Pas betejës së Bedrit e cila përfundoi me fitoren e myslimanëve, ishin robëruar 70 idhujtarë. Duke i vëzhguar idhujtarët e robëruar që dukeshin të mjerë, Pejgamberi s.a.v.s. kishte thënë: “Sikur Mut’am ibn Adijj tani të ishte gjallë dhe të kërkonte nga unë që t’i liroj këta robër të luftës, të gjithë do t’ia lëja atij (do t’i liroja)”. (Sahihul Buhari, 573/2)
Kush ishte Mut’am ibn Adijj? Ai ishte politeist (mushrik). Jetonte në periferi të Mekës, nuk pranoi islamin dhe vdiç në pabesim.
Por, pse Pejgamberi ynë a.s. do t’i lironte 70 idhujtarët e robëruar sikur nga ai të kërkonte idhujtari Mut’am ibn Adijj?
Për arsye se Pejgamberi a.s. asnjëherë nuk e ka harruar të mirën e dikujt dhe drejtësinë, nderin dhe fisnikërinë. Mut’am ibn Adijj i kishte ndihmuar Pejgamberit a.s. kur ishte në vështirësinë më të madhe në jetë.
Pasi që e plagosën, e lënduan, ofenduan në Taif, Pejgamberi a.s. kishte qëllim që të kthehej në Mekë. Mirëpo, kthimi i tij ishte i rrezikshëm, sepse nuk kishte mbrojtje adekuate. Pasi kërkoi tek disa familje që ta mbronin dhe përcjellnin deri në Mekë, nuk iu përgjigjën, përpos familja e Mut’am ibn Adijj. Aty hasi në përgjigje pozitive. Atëherë Mut’ami tha: “Unë do ta marr Muhammedin nën mbrojtjen time”. I thirri djemtë dhe anëtarët e tjerë të fisit dhe u tha: “Armatosuni dhe rendituni nëpër këndet e Qabes se unë e kam marrë Muhammedin nën mbrojtjen time”!
Kur Pejgamberi a.s. hyri në Haremin e Qabes, Mut’ami bërtiti: “O kurejsh, unë e kam marrë Muhammedin nën mbrojtjen time dhe askush mos ta lëndojë, as ta sulmojë”!
Ja, shihni mënyrën e të menduarit të Muhammedit a.s. E kujtoi veten kur ishte i braktisur në Taif dhe idhujtari i cili i ofroi ndihmë dhe mbrojtje, pasi e pa gjendjen e robërve të Bedrit. Pejgamberi a.s. robërit i vendosi nëpër shtëpitë e sahabëve dhe hanin ushqimin më të mirë se vetë sahabët.
Pejgamberi s.a.v.s. nuk e harroi të mirën dhe nderin e një idhujtari, dhe për të dhe fjalët e tij ishte i gatshëm t’i lirojë të gjithë robërit idhujtarë të Bedrit.
Ky është Pejgamberi ynë, të cilin duhet dashur dhe pasuar.
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)