Ballina Artikuj Një faqe tjetër historie e 29 majit të vitit 1453

Një faqe tjetër historie e 29 majit të vitit 1453

Abdullah Klinaku

Roli i shqiptarëve në çlirimin e Kostandinopojës / Stambollit

Me 29 maj të vitit 1453 ka ndodhur një nga ngjarjet më të rëndësishme historike të kohës dhe me ndikimin më të madh për të ardhmen e civilizimit islam. Kjo datë shënon fitoren e Sulltan Mehmet Fatihut ndaj bizantit dhe çlirimin e Kostandinopojës. Natyrisht shqiptarët kanë qenë pjesë aktive e këtij momenti historik dhe e kanë trajtuar si vlerë të përbashkët çlirimin e Stambollit, në kuadër të miletit osman. Si dëshmi e kësaj historie të përbashkët janë edhe monumentet fetare, kulturore e historike që janë emërtuar në emër të Sulltan Mehmet Fatihut siç janë, Xhamia Sulltan Mehmet Fatih, e njohur si xhamia e madhe në Prishtinë apo hamami i madh i Prishtinë i emëruar po me këtë emër.

Me të drejtë ish-ministri i jashtëm turk Ahmet Davutoğlu, gjatë vizitës së tij në Prishtinë në vitin 2011, në xhaminë e madhe “Sulltan Mehmet Fatih” pati deklaruar se “shqiptarët kanë merita për çlirimin e Stambollit, sepse, nga këtu, pra nga xhamia “Sulltan Murat”, e ndërtuar në vitin 1393, u nisën ushtarë për ta çliruar Kostandinopojën”.

Në lidhje me këtë edhe në librat e historisë rrëfehet tregimi kur gjatë kohës së çlirimit të Kostandinopojës, disa nga komandantët nisën të hezitojnë të vazhdojnë luftën për çlirim deri sa filluan të mendojnë për një qetësi të përkohshme. Ndërsa nga ata që reaguan ashpër ndaj hezitimit, ishte Zognush Pasha, me origjinë shqiptar, që kishte qenë i krishterë dhe ishte bërë mysliman. Ai e vlerësonte entuziazmin e ushtarëve dhe kthimin mbrapa e konsideronte demoralizim. Ai nuk i konsideronte asgjë forcat e tjera krahas Sulltanit. “Kurrsesi dhe larg asaj, o Sulltan, nuk pushojmë as nuk hezitojmë, ne kemi ardhur këtu për të vdekur e jo për t’u kthyer. O udhëheqës i sulltanatit, më pyete për mendimin tim dhe unë po ta shpall me fjalë të qarta: Ne duhet t’i kemi zemrat tona si shkëmbi dhe duhet ta vazhdojmë luftën pa shfaqur asnjëfarë shenjë dobësimi e ligështimi…”. Në fytyrën e Sulltanit u vu re gëzimi dhe qetësia, pasi e dëgjoi Zognush Pashë shqiptarin. Pas kësaj Sulltani iu drejtuar mësuesit të tij, Ak Shemsedinit, i cili miratoi mendimin e Zognush Pashës.

Historia jonë e përbashkët ishte edhe në çlirimin e Stambollit.

Perandoria osmane nuk ishte institucion vetëm i turqve, por i gjithë klasës sunduese të Perandorisë përfshirë edhe shqiptarët.

Shkrimi i plotë është botuar në numrin e ri të sapo dalur të revistës “Dituria Islame”.

Nga: Abdullah Klinaku

Exit mobile version