Një delegacion izraelit ka udhëtuar për në kryeqytetin e Katarit, Doha, lidhur me negociatat e marrëveshjes për armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Në lajmin e televizionit shtetëror izraelit KAN të cilin e bazon në një zyrtar izraelit të paidentifikuar, thuhet se delegacioni që ka shkuar në Doha për negociatat e armëpushimit dhe shkëmbimin e pengjeve, ka “autoritet të kufizuar”.
Zyrtari izraelit pretendon se Tel Avivi po përpiqet të arrijë marrëveshje për armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve “brenda këtij muaji” dhe që marrëveshja të hyjë në fuqi para se presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump të marrë detyrën më 20 janar.
Më tej theksohet se negociatat mes palëve kanë shënuar përparim serioz kohët e fundit.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz dje në Komitetin e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes deklaroi se janë “në një pikë afër” arritjes së një marrëveshjeje për shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit.
“Jemi në pikën më të afërt për marrëveshjen e pengjeve që nga marrëveshja e mëparshme (marrëveshja për shkëmbimin e pengjeve në nëntor 2023)”, tha Katz.
Në nëntor 2023 mes Hamasit dhe Izraelit u krye një shkëmbim reciprok pengjesh ndërsa në Rripin e Gazës u arrit armëpushim i përkohshëm.
Izraeli rifilloi sulmet kundër Rripit të Gazës pas armëpushimit që zgjati rreth një javë. Parashikohet se në Rripin e Gazës ndodhen rreth 100 pengje izraelite.