Ballina Artikuj Një ditë në jetën e profetit Muhamed (a.s)

Një ditë në jetën e profetit Muhamed (a.s)

Përshkrimi i një dite në jetën e një njeriu, i cili bën një jetë normale, do të ishte i pamjaftueshëm për ta njohur atë, sepse çdo ditë jetohet ndryshe nga tjetra. Për më tepër, nëse ai njeri është një njeri i jashtëzakonshëm si profeti ynë, detyra bëhet edhe më e vështirë. Pavarësisht nga kjo vështirësi, duke e ndarë ditën në kohë të caktuara, jam munduar të përshkruaj ato detyra që bënte brenda një dite.

Ditën e kam ndarë sipas kohëve të namazit, pra në pesë kohë. Për arsye se nata kishte një rëndësi të veçantë për profetin tonë dhe ata që ndjekin rrugën e tij, e kam shtuar dhe atë si periudhë kohore të veçantë.

Mëngjesi – Sabahu

Jeta e përditshme në planet fillon në mëngjes, para lindjes së diellit. Që nga rënia e vesës tek hapja e luleve, nga cicërimat e zogjve tek era e lehtë, të gjitha krijesat ulen bashkë në një rreth dhikri me gjuhën e tyre të veçantë dhe e fillojnë ditën me dhikër dhe duke u falur.

Muhamedi (a.s) e fillonte gjithashtu ditën me namaz. Pasi thirrej ezani i mëngjesit nga Abdullah ibn Ummi Mektum, një prej shokëve të profetit, profeti falte sunetin e mëngjesit në dhomën e tij dhe pastaj shkonte në xhami për të drejtuar namazin e mëngjesit. Me përjashtim të atyre që kishin arsye të fortë për të mos shkuar në xhami, të gjithë myslimanët e Medinës përpiqeshin ta falnin namazin farz me profetin.

Çdo ditë pas namazit ai bënte tesbihat (litanitë e lavdërimit) dhe lexonte nga shkrimi i shenjtë pjesë të përshtatshme për atë kohë, derisa dielli arrinte një lartësi të caktuar. Pastaj profeti kthehej nga shokët e tij, ulej dhe bisedonte me ta. Ata bisedonin për shumë çështje që lidheshin me nevojat e njerëzve, që nga temat e përditshme tek kujtimet historike, nga interpretimi i ëndrrave tek shërbimi i besimit dhe nga pyetjet dhe përgjigjet tek zgjidhja e problemeve të njerëzve. Me fjalë të tjera, menjëherë pas rrethit të adhurimit, mblidhej një rreth dijeje dhe kulture. Këto biseda gjatë kohës më të frytshme të ditës mund të kuptoheshin vetëm nga ata që e jetuan atë. Epërsia e sahabëve duhet të shihet këtu.

Nëse nuk kishte punë tjetër pas faljes së paradrekës, profeti (a.s) kthehej në shtëpi dhe pyeste nëse kishte ndonjë gjë për të ngrënë. Nëse kishte, hante, përndryshe thoshte “atëherë po agjëroj”. Zakonisht për mëngjes (nëse kishte) hante hurma, disa copa të vogla buke të thatë elbi, qumësht etj. Ai hante ç’të kishte në shtëpi dhe nuk bënte dallime mes ushqimeve.

Ndryshe nga sot, ngrënia e një vakti për profetin nuk ishte prioriteti kryesor i jetës së tij; jeta e përditshme nuk bazohej tek vaktet e ngrënies. Ai nuk shpenzonte shumë kohë duke ngrënë, për të nuk ishte problem kur nuk kishte shumë ushqim, ai nuk shtronte tavolina të rënda dreke dhe gjatë bisedave nuk përmendte lloje të ndryshme ushqimesh, nuk udhëtonte me kilometra të tëra për të gjetur ushqim më të mirë etj. Duke pasur parasysh këto rrethana, mund të themi se atë periudhë koha dhe paratë përdoreshin për gjëra të tjera më të rëndësishme.

Profeti Muhamed pushonte pak para mesditës. Ai zakonisht pushonte më shumë ditën sesa gjatë natës, gjatë së cilës falej dhe adhuronte Zotin, sepse gjatë ditës ekziston mungesa e përqendrimit nga puna dhe stresi dhe trupi ndihet i lodhur për shkak të klimës së nxehtë. Në literaturën islame kjo quhet kajlule. Mund të quhet dhe gjumi i mesditës ose i paradrekes.

Mesdita – Yleja

Mesdita është koha kur dita arrin përsosmërinë e saj dhe vazhdon të bjerë; punët e përditshme kanë arritur në një nivel të caktuar; ndihet nevoja për ta lënë punën dhe për të pushuar pak; shpirti ka nevojë për një pushim nga lodhja e shkaktuar nga puna e rëndë. Shpirti i njeriut ndjen një emocion të madh dhe ka nevojë të kryejë faljen e mesditës, në mënyrë që të largohet nga atmosfera e krijuar; të ngjitet në praninë e më të Lartit, të bashkojë duart, të tregojë mirënjohje dhe ta lavdërojë atë për të mirat dhe t’i kërkojë ndihmë; t’i kërkojë mbështetje dhe të përulet para madhështisë së Tij, veçanërisht nëse po falet bashkë me profetin (a.s).

Profeti e drejtonte namazin e drekës, për shokët të cilët nxitonin në xhami me dëshirë të zjarrtë. Nëse ishte ditë e premte namazi përgatitej në mënyrë të ndryshme – me frymën e ditës së festës dhe me entuziazëm. Ata prisnin thonjtë, laheshin, vishnin rroba të reja, lyheshin me aromë. Në xhami shkonin më shumë njerëz sesa zakonisht, fillimisht dëgjohej ligjërata e profetit dhe pastaj falej namazi. Në këtë ditë, ndryshe nga namazet e tjera merrnin pjesë më shumë gra dhe fëmijë.

Vakti i drekës nuk përmendet rregullisht në burimet e referencave. Shumat që paguheshin për bamirësinë e fitrit dhe disa veprime të tjera llogariteshin sipas dy vakteve në ditë, që tregon se nuk kishte vakt të tretë, përveç mëngjesit dhe vaktit të mbrëmjes. Kështu kuptohet më mirë sa e lehtë është të agjërosh, nëse e ha mëngjesin në kohën e syfyrit. Në të vërtetë të mjaftohesh vetëm me dy vakte në ditë është sunet (praktikë e profetit), që jo vetëm rekomandohet, por edhe praktikohet sepse kështu fiton kohë, balancon buxhetin dhe është më e shëndetshme. Sigurisht ata që vuajnë nga sëmundjet si p.sh. nga diabeti, bëjnë përjashtim.

Nganjëherë, profeti Muhamed (a.s) vizitonte shokët e tij, bënte punët e përditshme, trajtonte çështjet me interes për njerëzit si sundimtar, u diktonte shkruesve të shpalljes, vargjet e shpallura, informonte njerëzit për urdhrat urgjente që i vinin me shpalljen dhe priste miqtë. Për shembull, pas vitit të tetë të hixhrit, shumë ambasadorë e vizitonin atë. Një pjesë të ditës e kalonte me ta, u përgjigjej pyetjeve dhe kërkesave të tyre.

Pasditja – Ikindija

Pasditja është kohë kur fillon të bjerë intensiteti i punës së përditshme dhe mblidhet fryti i shëndetit, paqes dhe veprave të mira të materializuara gjatë ditës.

Profeti i jepte këtij namazi një vlerë të veçantë dhe Bilali thoshte ezanin me zërin e tij prekës. Për shkak se namazi i pasdites njihet si koha kur ndryshohen engjëjt e natës dhe të ditës, të cilët kanë detyre të mbrojnë besimtarët, tesbihati bëhet më i gjatë. Në fakt, kjo temë tregohet në hadithitn e mëposhtëm: “Një grup engjëjsh është me ne gjatë natës dhe një grup tjetër gjatë ditës. Ata mblidhen bashkë në kohën e namazit të mëngjesit dhe të mbrëmjes për të ndërruar vendet. Megjithëse Zoti e di mirë gjendjen e njerëzve të tij, Ai i pyet engjëjt: “Si i latë njerëzit e mi?” Ata përgjigjen: “I lamë duke u falur dhe ishim pranë tyre kur ata u falën”.

Zakonisht pas namazit të pasdites profeti (a.s) vizitonte gratë e tij dhe i pyeste se për çfarë kishin nevojë. Gjatë këtyre vizitave gratë i jepnin profetit ato gjëra që kishin.

Mbrëmja – Akshami

Mbrëmja na kujton se ashtu si shumë krijesa vdesin në fund të sezonit të verës, ashtu edhe njeriu do të vdesë një ditë dhe bota do të shkatërrohet Ditën e Fundit. Në këtë çast shpirti i njeriut dëshiron shumë të qëndrojë në praninë e Zotit dhe të thotë “Zoti është i madh”, të lërë çdo gjë kalimtare dhe të lavdërojë Zotin, ta madhërojë Atë dhe të thotë sa madhështor është Ai. Me këtë dëshirë profeti e priste zakonisht namazin e mbrëmjes para perëndimit të diellit dhe sapo thirrej ezani, qëndronte menjëherë para Allahut. Pas namazit farz, falte 2-6 rekate të namazit “Euabin” dhe e rekomandoi faljen e tyre.

Pas faljes së pasdites, ai e mblidhte familjen e tij në shtëpinë e asaj gruaje, me të cilën do të kalonte natën dhe bisedonte me ta. Shtëpia e familjes së profetit u bë një mjedis, ku veprimtaritë në lidhje me dijen nuk ndaluan asnjëherë, kur ishte gjallë si dhe më pas, sepse dhe pas vdekjes së tij, gratë i vazhduan këto veprimtari, duke i zgjeruar dhe më shumë. Jeta e familjes së profetit luajti një rol të madh në komunikimin dhe mësimin e disa rregullave të veçanta në lidhje me gratë si dhe shumë rregulla të përgjithshme të fesë islame. Këto biseda të mbrëmjeve nuk duhet të nënvlerësohen. Duke funksionuar si një shkollë, këto biseda ishin djepi për zhvillimin e shumë dijetarëve të pashoq, me në krye Aishen. Sigurisht nuk diskutoheshin vetëm tema lidhur me dijen. Mes pjesëtarëve të familjes u krijua një dashuri e veçantë, të cilët kishin karaktere, kultura dhe ambiente të ndryshme; ata e njohën njëri-tjetrin më mirë; përpiqeshin ta ulnin ëmbël peshën të detyrave të profecisë bashkë me profetin; herë pas herë bënin shaka me njëri-tjetrin… shkurtimisht, po fillonte të krijohej atmosfera e nevojshme për një familje të lumtur.

Nata – Jacia

Gjatë namazit të natës, gjithçka mbulohet nga errësira; gjërat që shihen gjatë ditës fshihen në joekzsitencë; duket sikur të mirat materiale që i përkasin dikujt që ka vdekur, vdesin gjithashtu dhe harrohen. Ajo është si një tregues se ka përfunduar jeta e kësaj bote, e cila na është dhënë si sprovë. Sërish njeriut i shpaloset madhështia e të Plotfuqishmit. Për Allahun është e lehtë ta kthejë ditën në natë, verën në dimër, këtë botë në tjetrën, ashtu si ndodh me faqet e një libri. I dobët, nevojtar dhe duke e parë të ardhmen të errët, njeriu fal në këtë kohë namazin e darkës; ai i kthehet Zotit dhe kërkon mbështetje tek Ai, pushteti i të Cilit është i pamasë. Bota që e harron atë dhe fshihet në errësirë harrohet dhe ai i zbraz problemet e tij në vatrën e mëshirës. Gjithashtu para se të bjerë në gjumë, i cili i ngjan vdekjes, ai dëshiron të bëjë adhurimin e fundit dhe t’i mbyllë veprat e tij të ditës në mënyrën më të bukur.

Profeti (a.s) drejtonte namazin e darkës për shokët e tij dhe nëse nuk kishte ndonjë punë tjetër të rëndësishme, shkonte të pushonte pa folur me njeri. Para se të flinte ai lutej. Dihet se lutja zinte një vend të rëndësishëm në jetën e tij. Me fjalët e Kuranit lutja është matja e vlerës së njerëzimit. Aishja tregon për lutjen dhe praktikën e profetit para se ai të flinte gjumë: “Profeti, çdo natë, para se të flinte gjumë, bashkonte duart, u frynte dhe thoshte Suren Ihlas, Felek dhe Nas; pastaj prekte çdo pjesë të trupit që mund të arrinte, duke filluar nga koka, dhe këtë e përsëriste tre herë”. Sigurisht për këtë temë ka dhe sugjerime dhe praktika të tjera që mund të gjenden. Për shembull Aliu ka treguar se: “Profeti më tha mua dhe Fatimas: “Kur të shtriheni për të fjetur thoni 33 herë Allahu Ekber, 33 herë Subhanallah dhe 33 herë Elhamdulilah (në një transmetim tjetër thuhet 34)”. Kur Aliu tha se ai nuk e kishte ndërprerë asnjëherë këtë traditë që nga ajo ditë, dikush e pyeti: ‘As në betejën e Sifinit?” ai u përgjigj: “Po, as atë ditë”…

Natën vonë – Tehexhud

Pjesa e vonë e natës të kujton dimrin, varrin dhe berzakun (gjendja e ndërmjetme e ekzistencën ndërmjet jetës dhe vdekjes) dhe sa shumë varet shpirti i njeriut në mëshirën e Allahut. Si pasojë, namazi tahaxhud gjatë natës do të jetë një burim drite që do të ndriçojë jetën tonë natën e varrit dhe errësirën e berzahut.

Pjesën e fundit të ditës, natën e vonë, profeti e kalonte ne adhurim. Do të doja të tregoja diçka që ka thënë Aishja: “Profeti ynë falej natën aq sa i ënjteshin këmbët. Kur i thanë: “O i dërguari i Allahut! Zoti t’i ka falur mëkatet e kaluara dhe ato të ardhshme. Pse pavarësisht nga kjo bën kaq shumë adhurim?” Ai u përgjigj: “A nuk duhet të jem rob mirënjohës për këtë të mirë të Allahut?”

Profeti Muhamed pushonte pak pas namazit të tehexhudit dhe ngrihej për namazin e mëngjesit pas thirrjes së myezinit. Bilali e thërriste ezanin para imsakut, duke i zgjuar njerëzit për syfyr dhe tehexhud. Abdullah ibn Ummi Maktum thërriste ezanin kur fillonte imsaku, duke treguar se kishte filluar kohë për faljen e mëngjesit.

Përfundim

Jeta e profetit mund të shqyrtohet në aspekte të ndryshme. Në një kohë kur jeta e përditshme është kthyer në makth, sa me fat janë ata që lexojnë për jetën e përditshme të profetit (a.s) dhe marrin mësimi prej saj!

Autor: Abdulhakim Yuce

Exit mobile version