktën deklarative, ai e bënte, madje me atë që më së miri dinte të bënte, me propagandën…Prishje-ndreqjet e marrëdhënieve me Titon (ai gjithë jetën e vuante nga kompleksi i marrëdhënieve me komunistët jugosllavë, sepse ata e sollën në krye të Partisë), shpesh shkonin në favor të shqiptarëve jashtë kufirit. Edhe i ideologjizuar dhe i devijuar skajshmërisht në diktaturën e proletariatit, duke e bërë Shqipërinë nga vendet më të prapambetura dhe më jodemokratike në kuadër të bllokut socialist (deri në fund besnik i stalinizmit, variantit më agresiv të diktaturës komuniste), shqiptarët jashtë kufirit, i ishin verbërisht besnikë, sepse simbolizonte atë aturotitetin tek i cili duhej të mbështeten, duke mos i ditur (ose ndonjë herë edhe duke i mbyllur sytë para të vërtetës) hijet e atij pushteti.
NGA PATERNALIZMI GJER TE SHPËRFILLJA
Nuk duhet të kihet dilemë se ku është qendra e shqiptarisë, por duke pasur parasysh realitetin e ri, nuk duhet të kihet dilemë se qendra tjetër, fiton shumë atribute të “qendrës”, por jo për t’u transferuar nga Tirana në Prishtinë, por për një qasje tjetër, atë të subordinimit.
Në fillim të 90-tave, kur kishim një situatë kaotike shoqërore e politike në Kosovë, dhe shumë procese kundërthënëse edhe në Maqedoni(si shtet me një numër respektabil të shqiptarëve pas Kosovës), Tirana natyrshëm shpesh e luante rolin e paternalistes. Këtë ndonjëherë e bënte duke i dhënë përkrahje lëvizjeve për Kosovën, ndonjëherë duke imponuar qëndrime të veta se si duhej të vepronin shqiptarët jashtë Shqipërisë. Përderisa kur e përkrahu pavarësinë e Kosovës shumë para epopesë së UÇK-së dhe para shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë, ishe në nivelin e një paternalisteje të njëmendtë, porse ndërhyrja në skenën politike, shpesh është keqkuptuar, qoftë kur Berisha sillej ftohtë ndaj Rugovës, ose përçante partinë më të madhe të shqiptarëve të Maqedonisë, duke lënë shumë dilema për motivet: për shkak të interesit kombëtar, apo për shkak të krijimit të subjekteve që do të silleshin përulshëm ndaj tij? Shpallja e Kosovës shtet i pavarur, për një kohë u shoqërua me një harmoni raportesh midis Tiranës dhe Prishtinës, për të plasur sherri tevona në relacionin Sali Berisha – Hashim Thaçi (çështja e këmbimit të territoreve) dhe Edi Rama – Ramush Haradinaj(përplasja për taksën e mallrave serbe) dhe Edi Rama – Albin Kurti (për këmbimin e territoreve dhe Ballkanin e Hapur).
Tash rolet janë ngatërruar sepse ndonjëherë mospajtimet janë të natyrës parimore, e ndonjëherë keqkuptime ose madje dhe mëni personale. Në këtë situatë, mund të jenë domethënëse fjalët e Kurtit kur thotë se me Ramën takohen shpesh (pra, për këshillime mes vete), porse Ballkani i Hapur nuk është projekti që e përkrah Kosova. Çështja e anekdotës në fillim të këtij teksti që dy shqiptarë sikur kanë përkthyes që u jep tragë të gabuar, fiton në domethënie, sepse sikur hapen tema të karakterit tjetër: mos vallë është gara për një baba të kombit këndej e andej kufirit? A ishte shenjë e parë gara e LVV-së në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë një pretendim i këtillë.
Për sprovat e marrëdhënieve në baza partiake dhe atyre në baza institucionale, kam shkruar gjerë e gjatë në disa shkrime të viteve të fundit. Përfundimi i të gjitha dilemave të shtruara në to është se qendrat politike, sado që piemontin shqiptarisë asnjëherë askush nuk mund t’ia marrë Tiranës, duhet të kultivojnë bashkëpunimin institucional pa e zgjeruar veprimin në fushë tjetër(partiake). Por, njëkohësisht, nëna e baba janë prindër, por as nëna e as babai nuk mund të pretendojnë që vazhdimisht t’u imponojnë fëmijëve të vet vullnetin vetëm nga pozicioni i autoritetit prindor, por duhet të dëgjohet zëri i fëmijëve, aq më tepër kur ata janë të rritur dhe kanë përgjegjësitë e veta dhe e dinë më mirë se çka është më mirë për ta. Si në rastin e këmbimit të territoreve Kosovë – Serbi kishte pikërisht elemente të këtilla subordinimi (gjithnjë duke u besuar supozimeve) midis Ramës dhe Thaçit, por përpjekja për ta tutorizuar Ramush Haradinajn nga ana e Ramës, lidhur me taksën, sadoqë analizat mund të thonë se ai mund të ketë pasur të drejtë sepse ka qenë në harmoni me qëndrimet e qendrave kryesore evropiane,i kanë mundësuar Haradinajt të krijojë një alibi tjetër, që edhe atij i jep të drejtë: me taksën e ka penguar ndarjen e Kosovës! Konspiracione ose jo, koha do të dëshmojë, por se dikush i mëshonte thumbit e dikush patkoit, kjo dukej ashiqare.
Me fjalë të tjera, qendrat shqiptare, Tirana dhe Prishtina duhet shumë më tepër të koordinohen dhe këtu ndoshta është gabimi që nuk e kupton Rama, që me aq nguti hyri në Ballkanin e Hapur, pa e dëgjuar zërin e përmbajtur të Albin Kurtit, pa i dëgjuar argumentet e tij. Ata duhet të pushojnë së bëri garë kush do ta mbajë bajrakun e shqiptarizmës, sepse nuk duhet të ketë një garë të tillë, por përmes koordinimit t’i harmonizojnë qëndrimet për mbrojtjen e interesit kombëtar, të ketë më shumë besim dhe sinqeritet mes tyre, më pak prapaskena e fshehtësi që s’ia tregojnë njëri-tjetrit. E njëjta gjë, sigurisht, duhet të kultivohet edhe në raportet e Tiranës dhe Prishtinës me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët janë faktor vendimtar në ndërtimin e shtetit. /shenja