Ballina Autorë Opinione Një epokë post-atlantiste

Një epokë post-atlantiste

Muhamed Jashari

“Thirrni atë. Takohuni me të. Flisni me të për çdo gjë. Dhe nëse gjithçka tjetër dështon, mësoni se si të luani golf.” (John Bolton, janar 2025)

Muhamed JASHARI, Shkup

Ditëve të shkuara nëpër duar kisha një dorëshkrim të një ish-politikani shqiptar, i cili na rrëfen për të kaluarën politike dhe pozicionin kushtetues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në kohën pas të ’90-tave. Kur nga kjo distancë kohore e vëren se edhe para dy dekadave jemi përballur me këso sfida që kemi sot (debati mbi zyrtarizimin e gjuhës, zhvillimi ekonomik e infrastrukturor, problemet me emigrimin, shpërndarja e drejtë e buxhetit etj.), vërtet të bën të mendosh që sado që rrahim gjoks që jemi të arrirë, ne (shqiptarët e Maqedonisë së Veriut) me gjasë gjendemi në vendnumëro!

Druhem që edhe rrugëtimi ynë euro-atlantik më shumë sesa në fuqinë tonë vetjake, i atribuohet vizionit të institucioneve politike perëndimore që kishin dhe vazhdojnë të kenë mbi të ardhmen e rajonit dhe Europës Juglindore në përgjithësi. Për të qenë të sinqertë, realiteti ynë zhvillimor i tanishëm, hamendem nëse e plotëson portretin ideal të enciklopedistit dhe rilindësit tonë të madh Sami Frashëri mbi të ardhmen e shqiptarëve dhe të Shqipërisë ose Shqipërive tona [siç i quan shkrimtari Kim Mehmeti viset ku banojnë shqiptarët].

Ndonjëherë kam përshtypjen se institucionet tona jo vetëm që dështojnë t’i plotësojnë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, por ato duket se shndërrohen thjesht në mjete ku vetëm vilen taksat e qytetarëve dhe që këta të fundit shërbejnë sa për ta mbushur buxhetin shtetëror.

Ndonëse nuk dua të tingëlloj pesimist mbi aktualitetin shqiptar, mendoj se me gjithë këtë mbështetje shtetformuese nga partnerët ndërkombëtarë këto dy a tre dekada, ne duhej të radhiteshim ndër popujt e prosperuar të Ballkanit. Fatkeqësisht, ne nuk figurojmë në majat e listës së renditjeve të shteteve (ballkanike), ku paraqitet niveli dhe pesha e tyre – ekonomike, politike, arsimore ose, nëse doni, edhe ushtarake – në kontekstin rajonal.

*          *          *

Tashmë kur në skenën botërore aktorët e vërtetë globalë seriozisht e diskutojnë ripozicionimin e tyre ndaj sfidave të ndryshme, qofshin ato ekonomike, sociale, të sigurisë, shëndetësisë, ekologjisë etj., para vetes na paraqiten enigma dhe mjegullnaja të ndryshme, sidomos me ndryshimet e pushtetit andej oqeanit, ku në horizont shfaqen dukshëm lëkundje të linjës, ta quaj, atlantiste, një linjë kjo e cila dekada me radhë nxit: bashkëpunimin SHBA-Europë; NATO – BE; integrimin në strukturën euro-atlantike; zgjerimin e NATO-s drejt Lindjes, kundërshtimin e forcave politike ekstreme (të majta a të djathta qofshin ato); vëmendjen ndaj kërcënimit rus, etj., thënë troç, asaj linje të veprimit që ne si shqiptarë, dorën në zemër, ia kemi pa hairin.

Kujtoj që tani përballemi me një epokë post-atlantiste dhe po lëvizim drejt një rendi të atillë perëndimor, ku në njërën anë për europianët shtrohet nevoja e aktualizimit të idesë së autonomisë strategjike – pra mosvarësinë nga SHBA-ja, dhe në anën tjetër unilateralitetin amerikan. Shto këtu faktin që edhe brenda qarqeve politike europiane ka tendenca në rritje të partive të ekstremit që e shkërmoqin strukturën europiane dhe promovojnë euroskepticizimin. Në këtë kontekst, mendimtari bashkëkohor rus, Aleksander Dugin, në një artikull të tij të para disa ditësh, argumentonte se “konservatorët perëndimorë janë aleatë strategjikë kundër armiqve kryesorë të Rusisë” (forcave liberale dhe globalistëve), por, vazhdon më tej, Dugini, “asnjëra palë nuk është proruse...”. (Westliche Konservative als Verbündete gegen Liberale – Dugin 2025).

Ndonëse Sekretari aktual i Mbrojtjes (në SHBA) Peter Hegseth më 12 shkurt para mediave në Shtutgard të Gjermanisë pohoi se: “Tani për tani nuk ka plane për të shkurtuar (forcat amerikane në Europë: shënimi ynë)” dhe se “kontinenti europian meriton të jetë i lirë nga çdo agresion”,  megjithatë sipas tij, “ne jemi të fokusuar siç duhet te kinezët komunistë dhe ambiciet e tyre në Indo-Paqësorin, dhe … në mbarë botën.” (U.S. Department of Defense, 2025).

Kemi të bëjmë me dy botëvështrime mbi mënyrën sesi SHBA-ja dhe Europa e perceptojnë aktualisht skenën botërore. Ndërsa për këta të fundit kërcënuesi më i madh i rendit dhe vlerave liberale europiane është Rusia e Putinit, ndërkaq për administratën Trump II, Rusia paraqet thjesht një fuqi rajonale, e cila mund të rehatohet me disa territore të Ukrainës lindore, kurse rreziku i vërtetë për interesat e SHBA-së vjen nga Kina komuniste, e cila gjithnjë e më tepër është e pranishme globalisht. Pra, në pah janë dy tradita të mendimit politik botëror: institucionalizmi liberal dhe politika e mbështetur tek fuqia ose realpolitika. Në të vërtetë, preferenca e Trumpit dhe administratës së tij përveç marrëdhënieve bilaterale “…është maksimizimi i fuqisë dhe presioni për të fituar sa më shumë”, siç shprehet Jamie Shea.

Në kuadër të kësaj optike mund ta kuptojmë edhe idenë e Trumpit për ta inkuadruar Grenlandën – interesimi i së cilës madje edhe aktivitetet e Kinës për të viteve të fundit nuk kanë munguar – Kanadanë ose Kanalin e Panamasë brenda SHBA-së.

*          *          *

Konsideroj që shtetet dhe elitat politike shqiptare të kudondodhura do të duhej ta lexonin drejt e ta ndjekin këtë realitet të krijuar tanimë në Perëndim. Ku jemi e çfarë duhet bërë, kjo është pyetja që me të drejtë parashtrohet në suaza të qendrave politike e mediatike të ngjashme?

Në kushtet kur Ballkani Perëndimor ndodhet nën orbitën euroatlantike dhe me këtë prani institucionale të BE-së e NATO-s, praktikisht rajoni është shndërruar në çështje të brendshme të strukturës institucionale perëndimore. Në kontekst të këtij realiteti faktik nuk ka se si të mos bëhej fuqizimi i institucioneve – luftimi i krimit, fuqisimi i shtetit të së drejtës, institucionet llogaridhënëse etj. me një fjalë, vazhdimi i rrugës ose harmonizimi i politikave me ato të BE-së.

Megjithatë, në një epokë ku multilateraliteti lë përshtypje që nuk duket se po i ofron rezultatet e dëshiruara, lypset përforcimi i marrëdhënieve me sfond bilateral që gjithnjë e më tepër po bëhet evidente. Kështu, intensifikimi i marrëdhënieve me Britaninë e Madhe, Gjermaninë e Francën është i një rëndësie të veçantë kur janë në pyetje zhvillimet në kontinentin europian, duke filluar nga çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë, ekonominë, energjetikën, teknologjinë etj. Në gjykimin tim, kjo jo vetëm që shërben për ta maksimizuar fuqinë e kësisoj faktorë stabiliteti brenda Ballkanit Perëndimor, porse na mban edhe në suaza të arkitekturës së sigurisë europiane. Pa lënë anash bashkëpunimin e ngushtë me Turqinë si një vend me peshë të jashtëzakonshme, rëndësia e së cilës – pas ndryshimeve në Azerbajxhan, më saktë me kthimin e Nagorno Karabahut brenda territorit azer dhe rënies së regjimit në Siri – është rritur edhe më tepër në rajonin kaukazo-jugor, gjegjësisht mesdhetar.  (Do të ishte mirë sikur të ngrihej në nivel të diskutimit kosovaro-turk njohja e Republikës së Kosovës nga Azerbajxhani, respektivisht nga Siria, e kësisoj t’i mbyllen edhe këto dyer Serbisë, ku propagandonte luftimin e pavarësisë së Kosovës).

Tani kur ndasitë dhe dallimet ndërmjet SHBA-së dhe partnerëve europianë janë të pranishme dhe kur vijnë në shprehje çështja e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, ç’ne që Republika e Shqipërisë dhe e Kosovës mos të vazhdonin për çdo vit me rritjen e investimeve në mbrojtje dhe të buxhetit ushtarak? Latinët thoshin Si Vis Pacem, Para bellum – “Nëse doni paqe, përgatituni për luftë”.

Mbi të gjitha, kruciale është thellimi, bashkëpunimi e komunikimi i vazhdueshëm me SHBA-në dhe administratën e sapozgjedhur për çfarëdolloj sfidash me të cilat ndeshet Republika e Kosovës. Në kontekst të kësaj, në periudhën vijuese arritja e dialogut strategjik ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së s’do mend që do ishte i qenësishëm, madje duke vënë theks e duke bërë përpjekje për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kartën e Adriatikut A5.

Pavarësisht euforisë që mbretëroi te rrethet vendimmarrëse serbe për administratën e re dhe përmirësimit të raporteve amerikano-serbe viteve të fundit, fakti që Serbia ndër shtyllat e politikës së saj të jashtme e ka edhe vektorin kinez dhe i cili ekonomikisht është mjaft i pranishëm në tregun serb, për qarqe të ndryshme në Beograd kjo në të ardhmen do të paraqiste një pikë thyerje dhe tensionimi eventual të raporteve të sipërpërmendura.

Kur presidenti serb mund të mburret që “…vlerësimet për presidentin Trump janë më të larta në Serbi se në çdo vend tjetër europian” (Foreign Policy), pse para zyrtarëve, kongresmenëve e senatorëve amerikanë mos të flitej për praninë dhe penetrimin ekonomik kinez në rajonin ballkanik, veçanërisht në Serbi, e cila konsiderohet portë kineze për Europë, e cila i sfidon institucionet perëndimor në Ballkan? Madje, duke mos harruar që – me rastin e vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në majin e vitin e kaluar (2024) në kryeqytetit serb – krah për krah Vuqiçit do të deklarojë se: “Ne do të përballemi së bashku (me Serbinë: shën. i ynë) me hegjemoninë (amerikane: shën. i ynë) dhe politikën e fuqisë.” (Reuters).

*          *          *

Për ta rrumbullakuar këtë që u tha më sipër, përforcimi i institucioneve, ngritja e kapaciteteve të gjithanshme shtetërore dhe krijimi i kohezionit politik do të ishte i patjetërsueshëm dhe thelbësor në këto rrethana trazuesen ndërsa, paralelisht me këtë, i rëndësishëm është komunikimi dhe këshillimi me shtetet, të cilët aq shumë kanë kontribuuar në shtetndërtimin e zhvillimin e Republikës së Kosovës.

Në rastin e SHBA-së, mu ashtu siç u drejtohet John Bolton shtetarëve të ndryshme, që të flasin, të takohen, të këshillohen e të diskutojnë në mënyrë permanente me zyrtarët, njerëzit në Shtëpinë e Bardhë e të tjerët rreth tij (presidentit). /revistashenja

Exit mobile version