Një atdhe, dy popuj, një shtet

Enis Sulstarova

Çifutët që jetojnë në shoqëri liberal-demokratike nuk dëshirojnë të zhvendosen në Izrael dhe rreth një milion qytetarë izraelitë jetojnë jashtë shtetit, kryesisht në SHBA. Shteti që u themelua për t’u afruar mbrojtje viktimave të gjenocidit është kthyer vetë në një shtet gjenocidal, që po ia pamundëson jetesën një populli tjetër.

Enis SULSTAROVA, Tiranë

Hyrje

Përballë tmerreve që po ndodhin në Rripin e Gazës, diplomacia ndërkombëtare po përsërit formulën e “dy shteteve”, duke iu referuar Marrëveshjes së Oslos. Si për ta kujtuar Izraelin se palestinezëve u është njohur e drejta e shtetit të tyre në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës! Mirëpo, shteti i pavarur palestinez nuk ka shumë gjasa të realizohet në praktikë. Artikulli i kushtohet alternativës së “një shteti për dy popuj”. Sigurisht që dhe kjo nuk ka asnjë shans të realizohet tani për tani. Ndoshta në të ardhmen… Por, më parë, të shohim se ç’ka ndodhur në Palestinë/Izrael dhe pse formula e një shteti për secilin popull nuk është realiste.

Mandati britanik mbi Palestinën dhe krijimi i Izraelit

Sionizmi dhe kolonizimi sionist i kanë paraprirë në kohë krijimit të Palestinës Britanike, por çifutë ka pasur edhe më parë në Jerusalem dhe vende të tjera të Palestinës. Imigrime nga diaspora çifute kanë ndodhur edhe më parë dhe imigrantët çifutë vendoseshin aty kryesisht për arsye fetare dhe bëheshin pjesë e popullatës vendase, pa pasur pretendimin për krijimin e një shteti dhe të shoqërie ekskluzive çifute. Ndërsa kolonët sionistë u ngulitën në Tokën e Shenjtë me idenë se kjo u takonte vetëm atyre dhe se ata ishin pararendësit e një shoqërie të re dhe shteti të ri çifut. Te dallimi midis imigrantëve dhe kolonëve ndodhet rrënja e konfliktit midis arabëve palestinezë dhe izraelitëve.

Territori i Palestinës u përcaktua për herë të parë nga Mandati Britanik, që zëvendësoi sovranitetin osman pas Luftës së Parë Botërore. Në këtë kohë nisën lëvizjet nacionaliste të arabëve dhe çifutëve. Perandoria Britanike e favorizoi vendosjen e ardhacakëve sionistë, përmes dhurimit dhe shitjes së pronave të paluajtshme. Pas kryengritjes arabe të viteve 1936-1939, britanikët i vunë kufizime imigrimit dhe blerjes së pronave nga fondacionet çifute. Gjithsesi, tashmë kishte mjaftueshëm kolonë çifutë sa për të nisur një fushatë politike e ushtarake për krijimin e një shteti çifut. Në mënyrë paradoksale, kolonët sionistë nisën ta shihnin lëvizjen e tyre si kundërkolonialiste, sepse qëllimi i saj ishte “çlirimi” i vendit të tyre prej sundimit britanik. Vendosmëria e sionistëve për një shtet të pavarur u rrit edhe më shumë dhe fitoi simpati ndërkombëtare pas Holokaustit. Shumë të mbijetuar të gjenocidit nuk kishin ku të ktheheshin, madje dhe as nuk dëshironin të ktheheshin më në shtetet europiane dhe parapëlqyen fillimin e një jete të re në Palestinë. Në vitin 1947 Organizata e Kombeve të Bashkuara e njohu si territor sovran të Izraelit gati 55 për qind të Palestinës nën mandatin britanik, duke e lënë pjesën tjetër si territor të një shteti palestinez, por që nuk u sendërtua, sepse u mbajtën të pushtuar nga Jordania dhe Egjipti deri në vitin 1967. Pas luftës së vitit 1967 Izraeli shtriu sovranitetin e tij edhe mbi 22 për qind të territorit, që duhej t’i takonte Palestinës, përfshirë Jerusalemin Lindor. Rreth 700,000-750,000 palestinezë janë përzënë ose kanë ikur nga vendi i tyre si pasojë e luftës së Izraelit me shtetet arabe.

Që nga krijimi i tij, Izraeli ka qenë në një gjendje thuajse të përhershme lufte me shtetet arabe – Jordania, Egjipti, Siria – me kryengritësit palestinezë të organizuar nga Organizata për Çlirimin e Palestinës dhe nga formacione islamiste si Hamasi, Xhihadi Islamik, si dhe me organizatën Hezbullah, që ndodhet në Liban. Ashtu sikurse Sparta në Greqinë e Lashtë, Izraeli është një shtet dhe shoqëri gjithnjë e mobilizuar për luftë. Me mbështetjen e madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraeli është bërë një fuqi e rëndësishme ushtarake në Lindjen e Mesme dhe ekonomia e tij llogaritet të jetë tri herë më e madhe sesa ekonomitë e Egjiptit, Jordanisë, Libanit, Sirisë dhe Autoritetit Palestinez, marrë së bashku. Ai është eksportuesi i katërt më i madh i armëve në botë dhe zotëron armë bërthamore.

Palestinezët dhe ngulimet izraelite

Krijimi i Izraelit u bë katalizatori i procesit të ndarjes së popullit palestinez në tri grupe të ndarë nga njëri-tjetri: njëri përbëhet nga refugjatët që nuk u lejuan të ktheheshin, i dyti nga palestinezët që janë brenda Izraelit dhe i treti përbëhet nga banorët e Bregut Perëndimor e të Rripit të Gazës, që kanë jetuar qysh atëherë nën pushtimin apo kontrollin izraelit. Palestinezët që jetojnë brenda kufijve të Izraelit janë rreth 2 milionë. Ata nuk janë qytetarë të barabartë me izraelitët, por qytetarë të rangut të dytë, që kanë të drejta më të kufizuara. Derisa çifutët që “rikthehen” në Izrael e marrin menjëherë nënshtetësinë, sipas ligjit të vitit 1952 vetëm ata arabë që kishin banuar në territorin e shtetit gjatë Mandatit Britanik dhe që kishin prova se kishin hyrë apo kishin qëndruar në mënyrë të rregullt që nga krijimi i shtetit e deri më 1 mars 1952 mund ta merrnin nënshtetësinë. Duke marrë parasysh shpërnguljet dhe shkatërrimet e mëdha gjatë luftës së vitit 1948, vetëm 40 për qind e arabëve të mbetur në Izrael i plotësonin këto kritere dhe e morën shtetësinë. Të tjerëve u duhej të prisnin vitin 1980 për njohjen shtetësisë dhe ndërkohë u privuan nga e drejta e pronësisë e të drejta të tjera. Nga viti 1948 deri në vitin 1966 palestinezët e Izraelit kanë jetuar në një gjendje të jashtëzakonshme, që do të thotë nën diktaturë ushtarake, ku secilit nga guvernatorët ushtarakë rajonalë kishte të drejtë të arrestonte, të shpërngulte, të konfiskonte tokën dhe shtëpitë dhe të shkatërronte banesa. Shumë lokalitete palestineze brenda Izraelit janë shpallur të jashtëligjshme për të pamundësuar marrjen e lejeve të ndërtimit, përmirësimin e infrastrukturës, përfitimin nga shërbimet publike etj.

Palestinezët e Izraelit konsiderohen si armiq të brendshëm dhe mbahen nën një kontroll të rreptë. Ata nuk mund të shërbejnë në ushtrinë izraelite, që do të thotë se nuk mund të përfitojnë nga të mirat publike që janë të lidhura me shërbimin ushtarak. Ata mund të votojnë dhe të zgjidhen në pozicione publike, por në një masë shumë të kufizuar. Nëse një politikan palestinez përmend qoftë dëshirën që shtetasit e Izraelit të kenë të drejta të barabarta të qytetarisë dhe të mos favorizohen izraelitët, ai nuk lejohet të kandidojë, apo ai shkarkohet menjëherë nëse tashmë është zgjedhur në një detyrë publike. Programet mësimore në shkollat palestineze hartohen nga Ministria e Arsimit, e cila ka të drejtën e vetos për emërimin e mësuesve në këto shkolla, pa qenë nevoja që të japë arsye. Mure që ndajnë fshatrat apo lagjet izraelite nga ato palestineze nuk ka vetëm në Bregun Perëndimor, por edhe brenda Izraelit.

Tashmë rreth 800,000 izraelitë jetojnë përtej vijave të armëpushimit të vitit 1949, përfshirë Jerusalemin Lindor. Vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor janë të shpërndara në zona strategjike, si p.sh. kuota të larta, ujësjellës, nyje komunikimi etj. që kanë nën kontroll 40 për qind të Bregut Perëndimor. Ata janë të lidhura me rrugë të posaçme dhe të mbrojtura me mure, duke veçuar nga njëri-tjetri vendbanimet kryesore palestineze: Xhenin, Nablus, Ramallah, Jerusalemi Lindor, Betlehem dhe Hebron. Autoriteti Palestinez, që administron këto copa territori me popullatën përkatëse, në të vërtetë punon për llogari të Izraelit, i cili mbikëqyr punën e Autoritetit dhe kontrollon sigurinë, ekonominë dhe burime të domosdoshme, siç është uji i pijshëm. Njësimi territorial i Bregut Perëndimor është i pamundur dhe 3 milionë palestinezë jetojnë në kantone të izoluara si “bantustanet” e zezakëve në Afrikën e Jugut gjatë regjimit të aparteidit. Sovrani i vërtetë mbi palestinezët është Izraeli. Në Rripin e Gazës, gati 20 për qind të territorit që duhej t’i takonte sovranitetit palestinez Izraeli e ka përdorur si një brez sigurie me mure e instalime ushtarake, duke e kthyer realisht vendin në një burg të stërmadh, të mbipopulluar dhe tashmë të mbushur me gërmadhat e varret e luftës që vijon.

Për një kohë, qëllimi zyrtar i OÇP-së ishte zotërimi i plotë i Palestinës së Mandatit Britanik dhe shkatërrimi i Izraelit. Më pas, OÇP-ja e pranoi ekzistencën e Izraelit dhe zgjidhjen e dy shteteve. Në Oslo, Jaser Arafati bëri dy lëshime të tjera të rëndësishme: i pari ishte pranimi i ngulimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe i dyti ishte pranimi i kontrollit izraelit mbi jetën ekonomike, politike dhe shoqërore në territoret e pushtuara dhe mbi një shtet të ardhshëm palestinez. Edhe nëse ky i fundit do të krijohet dhe do të njihet ndërkombëtarisht, ai do të mbetet në varësi të Izraelit, sepse do t’i mungojë vazhdimësia territoriale, siguria dhe qëndrueshmëria ekonomike. Siç thotë Perri Anderson [Perry Anderson], shteti palestinez nuk do të jetë një strukturë e pavarur, por “aneks” i Izraelit (“The House of Zion”, “New Left Review”, nr. 96, 2015, f. 23). Ambasadat nëpër botë nuk do të arrijnë ta fshehin dot këtë fakt prej syve të nënshtetasve të tij dhe çdo qeveri mund të damkoset fare lehtë si kolaboracioniste prej atyre palestinezëve që nuk pajtohen me sistemin e Oslos. Paqja nuk do të jetë e qëndrueshme.

Një shtet për dy popuj?

Koalicionet e shteteve arabe nuk arritën ta mundnin Izraelin, as dy intifadat, as terroristët kamikazë dhe as raketat e Hamasit. Mirëpo, sukseset e tij mbajnë brenda farën e dështimit. Me secilin zgjerim territorial, Izraelit i është dashur të menaxhojë një numër më të madh palestinezësh që nuk ka mundur t’i përzërë. Demografia është problemi më të madh që ka Izraeli në raport me palestinezët dhe që vështirë se mund të zgjidhet me luftëra si kjo në Rripin e Gazës. Rritja natyrore e palestinezëve është më e lartë se ajo e izraelitëve dhe nuk ka më imigrime të çifutëve nga diaspora që ta drejtpeshojnë. Përkundrazi, po ndodh emigrimi i izraelitëve në vende të tjera, të shtyrë prej klimës së konfliktit të gjatë me palestinezët. Projeksionet thonë se në vitin 2050 do të ketë më shumë palestinezë sesa izraelitë në Izrael/Palestinë. Intifada e Dytë, e cila përfshiu palestinezët e Izraelit krahas ata të tokave të pushtuara, tregoi se palestinezët brenda Izraelit gjithnjë e më shumë do të kërkojnë që shteti të bëhet me të vërtetë demokratik dhe t’i trajtojë ata si qytetarë të barabartë me izraelitët. Shtypja me dhunë e kërkesave legjitime për të drejta të barabarta do të rezultonte në kufizime të mëtejshme të demokracisë dhe do të tjetërsonte shumë izraelitë prej shtetit të tyre. Sigurisht që elita drejtuese qytetarinë e barabartë e konsideron si kërcënim për themelet sioniste të shtetit. Ish kryeministri izraelit Ehud Olmert në vitin 2007 shprehte frikën se ndryshimi i strategjisë palestineze nga skenari algjerian te ai afrikano-jugor, pra nga lufta kundër pushtimit drejt luftës për të drejta të barabarta të qytetarisë do të thoshte fundi i Izraelit. Olmerti me këto fjalë kërkonte t’i shtynte izraelitët që të pranonin sa më shpejt marrëveshjen me Autoritetin Palestinez.

Eduard Said, intelektuali i njohur palestinezo-amerikan, parashikoi dështimin e Marrëveshjes së Oslos dhe nga fundi i jetës përqafoi idenë e bashkëjetesën e dy popujve në një shtet të përbashkët e demokratik. Në disa artikuj e intervista, ai theksonte arsyet pragmatiste për pasjen e një shteti të vetëm: tiparet gjeografike të territorit, ndërvarësia ekonomike, pamundësia e ndarjes së ndershme të burimeve natyrore etj. Shteti do të bazohej mbi të drejtat e patjetërsueshme për secilin qytetar dhe mbi të drejtat e secilit grup për të pasur një jetesë kolektive të vetën. Interesi i izraelitëve për t’i hyrë kësaj rruge ishte, sipas tij, kapërcimi i nacionalizmit të tyre të tanishëm, militant, paranojak e urrejtës, drejt një trajte të identitetit izraelit që nuk do të kërkonte shtypjen e identifikimeve të tjera individuale dhe që do të kultivonte një mendësi më të hapur ndaj kulturave të tjera, si ajo që i kishte mundësuar çifutëve të diasporës të jetonin për shekuj në mesin e kulturave të tjera. Saidit i japim të drejtë kur përballemi me faktin paradoksal se ndërsa shteti i Izraelit po i afrohet 100-vjetorit të themelimit, siguria e qytetarëve të tij izraelitë është më e rrezikuar se sa ajo e çifutëve në diasporë. Siç tregoi edhe sulmi më i fundit terrorist i Hamasit, vendbanimet izraelite janë shumë pranë atyre arabe dhe as një mur apo brez ushtarak nuk garanton siguri absolute. Çifutët që jetojnë në shoqëri liberal-demokratike nuk dëshirojnë të zhvendosen në Izrael dhe rreth një milion qytetarë izraelitë jetojnë jashtë shtetit, kryesisht në SHBA. Shteti që u themelua për t’u afruar mbrojtje viktimave të gjenocidit është kthyer vetë në një shtet gjenocidal që po ia pamundëson jetesën një populli tjetër.

Jemi shumë larg idesë së një shteti për dy popuj që i ndan nga njëri-tjetri një armiqësi gati 80-vjeçare. Mirëpo jemi ende larg paqes që premton plani i dy shteteve. Mund të vijë çasti kur një shtet demokratik i qytetarëve dhe i dy popujve të jetë zgjidhja më realiste. Mirëpo, në mënyrë që një përpjekje e palestinezëve (dhe e izraelitëve) për një shtet demokratik, që do të ishte shtëpia e dy popujve, të ketë gjasë për sukses kërkohet edhe ndryshimi i klimës politike në Lindjen e Mesme, sepse, siç thotë dhe Andersoni, ishulli i një demokracie palestineze nuk ka shumë gjasa të ekzistojë në detin e despotizmit arab (vep. e cit., f. 37). Gjithashtu, që kjo të realizohet kërkohet që palët të ndjekin qasje laike drejt një marrëveshjeje për bashkëqeverisje; për sa kohë që ngulmohet me fanatizëm në ekskluzivitetin fetar, nuk mund të bëhet fjalë për pajtim, tolerancë e bashkëjetesë.

(për shkak të natyrës së revistës, shënimet bibliografike janë mbajtur në minimum)